E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaj: Topi s’është më nënkryetar i PD

 

ADI SHKEMBI

Pas deklaratave të ashpra në grupin parlamentar të PD-së, të Kryeministrit Berisha ndaj Presidentit Topi, dalin publikisht zërat kundër kreut të qeverisë në këtë përballje me kreun e shtetit. Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj dhe deputeti i “ngrirë” Spartak Ngjela, kundërshtojnë hapur qëndrimin e Kryeministrit, duke i kujtuar atij se Topi nuk është më nënkryetar i Partisë Demokratike.
Mustafaj
Ish-ministri dhe deputeti i maxhorancës, Besnik Mustafaj, tha dje në një prononcim për mediat, se Kryeministri Berisha e ka ditur kohën në të cilën u përfundonte mandati anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sipas tij, Berisha duhet të ketë të qartë që Topi nuk është më në postin e nënkryetarit të PD-së, si deri në korrik 2007. “Berisha si kryetar i maxhorancës e ka ditur me kohë se kur skadonte afati i këtyre gjyqtarëve dhe se kur fillonte procesi i përzgjedhjes së tyre dhe Berisha duhet ta kuptojë qartë tashmë se, Bamir Topi është President i Republikës dhe nuk është më nënkryetar i PD-së”, u shpreh Mustafaj. Madje sipas tij, edhe nëse Presidenti Topi ka gabuar me procedurat e dekreteve që ka çuar në Kuvend, duhet të ishte Kryeministri Berisha ai që duhet të shkonte në zyrën e kreut të shtetit për të biseduar për emrat. “Nëse vetë Presidenti Topi gabon, ai vetë duhet t’i kërkonte takim dhe të diskutonin për kandidaturat eventuale dhe të këshilloheshin. Berisha ka mandatin e kryetarit të grupit parlamentar, ka mandatin e Partisë Demokratike dhe duhet të shkonte tek kryetari i shtetit, sepse ai nuk është më nënkryetar i PD, por kryetar i shtetit. Berisha duhet të shkonte tek ai dhe të bënte gjithë ato punë që atij i nevojiteshin. Kjo për mua do të thotë se në të dyja anët nuk ka ecur diçka mirë”, theksoi më tej Mustafaj.
Ngjela
I ashpër në qëndrimin e tij ndaj Kryeministrit Berisha ka qenë edhe avokat Ngjela. Sipas tij, Kryeministri Berisha e do Gjykatën e Lartë për të mbrojtur Fatmir Mediun nga hetimi mbi ngjarjen e Gërdecit. Ngjela thotë se, Parlamenti nuk ka të drejtë të verifikojë figurat, por vetëm të votojë. “Është një dëshirë për të marrë Gjykatën Kushtetuese nga ana e Sali Berishës, i cili ka dashur ta ketë dhe sidomos i duhet tani për gjyqin që ka përpara Fatmir Mediu. Mirëpo nuk veprohet kështu, kjo është një mënyrë anadollake e të vepruarit, mesjetare. Njeriu lufton në politikë dhe për interesin e tij. Gërdeci nuk mbyllet aq kollaj sa ç’mendohet. Por Presidenti ka kompetencë substanciale për emërimin e tyre, merr apo s’merr mendimin e të tjerëve është çështje e tij. Ti ke të drejtën për të votuar. Parlamenti vetëm voton, nuk llap”, theksoi dje Ngjela. Sipas avokatit, fakti që Parlamenti nuk po i fut në procedurë votimi 5 dekretet e kreut e të shtetit do të thotë se, Topi është fitues i kësaj përplasje. “Njëri nga ata të dy do rrëzohet në këtë rast. Do rrëzohet politikisht apo nominalisht, kjo nuk ka rëndësi, e rëndësishme është se kush ka maxhorancën. Fakti që ata nuk e fusin në Parlament grupin e dekreteve të Topit kuptohet, që Topi është më i fortë se Berisha. Berisha ka 3 vjet e gjysmë që kërkon të dominojë shtetin. Deri tani nuk e ka marrë dot. Mendoi se mund ta merrte me këtë president, por as me këtë s’po e merr. 5 dekretet e Topit nuk kthehen, në qoftë se kanë forcë le t’i rrëzojnë në Parlament”, theksoi më tej Ngjela.

Bumçi: Verifikimi i figurave më i rëndësishëm se afati për dekretet

Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi tha dje, se verifikimi i figurave që do të votohet për në Gjykatën e Lartë, është më i rëndësishëm se afati se kur do të votohen këto dekrete. Duke folur në një konferencë për shtyp, ai tha se: “Fakti që Kuvendit i është dashur më shumë kohë për t’iu përgjigjur dekretit të Presidentit nuk e bën atë të pavlefshëm, pasi Parlamenti është i interesuar të shqyrtojë arsyet politike dhe informacioni në këtë rast është më i rëndësishëm se afati i një dekreti të caktuar. Kuvendi ka nevojë të shqyrtojë kandidaturat, meritat e tyre dhe nëse janë ata personat që meritojnë të shkojnë në majën e piramidës së gjyqësorit shqiptar dhe kjo është shumë më e rëndësishme se tejkalimi i një afati”. Sipas tij, për emërimet e reja në Gjykatën e Lartë, maxhoranca e djathtë parlamentare do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili interpreton në mënyrë përfundimtare këtë çështje.

Gjyqtarët: Kërkojmë me forcë ndalimin e deklaratave denigruese politike

TIRANE - Unioni i Gjyqta-rëve të Shqipërisë reagoi dje ashpër ndaj deklaratave politike të ditëve të fundit në adresë të gjyqësorit nga përfaqësues të ekzekutivit. Duke i përcjellë me shqetësim deklaratat, Unioni pohon se këto cenojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, siç është pavarësia e pushtetit gjyqësor, paanësia, autoriteti dhe besueshmëria e tij, ndër të tjera, edhe nëpërmjet shkeljes së parimit të prezumimit të pafajësisë. “Etiketime negative të çdo natyre ndaj gjyqtarëve në tërësi, dhënë në mesazhe publike, cenojnë autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor, e cila formon ndërhyrje në veprimtarinë e gjyqtarëve”, thuhet në një njoftim për shtyp të shpërndarë dje nga Unioni, ku më tej shtohet: Kjo nuk i shërben aspak individualizimit të përgjegjësive në gjyqësor dhe reformave, përkundrazi, komprometon këtë sfidë historike, duke dëmtuar aspiratën e shoqërisë shqiptare për një shtet të së drejtës. Sipas Unionit, kjo shoqatë e togave të zeza kërkon me forcë ndërprerjen e deklaratave denigruese që cenojnë pavarësinë e gjyqësorit në tërësi dhe fton të gjithë faktorët vendimmarrës të ndërtojnë strategji të qarta të luftës ndaj korrupsionit dhe paaftësisë në këtë sistem, pa cenuar pjesën e shëndetshme të tij. “Gjyqtarët nuk mund dhe as duhet të pranojnë të jenë vazhdimisht pre e trysnisë verbale, në shkelje të parimeve kushtetuese dhe dinjitetit të tyre profesional dhe njerëzor”, përfundon njoftimi për shtyp.                 fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›