E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simpati për Zj. Topalli

Eduard Zaloshnja 

Fjala simpati përdoret në shqip kryesisht për të kumtuar një ndjenjë admirimi apo vlerësimi për dikë. Për shembull, në shqip ne themi: “Kam simpati të veçantë për iks këngëtar apo aktor”.  Ndërsa në anglisht, fjala simpati përdoret kryesisht për të kumtuar ndjenjën e keqardhjes për dikë. Për shembull, anglezët thonë: “Pranoni simpatinë time për humbjen e babait tuaj”. Këto dy kuptime të fjalës simpati më erdhën në mendje tek po ulesha të shkruaja këto rreshta për zj. Jozefina Topalli, e cila është vënë në qendër të emisioneve të lajmeve ditët e fundit.Kam simpati për zj. Topalli, sepse është e para grua në historinë e Shqipërisë që ka arritur të zgjidhet në krye të Parlamentit, si dhe gruaja që është ngjitur në postin më të lartë shtetëror krahasuar me çdo grua shqiptare deri më sot. Kam simpati për zj. Topalli, sepse vjen nga një familje të djathtë me traditë prej qytetit që ishte qendra më e madhe kulturore dhe tregtare e Shqipërisë në kohën kur ne fituam pavarësinë. Kam simpati për zj. Topalli, sepse ajo, pavarësisht nga pengesat që i nxori regjimi komunist, arriti të mbaronte studimet e larta me rezultate të shkëlqyera. Kam simpati për zj. Topalli, sepse ka demonstruar herë pas here pavarësi politike nga bosi i fuqishëm i partisë së saj, siç ishte për shembull rasti i votës së saj kundër kandidaturës për Kryeprokuror të Theodhori Sollakut, ish-këshilltarit juridik të Berishës. Së fundi kam simpati për zj. Topalli, sepse është një grua që, me hiret e saj, i jep nur postit të lartë që mban.
Dhe tani le t’i kthehemi versionit të dytë të fjalës simpati, atë që nënkupton keqardhje. Më vjen keq për zj. Topalli kur e shoh që po mundohet t’i bëjë një karshillëk institucional zyrës së Presidentit të Republikës, pikërisht kur në krye të saj është i pari shqiptar në 80 vjet që nuk ka qenë ndonjëherë komunist, ose s’ka pasur ndonjë lidhje familjare me komunizmin. Zj. Topalli po zvarrit votimin e dekreteve të Presidentit Topi për emërimin e gjykatësve të Gjykatës së Lartë, me pretekstin se Presidenti duhej të ishte konsultuar paraprakisht me Kuvendin (nënkupto atë vetë). Por kushdo që kupton pak sesi funksionojnë institucionet e pavarura të shtetit, e di se emërimi i gjykatësve të lartë është atribut ekskluziv i Presidentit të Republikës. Ndërsa është detyrë e Kuvendit që t’i shqyrtojë dekretet e Presidentit me precedencë para çdo legjislacioni tjetër dhe të votojë pro ose kundra tyre në seancë plenare.
Gjithashtu më vjen keq - në fakt shumë keq - për zj. Topalli kur shoh se është bërë së fundi mburojë e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Kur kanë kaluar pothuaj tre vjet të mbushura me fjalë të forta të zj. Topalli për zhveshjen e të gjithë deputetëve nga imuniteti parlamentar, të vjen keq kur sheh sesi ajo po zvarrit procedurat e heqjes së imunitetit të një deputeti që, sipas Prokurorisë, është përgjegjës për tragjedinë më të madhe shqiptare pas vitit 1997. Kjo dyfytyrësi e saj nuk mund të kalojë pa u vënë re nga shqiptarët e thjeshtë, dhe kjo gjë padyshim do i uli kuotat e saj tek ata që e mbajnë në kuota të larta në mendjen e tyre.
Për sa shkrova më sipër, ndiej një simpati të thellë për zj. Topalli - në të dyja kuptimet e fjalës...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›