E Diel, 1 Nëntor 2026

Theri italianin për nderin e motrës, kapet në Tiranë

Bledi Gilaj

Myrteza Arifaj dyshohet për masakrimin me thikë të një 35-vjeçari

Bledi Gilaj

Një 35-vjeçar i shumëkërkuar për vrasjen e një tregtari italian është arrestuar në orët e paradites së djeshme në vendin e quajtur Ura e Treshit, në afërsi të Institutit Bujqësor, në periferi të Tiranës. Myrteza Arifaj është arrestuar në momentin kur duket të ketë pikasur se ishte në vëzhgim dhe ka tentuar të largohet nga ambientet e lokalit ku mbahej në mbikëqyrje, me një automjet tip BMW. Operacioni është realizuar nga operacionet speciale dhe nga ana e policisë veç Arifajt, janë shoqëruar edhe dy persona që ndodheshin në automjet me të. Arifaj ishte shpallur në kërkim me kartelë të kuqe rreth gjashtë muaj më parë nga Interpol-Roma. 35-vjeçari akuzohet si autori i vrasjes së një shtetasi italian, më 20 tetor të vitit 2011 në Ankona të Italisë. Për vrasjes ishin shoqëruar nga policia italiane dy persona, motra dhe një i njohur i Arifajt.

Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur natën e 20 tetorit, kur motra e të arrestuarit të djeshëm shoqërohej me italianin për në shtëpi, pasi ishin fqinj. Sipas dosjes italiane, gjithçka kishte nisur në janar të vitit 2011. Në atë kohë, sipas dëshmive të marra, Luigi Taurino kishte ngacmuar shqiptaren 23-vjeçare, Suela Arifaj, nënë e dy fëmijëve të vegjël, e cila ishte fqinje me italianin në zonën e Ankonës. Ajo mendohet se i kishte kërkuar punë italianit, por ky, duke shfrytëzuar biznesin, e kishte shfrytëzuar nënën e re. Në këto kushte, ajo mendohet se ka njoftuar vëllain e saj në Shqipëri, Myrteza Arifajn, në atë kohë, i cili ka shkuar në Itali, në fillim të muajit tetor 2011, bashkë me shokun e tij, Jetmir Marku, 24 vjeç. Natën e 20 tetorit, ai i ka dalë para italianit, i shoqëruar me motrën e tij dhe e ka goditur me thikë në qafë. Më pas, mendohet se me ndihmën e shokut, i cili ka pasur rol dytësor, pasi dyshohet se ka mbajtur viktimën, Arifaj e ka qëlluar disa herë të tjera në pjesë të ndryshme të trupit tregtarin italian, duke i shkaktuar vdekjen.

Policia e gjeti të braktisur trupin e viktimës, ndërkohë që një javë më vonë, arrestoi Suela Arifajn dhe Jetmir Markun, ndërkohë që Myrteza Arifajn e shpalli në kërkim, pasi rezultonte se kishte ardhur drejt Shqipërisë. Në muajin Mars të këtij viti, Suela u la në arrest shtëpie për shkak të fëmijëve të mitur dhe dyshohet se ka pranuar vrasjen e kryer nga vëllai i saj. Në këto kushte, në mes të muajit prill, në Shqipëri ka ardhur dosja e Myrteza Arifajt, të dyshuar për vrasjen e italianit në Ankona. Pas gjetjes së vendndodhjes së tij, dje paradite, policia bëri ndërhyrjen për arrestimin e tij. Policia ka sekuestruar edhe mjetin e tij, ndërkohë që të shoqëruarit bashkë me të, janë marrë në pyetje disa orë nga oficerët e policisë së kryeqytetit.

Theri italianin për nderin e motrës, kapet në Tiranë burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›