E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahen trofetë Kult, 40 artistë në garë

Dy konkurrentët Vikena Kamenica dhe Saimir Pirgu

Akademia KULT sjell për të tetin vit radhazi Çmimet Kult, të cilat tashmë numërohen si të vetmet çmime kulturore kombëtare vjetore. Mbrëmja e nesërme do të na njohë me emrat e fituesve të këtij viti në një Mbrëmje Gala, në sallën e madhe të Universitetit të Arteve. Të ftuar specialë dhe surpriza do të jenë pjesë e mbrëmjes kushtuar artistëve që kanë spikatur gjatë vitit 2011. Në edicionin e tetë të Çmimeve KULT janë në garë 40 artistë, të cilët konkurrojnë në 10 fusha: Artisti Pamor i Vitit, Regjisori i Vitit, Aktori i Vitit, Aktorja e Vitit, Instrumentisti i Vitit, Interpretuesi Lirik i Vitit, Albumi Muzikor i Vitit, Libri Artistik, Libri Studimor, Përkthimi i Vitit. Këtë vit, kandidatët garues janë të moshave të ndryshme dhe gara është me të vërtetë e fortë. Kështu, në fushën e arteve pamore garojnë Adrian Paci, Arben Bajo, Sadik Spahija e Vilson Kilica. Për trofeun e aktorit të vitit konkurrojnë Fatos Sela, Gazmend Gjoka, Marin Orhanasi e Timo Flloko, për aktoren: Zhuljeta, Esela Pysqyli, Luiza Xhuvani si Bernarda Alba, Taulanda Jupi si Poncia dhe Yllka Mujo në rolin e Vajës në një tjetër version të Romeo dhe Zhulieta, Dashuri e hidhur. Për albumin muzikor më të mirë janë Sidrit Bejleri, Alban Skënderaj, Redon Makashi e Elvana Gjata. Si instrumentisti i vitit Admir Doçi, Ermir Abeshi, Elda Laro e Merita Rexha Tërshana. Për librin artistik të vitit Ben Blushi me romanin Shqipëria, Idlir Azizi me Gazetarja e kulturës vetëvritet, shpirti i saj në drejtim të paditur, Rudian Zekthi me vëllimin poetik Poezi Panair dhe Zija Çela me romanin Apokalipsi sipas Shën Tiranës. Partnerë dhe rivalë janë tenori Saimir Pirgu e mexosopranoja Vikena Kamenica, të cilët kanë interpretuar së bashku në operën Werter, bashkë me ta konkurrojnë dhe Eva Golemi e Armando Likaj. Në fushën e regjisë garojnë Altin Basha për Amadeus, Inis Gjoni me Salla e banjës, Milto Kutali për Riverside Drive dhe Spiro Duni për Shtrigat e Salemit.
Juria
Risia e këtij viti dhe e këtij edicioni është mënyra e re e funksionimit të jurive. Tashmë, përveç jurive profesioniste të katër fushave të mëdha, Akademia KULT ka Anëtarët e saj të Nderit. Anëtarët e Nderit të Akademisë Kult janë zgjedhur për kontributin e rëndësishëm të dhënë ndër vite në artin dhe kulturën shqiptare, si dhe mbështetje të vazhdueshme të synimit që ka Akademia Kult për krijimin e një tradite në vlerësimin e përvitshëm të prurjeve më të mira kulturore-artistike. Ata janë shefja e Departamentit të Letërsisë pranë Fakultetit Filologjik në Tiranë, Dhurata Shehri, piktori Gazmend Leka, aktori e regjisori Mevlan Shanaj e këngëtarja Rovena Dilo. Kjo juri do të funksionojë krahas jurive për çdo kategori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›