E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rona Nishliu: E kënaqur me vendin e pestë

Rona Nishliu në skenën e Festivalit Europian

Këngëtarja i gëzohet renditjes në natën finale.

Frankfurter Allgemeine Zeitung: Askush nuk e tund sallën e kristaltë si ajo.

Jam e kënaqur edhe me vendin e pestë. Ju falënderoj të gjithëve që besuat tek Suus. Rona Nishliu është shprehur mjaft e kënaqur pas finales së Festivalit Europian. Dhe nuk ka se si të mos jetë. Gjatë 9 viteve që Shqipëria ka marrë pjesë në Eurosong, ajo arrin rezultatin më të lartë. Arrin të renditet në vendin e 5-të mes 42 vendeve pjesëmarrëse në këtë edicion. Duke grumbulluar 146 pikë dhe duke lënë pas edhe rekordin që mbante Anjeza Shahini me këngën Imazhi yt, me muzikë të Edmond Zhulalit dhe tekst të Agim Doçit. Në historinë shqiptare të Eurosongut Suus, me muzikë të Florent Boshnjakut dhe tekst të vetë Rona Nishliut, mund të konsiderohet pa frikë kënga më e lakuar. Kanë qenë të shumtë kundërshtarët e saj kur u shpall fituese e edicionit të 50-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Shumë mendonin se ajo nuk ishte këngë siç e kërkonte Eurosongu, se ishte një këngë qaramane, se nuk kuptohej etj., etj. Megjithatë, duket se juria që e çoi Rona Nishliun të përfaqësonte Shqipërinë në arenën evropiane, ka qenë ca më shumë vizionare dhe ka kapur tendencat dhe trendet që pëlqehen në Europë. Dhe pas muajsh diskutime dhe netësh të ethshme të konkurrimit, rezultati është më i miri i këtyre nëntë viteve. Rona Nishliu renditet e pesta me një diferencë të ngushtë pikësh me vendin e katërt, Azerbajxhanin mikpritës. Jo më kot, për tiu përgjigjur skeptikëve, menjëherë pas përfundimit të natës finale, kompozitori dhe orkestruesi Shpëtim Saraçi, drejtor artistik i edicionit të fundit të festivalit të RTSH-së, në statusin e tij në facebook shkruante: Titulli i këngës ishte latin Su-us. Nuk është më kështu… Tani shndërrohet në shqip: Thjesht SUS…. Pra, me pak fjalë qepeni gojën!
Mbështetja

Këngëtarja Rona Nishliu para gazetarëve të huaj

Në faqen e saj në facebook, por edhe në lidhjet direkte që realizoi për mediat nga Bakuja, Nishliu është shprehur tejet e kënaqur dhe nuk ka harruar në asnjë rast të përshëndesë të gjithë ata që votuan për të. E pyetur për renditjen, ajo u shpreh se renditja nuk ka shumë rëndësi para vlerësimeve të shumta që ka marrë interpretimi dhe kënga Suus. Megjithëse në ethet e garës ajo është njohur me kritikat dhe me atë çka mediat e huaja kanë shkruar për të. Sigurisht nuk mund ti shpëtonte fakti që e kanë krahasuar me mbretëreshën e soulit, Aretha Franklin, apo zëri më i fuqishëm dhe më i bukur i festivalit. Të gjitha këto komente kanë qenë një mbështetje tejet e madhe për mua, është shprehur Nishliu. Ajo do kishte dashur që me renditjen e saj të mund ta çonte Shqipërinë direkt në natën finale vitin që vjen, por ky rregull nuk funksionon prej disa vitesh në Festivalin Europian. Për këngëtaren 26-vjeçare nga Mitrovica, gjithçka ka qenë shumë e bukur. Interpretimi i saj ka lënë menjëherë mbresë tek dëgjuesi dhe ajo tregon se gjatë ditëve të qëndrimit në Baku ishin të shumtë ata që e ndalonin në rrugë, që e përgëzonin, që donin të bënin fotografi me të apo të merrnin një autograf. Pastaj finalja dhe renditja ishin një emocion më vete, jo vetëm për të, por edhe për gjithë ekipin që e shoqëronte, që prisnin me ankth çdo pikë që i jepej nga vendet votuese. Suus arriti në vendin e pestë falë pikëve maksimale të dhëna nga fqinjët tanë Itali, Maqedoni, por dhe vendeve surprizë Zvicër e San Marino, pikë të mira morëm edhe nga Greqia e Mali i Zi. Por kësaj here, Shqipëria u vlerësua edhe nga vende, prej të cilave nuk ishte votuar më parë, si Finlanda, Danimarka, Gjermania etj. Për Nishliun nuk ka fare rëndësi nëse votimi është politik, ose jo. Ajo thotë se u ngjit në skenën e Bakusë për tu përfaqësuar në mënyrë sa më dinjitoze. Por duket se kënga nuk është pëlqyer dhe është mbështetur vetëm nga shqiptarët që ndodheshin në këto vende. Këtë e ka treguar edhe numri i klikimeve tek videoja e saj në faqen zyrtare të Eurosongut, rreth 1 milion syresh.
Komentet e mediave
Për mirë apo për keq, kënga e Rona Nishliut ka qenë më e komentuara në rrjetet sociale, mes artistësh, por edhe në median e huaj. Pas natës së parë gjysmëfinale, do të ishte Corriere Della Sera, që do ta quante Festivalin Europian si një vitrinë ballkanase dhe e quajti Rona Nishliun si surpriza nga Kosova, duke komentuar më tej mediat e tjera që e krahasonin për nga potenciali dhe energjia me Aretha Franklin dhe Chaka Kan. Ndërsa gazeta e njohur gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, e ka komentuar paraqitjen e Ronës si shumë të fuqishme, duke thënë se ajo askënd nuk e lë indiferent dhe askush nuk e tund sallën e kristaltë si ajo. Gjatë interpretimit të saj nuk kanë munguar edhe komentet e prezantuesve që, çdo herë që e dëgjonin Ronën, mbeteshin të mahnitur nga mënyra se si kjo vajzë e re arrinte të përdorte zërin e saj.

Berisha, urime në telefon pas finales
Ekipin shqiptar në Baku e përshëndeti edhe Kryeministri Sali Berisha. Zyra e shtypit pranë Këshillit të Ministrave njofton se Berisha i telefonoi menjëherë pas përfundimit të festivalit këngëtares Rona Nishliu dhe i përcolli asaj urimet më të përzemërta për suksesin e shkëlqyer, si dhe për përfaqësimin e interpretimin dinjitoz. Mësohet se Kryeministri i tha këngëtares kosovare se ishte zëri absolut i Festivalit dhe se i kishte përfaqësuar shqiptarët në mënyrën më të mrekullueshme.

Rama, urime në Twitter
Ashtu si edhe herë të tjera, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shfrytëzuar faqen e tij në Twitter, për të përcjellë urimet e tij për suksesin e Shqipërisë në Eurovision. Urime të përzemërta Rona Nishliut, Kosova ka zëra të magjishëm që e kanë pasuruar tejet edhe çdo spektakël këngësh në Shqipëri, shkruan Rama.

Thaçi: Rona Nishliu, një talent i rrallë
Mjaft entuziaste për arritjen e Rona Nishliut ka qenë Kosova pa dyshim. Kështu që, në këtë ditë gëzimi nuk mund të mungonte edhe urimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Rona Nishliu përfaqësoi në mënyrë dinjitoze vlerat e Kosovës nën flamurin kombëtar shqiptar në festivalin e këngës europiane Eurovision. Talenti i rrallë i Ronës në interpretim dhe emocionet që ajo i përcolli në skenën e Bakusë, i lanë të mahnitur teleshikuesit nga të gjitha vendet e Europës, të cilët përmes votave të tyre bënë që këngëtarja kosovare të radhitet lart në këtë garë. Rona tregoi cilësi të lartë, në një kompozim po ashtu të shkëlqyer të kompozitorit Florent Boshnjaku, duke arritur madje të vlerësohet lart nga shumë media botërore, që e krahasuan me diva të mëdha të botës së muzikës, është shprehur Thaçi, duke e konsideruar Nishliun si një frymëzim për brezin e ri.

Kolegët urojnë Ronën
Kur vjen puna për të përfaqësuar Shqipërinë, lihen mënjanë edhe xhelozitë apo konkurrenca mes artistësh. Gjatë ditëve të konkurrimit, por më së shumti pas natës finale, kanë qenë të shumtë ata që e kanë uruar Rona Nishliun për performancën në Festivalin Europian. Mes tyre edhe shumë këngëtarë të njohur të skenës shqiptare. E mrekullueshme kjo këngë, siç ishte e mrekullueshme Rona, që u rendit e 5-ta sonte! Rekord k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›