Thërrasin për të “pranuar diçka”

Partia për Rimëkëmbje Serbe ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që të pranojë pjesën jostatutore të Planit të Ahtisaarit si bazë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Këshilli i ashtuquajtur për Kosovën të kësaj partie ka deklaruar se serbët në jug të Ibrit nuk dëshirojnë të bëhen viktima të një stuhie të re.
“Ne që jetojmë në jug të Ibrit, në komunat serbe dhe enklava jemi dy herë më shumë serbë se në katër komunat në Veri dhe se në këtë pjesë të Kosovës është e gjithë pasuria shpirtërore serbe”, pohohet në komunikatën e këtij këshilli.
Ndërkohë, nga mediat në Serbi është kërkuar që të mos ua fshehin qytetarëve përmbajtjen e Planit të Ahtisarit.
“Kërkojmë ndryshim të politikës së barrikadave dhe referendumit, e cila na kthen në vitet tragjike - të nëntëdhjeta. Nuk dëshirojmë të bëhemi viktima të stuhisë së re”, thuhet më tej në komunikatë.