E Diel, 1 Nëntor 2026

Thesare arkeologjike nga Shqipëria

18/03/2011  Arkeologjia, monumentet, peizazhi dhe historia e Shqipërisë janë ato që përbëjnë “Thesarin Arkeologjik të Shqipërisë”.

I cilësuar nga vetë autori “një album me fotografi”, në fakt “Archaeologjical Treasure from Albania” me autor prof. dr. Neritan Cekën, është më tepër se kaq.

I prezantuar dje në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, botimi vjen me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Për ministrin e TKRS-së, Ferdinand Xhaferaj, nëse shfletohet, ky botim dyvëllimësh është në të vërtet një mozaik “i gjallë” përmes skenave të të cilit shpaloset arkeologjia, monumentet, peizazhi dhe historia, e thënë në mënyrë më të përmbledhur, trashëgimia kulturore e Shqipërisë.

“Edhe pse është shumë e vështirë që përmes fotografive të jepet qartë vlera e vërtetë e pasurisë sonë arkeologjike, mënyra e konceptimit, ideimit dhe shpjegimit të paraqitur në të dy vëllimet të orienton natyrshëm në një udhëtim të gjatë me fillesë në Shkodër (Scodra - kryeqendra e mbretërisë ilire të ardianëve, kështjella më e fortë e labeatëve), “stacionet” e të cilit përmes përshkrimit historik (nga shekulli VI p.Kr. deri në shek. VI mbas Kr.), hartografik (sipas rajoneve ku ndodhen), fotografik - dëshmi monumentale, fortifikime, amfiteatër, teatrot antik, bazilikat dhe pagëzimoret kristiane, mbishkrime, monedha, skulptura, qeramikë, relieve, fragmente mozaikësh, punime ari të cilësisë së lartë, etj., shfaqin natyrshëm vlera të papërsëritshme dhe herë-herë unikale, thesare të vërteta të asaj çfarë në realitet është trashëgimia kulturore e Shqipërisë dhe potencialin e mrekullueshëm të turizmit kulturor që ajo ofron”, vërejti Xhaferaj.

Sigurisht që përshkrimi ndalet më në detaje për qendrat elitare të antikitetit tonë, të tillë si: Dyrrhachium, Apollonia, Berati (Partha), Byllis, Buthrotum dhe qendrat përreth, Antigonea etj., për të cilat dëshmitë arkeologjike të ardhura deri më sot dhe në disa raste rindërtimet hipotetike të disa prej monumenteve, të kthejnë prapa në kohë dhe të imponojnë kureshtje dhe vëmendje më të madhe në drejtim edhe të detajeve për të depërtuar më shumë në atë çka në realitet ka qenë historia antike e Shqipërisë. Nëpërmjet fotografive të vona, por edhe atyre të hershme në kohë që datojnë në fillimet e gërmimeve arkeologjike, ndiqet kronologjia historike që nuk lë pas edhe disa nga monumentet mesjetare, por të vendosur pranë atyre antike, si në rastin e Beratit, Elbasanit, Himarës, etj., qendra në të cilat trashëgimia e së kaluarës bashkëjeton me të tashmen.

Sipas ministrit Xhaferaj, botimi në fjalë “është nga ato “rrugëtimet” e pakta nëpër thesaret e trashëgimisë sonë kulturore që do të mbeten thellë në kujtesën kolektive dhe do të jetë edhe një pasaportë me të cilën potenciali ynë kulturor dhe turistik konkurron bindshëm dhe ecën përkrah vendeve elitare evropiane”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›