E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet për ushtarakët, letër Imamit për sorollatjet në gjetjen e dokumenteve

18/03/2011   Aplikuesit po përballen me zvarritje të procesit

Dokumentet shtesë që u kërkohen përfituesve të nxirren nga dosjet e pensioneve në ISSH si dhe nga dosjet e kuadrit që janë në Ministri dhe Komandat e Forcave përkatëse

Procesi i lidhjes së pensioneve për të gjithë ish-ushtarakët që kanë dorëzuar dosjet pranë organeve të sigurimit shoqëror, kërkon të paktën 20 vjet që të përfundojë, në rast se nuk do të përshpejtohet procedura e verifikimit të dosjeve. Që nga nisja e procesit, rreth katër muaj më parë, e deri më tani janë lidhur pensionet vetëm për 400 aplikues, teksa në total duhet të përfitojnë më shumë se 22 mijë ushtarakë. Kundrejt kësaj situate shqetësuese, kryesia e Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve, pasi ka zhvilluar mbledhjen e strukturave drejtuese, kanë kërkuar nëpërmjet një shkrese zyrtare të dërguar ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, që të ndërhyjë në zgjidhjen e këtij ngërçi. Sipas kreut të shoqatës, Mehdi Pogaçi, ky institucion, i cili përmban dhe numrin më të lartë të ushtarakëve që do tu llogaritet pensioni, e ka zvarritur edhe më shumë këtë proces duke mos dorëzuar në kohë të dhënat për dosjet pranë sigurimeve. Kjo pasi aplikuesit po përballen me një zvarritje të procesit, veçanërisht me mbledhjen e dokumentacioneve që u kërkohet.

Avaritë me dokumentet

Në letrën dërguar Imamit, argumentohet se po zvarritet më shumë ky proces, pasi udhëzimi i muajit shkurt 2011 jo vetëm nuk ka përshpejtuar zbatimin e ligjit, siç pretendohet, po ka shtuar sorollatjet e ushtarakëve për të gjetur dokumente të tjera, veç atyre që përcakton Udhëzimi i Sigurimeve Shoqërore. Sipas Pogaçes, këto dokumente nga praktika e deri tanishme nuk kanë për tu gjetur kurrë, sepse repartet dhe njësitë përkatëse nuk ekzistojnë më, si dhe arkivat dhe komandat ekzistuese nuk i disponojnë ato të plota. “Nga takimet që kemi marrë me personat përgjegjës të Drejtorisë të Përkujdesit në Ministrinë e Mbrojtjes, rezulton se edhe me dosjet që nuk kërkohen dokumente shtesë po punohet fare ngadalë, për të mos thënë aspak. Sipas kësaj ecurie, do të nevojiten mbi njëzet vjet për zbatimin praktik të këtij ligji. Ndërkaq, siç jemi informuar nga Drejtoria e Suplementit pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, apo institucione të tjera, si në Ministrinë e Brendshme, SHIK etj., ecuria në zbatimin e këtij ligji është në përfundim”, theksohet në letrën dërguar Imamit.

Kërkesat e shoqatës

Kundrejt kësaj situate problematike, ata i kanë kërkuar ministrit që të ndërhyjë në zgjidhjen e kësaj situate, që po mban pezull me mijëra ish-ushtarakë. Pogaçi shton se i është kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes, duke qenë se ka numrin më të madh të përfituesve, që të ngrejë edhe një tjetër grup pune për plotësimin e të dhënave që duhet të depozitohen pranë sigurimeve shoqërore. Ndaj këshilli drejtues i shoqatës, pas diskutimeve të zhvilluara me anë të letrës, i ka kërkuar ministrit që të angazhojë institucionin e tij në zbatimin e shpejtë të ligjit. Gjithashtu kërkohet që të shmangen edhe sorollatjet e lodhshme dhe jofrytdhënëse, dokumentet shtesë që u kërkohen përfituesve nga ky ligj. Këto dokumente, sipas shoqatës, duhet të nxirren nga dosjet e pensioneve në ISSH dhe nga dosjet e kuadrit që janë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Komandat e Forcave përkatëse në bashkëpunim të tyre me njëra-tjetrën. “Ju bëj me dije se këshilli i përgjithshëm i shoqatës vendosi, në rast të mosmarrjes së masave efikase për zbatimin e ligjeve, do të ftojë të gjithë ushtarakët të fillojnë protestat para Ministrisë së Mbrojtjes e më gjerë. Për sa më sipër shpresojmë në mirëkuptimin tuaj dhe në realizimin sa më shpejt të kërkesave tona, në interes të ushtarakëve”, përfundon letra.

Kryesia e shoqatës i ka kërkuar ministrit Imami:

1. Angazhimin maksimal për shpejtimin e procesit të punës për zbatimin e Ligjit Nr. 10142 dt. 15/05/2009, i ndryshuar dhe të aktit normativ.

2. Për të shmangur sorollatjet e lodhshme dhe jofrytdhënëse, dokumentet shtesë që u kërkohen përfituesve nga ky ligj të nxirren nga dosjet e pensioneve në ISSH dhe nga dosjet e kuadrit që janë në MM dhe Komandat e Forcave përkatëse në bashkëpunim të tyre me njëra-tjetrën.

3. Të zgjerohet grupi i punës i përpunimit të dosjeve të ushtarakëve, për zbatimin e ligjit, duke marrë specialistë nga repartet ushtarake të Tiranës si dhe ushtarakë në lirim në rezervë dhe në pension apo veteranë, të cilët kanë qenë specialistë në këtë fushë.

Zgjidhja e ngërçit për plotësimin e dokumenteve

Udhëzimi i muajit shkurt jo vetëm që nuk ka përshpejtuar zbatimin e ligjit, siç pretendohet në të, po ka shtuar sorollatjet e ushtarakeve për të gjetur dokumente të tjera veç atyre që përcakton udhëzimi i sigurimeve shoqërore. Këto dokumente, nga praktika e deritanishme nuk kanë për tu gjetur kurrë, sepse repartet dhe njësitë përkatëse nuk ekzistojnë më, si dhe arkivat dhe komandat ekzistuese nuk i disponojnë ato të plota. Nga takimet që kemi marrë me personat përgjegjës të Drejtorisë të Përkujdesit në Ministrinë e Mbrojtjes, rezulton se edhe me dosjet që nuk kërkohen dokumente shtesë po punohet fare ngadalë, për të mos thënë aspak. Për të shmangur sorollatjet e lodhshme dhe jofrytdhënëse, dokumentet shtesë që u kërkohen përfituesve nga ky ligj të nxirren nga dosjet e pensioneve në ISSH dhe nga dosjet e kuadrit që janë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Komandat e Forcave përkatëse në bashkëpunim të tyre me njëra-tjetrën.

Shembulli i llogaritjes sipas aktit normativ

Llogaritja është e thjeshtë për çdo përfitues. Në zbatim të aktit normativ nr. 5 datë 10.11.2010, vjetërsia e shërbimit shumëzohet me 1.5 % dhe ajo që del shumëzohet me pagën neto mesatare referuese. Kjo shumë nuk mund të jetë më e vogël se një pension bazë. Lidhur me pyetjen se kur përfundon ky proces, ekspertët e ISSH-së konfirmojnë se gjithçka mbyllet me ardhjen e dokumenteve për secilin përfitues. Megjithatë, të tjerë mund ti shtohen kësaj liste, për arsye se mund tu lindë një e drejtë bazuar në ligj. Ndaj procesi do të jetë në vazhdimësi.

Lidhja e pensionit

Në kërkesat dërguar ministrive sigurimet shoqërore kanë kërkuar prej tyre plotësimin e dy formularëve: një për vërtetimin e vjetërsisë së shërbimit dhe të pagës mesatare referuese dhe një për pagën referuese në muajin e lindjes të së drejtës për përfitim. Plotësimi dhe dorëzimi i këtyre të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe SHISH-i i hap udhë të menjëhershme procesit të llogaritjes së ndarjes së parave. Vetëm pas marrjes së formularëve të plotësuar sigurimet mund të bëjnë llogaritjen e masave të pensionit që do të jepet për secilën kategori.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›