E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thesaret e "Epit të Gilgameshit"

Përpos veprave të shumta studimore e letrare, atij i kemi borxh një në veçanti: përkthimin dhe përshtatjen në shqip të veprës më të vjetër të letërsisë, të njohur deri më sot, "Epin e Gilgameshit". Anton Nikë Berisha, studiues i letërsisë e poet, shembullin më të vjetër të regjistrimit të mendimit njerëzor, modelin e traditës gojore e ka përshtatur në shqip, nga gjuha gjermane 25 vite të shkuara. Për herë të parë, i plotësuar me shënime, ai u botua në Prishtinë, në vitin 1984 nga shtëpia botuese "Rilindja". Më pas, në vitin 1990, vjen botimi i dytë në Tiranë nga shtëpia botuese "Naim Frashëri". "Argeta LMG" e risjell në vitin 2008, për herë të tretë me një botim të rishikuar. Anton Nikë Berisha ka realizuar ndërhyrjet përfundimtare në "Epin e Gilgameshit". Studiuesi, së bashku me botuesin, Mehmet Gëzhilli, kanë vendosur ta paraqesin botimin e rishikuar në Korçë me rastin e "Netëve korçare të poezisë" që do të mbahet duke nisur nga dita e sotme deri më 15 qershor, pikërisht në Korçë, ku do të marrin pjesë të ftuar nga Kosova, Maqedonia, Greqia, Italia, Bullgaria e Rumania. Përballë të ftuarve, por edhe dashamirësve të poezisë, Berisha do të përcjellë emocionet e përkthimit të kësaj vepre, përshtatjen në shqip, kalimin nga proza që e gjeti në gjuhën gjermane, në vargun 11 rrokësh në gjuhën shqipe. Të gjitha këto, por edhe studimet letrare, kryesisht ato kushtuar letërsisë arbëreshe, Anton Nikë Berisha ka zgjedhur t‘i rrëfejë për gazetën "Shqip".

Z.Berisha, përgjithësisht u jeni shmangur daljeve në publik, por kësaj here keni pranuar të jeni pjesë në një veprimtari kushtuar poezisë. Keni lënë për pak Universitetin e Kalabrisë, ku jepni mësim letërsi shqipe, për të ardhur në Shqipëri. Cili është qëllimi i vizitës suaj?

Nëna Terezë thoshte: "Nëse punën time e vëren Zoti, më mjafton ajo". Mua, nëse një punë më zgjon kënaqësi, atëherë kjo më bën të ndihem mirë. Por jam këtu sepse është menduar që të bëhet një paraqitje gjatë aktivitetit të quajtur "Netët korçare të poezisë", dhe "Epit të Gilgameshit", botimit të tretë dhe të rishikuar, i cili vjen i plotësuar me të dhëna të reja. Pjesëmarrësit që do të jenë aty, do të kenë mundësi t‘i vërejnë drejtpërdrejt të rejat.

Si ndodhi që vendosët të merreshit me përkthimin e "Epit të Gilgameshit"?

"Epin e Gilgameshit" unë e kam përkthyer nga gjuha gjermane. Duke u marrë me studime të epikës gojore, me "Këngët e Kreshnikëve", kisha nisur të hulumtoja epet e vjetra. Jam ndeshur me epet e vjetra, të cilat më interesonin t‘i lidhja me këngët kreshnike dhe me traditën epike të Europës Juglindore e më gjerë. Kështu rashë në gjurmë të "Epit të Gilgameshit". Më interesoi të shihja mos kishte përkime me "Këngët e Kreshnikëve", ndaj edhe e studiova.

Kështu u ndesha në këtë vepër 4 mijë vjet të vjetër. Lexova dhe pashë që është një thesar i madh, sidomos në rrafshin poetik, por edhe me kumtet poetike e mesazhin që ka ky libër. Kjo më nxiti dhe më shtyu që t‘i hyj përkthimit. Por çështja më e vështirë ishte se vargu origjinal nuk dihej se cili ka qenë, sepse kemi të bëjmë me një traditë shumë të vjetër, së cilës mezi ia kanë dalë t‘ia deshifrojnë shenjat. "Epi i Gilgameshit" ka qenë i shkruar me shkrimin kuneiform, që është një traditë e cila nuk lidhet me traditat europiane. Por më në fund, duke pasur parasysh një traditë të shkëlqyer të përkthimeve në gjuhën shqipe me vargun 11 rrokësh, u përcaktova dhe vendosa ta përktheja në këtë mënyrë.

A ishte e vështirë përshtatja në gjuhën shqipe për ju?

Po, në fakt vështirësia qëndronte më shumë në faktin se më duhej edhe të krijoja. Në gjermanisht, ky ep është i shkruar në prozë, ndërsa unë duhet ta krijoja vargun, e kjo kërkonte dije nga njëra anë dhe përkushtim nga ana tjetër. Duhej të nxirrja një varg të mirë. E gjithë kjo ka bërë që unë të sjell pesë versione të përkthimit të "Epit të Gilgameshit", por ky i fundit është një version që vendosa më në fund ta botoj.

A ju ka marrë shumë kohë përkthimi?

Të them të drejtën, më shumë kohë më ka marrë studimi, se sa vetë përkthimi. "Epi i Gilgameshit" nuk është një libër shumë voluminoz. Si sasi ai numëron rreth 2600 vargje. Është më i vogël se sa "Kënga e Rolandit", shumë herë më i vogël se "Iliada" apo "Odisea"... Por vështirësia nuk qëndronte këtu. Vështirësia qëndronte në faktin se më duhej që ta përshtatja edhe me kodin shqiptar dhe të bëheshin të tilla ndryshime e përshtatje nuk ishte fort e kollajtë. Në botimin e Prishtinës, të vitit ‘84, dhe në ribotimin e Tiranës në ‘90, ka qenë një krahasim i përshtatur nga unë: "Ti ngjajë si djali babës", në një kohë që në gjermanisht ishte "Ti ngjajë si baba djalit". Në kulturën tonë kjo nuk njihet e pranohet, ndaj bëra zgjedhjen e parë. Tashmë, në botimin e ri ky krahasim vjen siç ishte në gjermanisht, sepse këtu krahasimi nuk ka të bëjë në kuptimin që babai t‘i ngjajë djalit në pamjen e jashtme, por që babai duhet t‘i përshtatet djalit në kuptimin e thellësisë shpirtërore e traditës. Në këtë kuptim është më e lehtë që babai t‘i përshtatet botës së djalit, sesa djali botës së babës. Te botimi i "Argetës" ky krahasim ka dalë si duhet. Pastaj ka edhe të tjera ndryshime në varg për shembull. Unë kam shmangur "ë"-në pa zë, sepse "ë"-ja pa zë, në gjuhën standarde, ka ngatërruar shumë për punë të vargut. Tek "Epi i Gilgameshit" u detyrova t‘i heq disa "ë" pa zë, në mënyrë që të ruaja vargun, etj.

Përse konsiderohet kjo vepër e rëndësishme?

Konsiderohet e rëndësishme, sepse në këtë vepër shqyrtohen të gjitha dukuritë e qenësishme të jetës së njeriut. Është e vështirë të gjesh një tjetër libër që në mënyrë kaq sintetizuese e të përmbledhur ka prekur çështjet më qenësore të ekzistencës së njeriut. Unë e kam quajtur "vepër të jetës dhe të tmerrit të vdekjes". "Epi i Gilgameshit" është një vepër që dëshmon se njeriu pa veprim është një hiç. Veprimi i tij është barazi me pavdekësinë.

"Epi i Gilgameshit" është një pjesë e rëndësishme e punës suaj, por jo e vetmja. Prej kohësh jeni marrë edhe me studime. I keni kushtuar botës arbëreshe edhe romane. Çfarë ju ka nxitur drejt tyre?

Unë kam një vëllim që titullohet "Interpretim i letërsisë së arbëreshëve të Italisë", që është botuar në Kozencë, dhe në parathënie kam thënë se letërsia e arbëreshëve të Italisë përbën pjesën më cilësore të letërsisë shqipe të traditës. Ajo ishte shkruar në gjuhën shqipe, në gjuhën arbërishte, por është e keqja se ne nuk jemi marrë mirëfilli me të. Letërsia e arbëreshëve të Italisë është botuar si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë, por me gjymtime e shëmtime të skajshme. Ne, letërsinë e arbëreshëve të Italisë e kemi botuar dhe e njohim, por e njohim shumë sipërfaqësisht. De Rada, Santori, Zef Skiroi, janë emra shumë të mëdhenj. Kur promovuam para pak kohe në universitet "Antologjinë e letërsisë së arbëreshëve të Kalabrisë", thashë: "Sikur popujt e tjerë t‘i kishin pasur autorët, shkrimtarë kaq të mëdhenj, do të ishin ndjerë shumë të lumtur dhe do të kishin punuar krejt ndryshe për ta". Ne i marrim si të vegjël. De Rada për shembull është një nga më të mëdhenjtë, por ne e njohim pak, sepse njohim pak punën e tij.

Sipas mendimit tuaj, përse nuk u është dhënë rëndësia e duhur këtyre autorëve?

Jo vetëm këtyre autorëve, por ne ende mendojmë se punët mund t‘i bëjmë edhe pjesërisht, jo në mënyrë të thellë e serioze. Të gjithë ata që e njohin "Skënderbeu i pafanë" i De Radës (një kryevepër), kanë menduar se ajo është një vepër fragmentare që s‘ka peshë. Është e kundërta. Ishin fragmentare mendjet e njerëzve që ishin marrë me të, por jo vepra e tij. Ajo ishte një vepër që i kishte marrë këtij autori rreth 40 vjet jetë. Faji për këtë nuk ishte i De Radës, por i atyre që e lexonin dhe e interpretonin. Kam "gjakuar" të them se De Rada duhet të lexohet ndryshe, dhe të vlerësohet ndryshe, natyrisht.

Ju prej thuajse 16 vitesh jetoni mes arbëreshëve të Italisë. Çfarë ndodh në kohët tona me letërsinë e tyre?

Pas vitit 1923, me disa krijime të Zef Skiroit (plakut), u mendua se letërsia arbëreshe kishte vdekur. Por nuk ishte ashtu. Ishte e vërtetë se që nga ky vit e deri më 1945-ën nuk kemi më botime, por kjo ka të bëjë me zhvillimet e përgjithshme. Në këtë periudhë, në Itali ka një zhvendosje të shumë gjërave jetësore dhe si të tjerat, edhe letërsia ngec. Por sigurisht që pas kësaj dolën edhe poetë të tjerë që janë vazhdues të kësaj letërsie dhe e pasurojnë atë. Më vonë, natyrisht ka edhe zbritje. Krijuesit arbëreshë janë në gjendje shumë të veçantë, për të mos thënë të keqe, për arsye se nga një anë nuk kanë mundësi t‘i botojnë veprat, e në anën tjetër, që është edhe më e rëndësishme se e para, nuk ka kush t‘i lexojë. Një letërsi që krijohet dhe nuk lexohet, është një letërsi e vdekur. Megjithatë ata jetojnë edhe sot në një mjedis ku kultura zhvillohet, pavarësisht mënyrës se si. Me botime si antologjia e të tjera, siç është duke u përgatitur për botim vepra e plotë e De Radës me 12 vëllime në gjuhën arbërishte, mundohemi ta ruajmë.

Duket sikur ka pak komunikim mes shqiptarëve dhe arbëreshëve, apo jo?

Arsyet për këtë janë të shumta në të vërtetë. E para është moskomunikimi kulturor, që është dashur të jetë më intensiv. Shqipëria e Kosova nuk kanë bërë ndonjë punë të madhe në këtë drejtim, arbëreshët edhe më pak, ndaj në këtë rrjedhë s‘mund të kemi tjetër gjendje. Natyrisht që nuk mund të mohohet se ka pasur dhe përpjekje më parë, siç ka dhe sot, por gjithnjë me hapat e breshkës.

Cili është mendimi juaj për letërsinë shqipe sot?

Në rrafshin e studimit, të them të drejtën, si edhe me shumë punë të tjera, jemi keq. Ne nuk jemi një kulturë që merremi seriozisht me punë. Kemi pasur pak njerëz që janë marrë seriozisht me punë. Nëse doni, mund të përmend ndonjë emër, por nuk është kjo e rëndësishme. Ata janë pak. Jemi mësuar dhe na pëlqen të merremi me punë të vogla, të merremi formalisht me to. Shkruajmë diçka dhe mendojmë se mbaroi bota. Studimi i letërsisë është një punë që kërkon dije të madhe, kërkon këmbëngulje, durim... Ne me një të lexuar ulemi e shkruajmë dhe themi vepra është e mirë ose është e keqe. Një lexim nuk mjafton të bësh një studim. Nëse nuk bën lexim të mirëfilltë, nuk ka interpretim të mirëfilltë.

Me çfarë jeni duke u marrë aktualisht?

Shumë më kalojnë nëpër mendje...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›