MSA-ja, buxheti humb 27 milionë USD
Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian, detyroi palët të ulnin taksat doganore, në kuadër të liberalizimit të tregjeve. Që nga muaji qershor 2006, kur u firmos MSA-ja, qeveria shqiptare e ka ulur çdo vit taksën doganore, duke shkaktuar humbje të të ardhurave në buxhet. Nga historiku i statistikave shihet se diferenca e të ardhurave mes viteve 2006-2009, ka ardhur me minus 27 milionë dollarë të ardhura në buxhet. Shifrat janë për 4-mujoret e para, pasi në total, efekti financiar në buxhet është edhe më i madh. Kështu, në janar-prill 2009 u mblodhën nga taksat doganore rreth 17 milionë dollarë, kurse për të njëjtën periudhë të vitit 2006, arkëtimet ishin gati 44 milionë dollarë. Gradualisht, çdo vit nuk do të ketë më efekt në buxhet, pasi taksat doganore do të jenë zero, sikurse e parashikon marrëveshja. Në 2006, niveli mesatar i taksave doganore ishte 6.03 për qind, kurse në vitin 2009, ka zbritur në 1.6 për qind.