Thibault Cauvin sjell magjinë e tingujve të kitarës në Tiranë
Sezoni koncertor ndërkombëtar Klasik nis me koncertin e kitaristit të njohur botërorSezoni koncertor ndërkombëtar Klasik rinis edicionin e tij të dhjetë me një koncert, i cili do të sjellë sot në skenën e Akademisë së Arteve një prej emrave më të njohur të muzikës botërore. Artisti Thibault Cauvin sjell magjinë e tingujve të kitarës në Tiranë. Në koncertin solo ai do të luaj sonte për kënaqësinë e publikut pjesë të mrekullueshme nga repertori i tij dhe artistëve të tjerë, përfshirë këtu 2 sonata nga Domenico Scarlatti, Night and Day i Roland Dyens, Take
the A train i Stayborn etj. Thibault Cauvin është padyshim një nga kitaristët më të talentuar të momentit. Me kitarën në dorë ai përshkon botën mbarë dhe merr pjesë në teatrot dhe festivalet më të mirënjohura dhe prestigjioze botërore. Cauvin 24 vjeçar numëron në repertorin e tij 600 koncerte në të gjithë kontinentet. Ai është i mirënjohur nga kritika artistike dhe një nga personazhet më të shpeshtë të emisioneve televizive. Ky kitarist shumë i talentuar dhe i ri në moshë, është i vetmi i cili ka fituar 13 çmime ndërkombëtare dhe që shquhet për ndërthurje perfekte të muzikës moderne dhe asaj klasike. Disku i tij i katërt, i cili sapo ka dalë në shtëpitë e njohura diskografike në Amerikë GSP San Francisko, përfshin muzikë moderne të ndërthurur me rryma të ndryshme muzikore, duke i dhënë kështu një dimension të ri kitarës. E ndërkohë që sezoni Klasik edhe më parë ka sjellë në Tiranë emra të njohur artistësh, të cilët kanë zhvilluar koncerte nga më të ndryshmet, duke sjellë para publikut vepra nga autorë të njohur botërorë. Kështu para disa kohësh ishte kuarteti i harqeve Archimede, i cili hapi stinën konceptore të vjeshtës, në sallën e Akademisë së Arteve. Kuarteti i përbërë nga Enzo Ligresti e Corrado Genovese në violinë, Gaetano Adorno në violë dhe violonçelisti Benedetto Munzione interpretuan për publikun një repertor të zgjedhur të muzikës së dhomës. Me instrumentet e tyre, kuarteti solli nota dhe tinguj të kompozitorëve të njohur në tre shekuj, duke filluar me Haydn deri tek Shostakoviç. Sezoni i koncerteve Klasik është një vazhdimësi e sezonit Allegreto Albania. Ky sezon vjen në Shqipëri i menaxhuar nga Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe disa ambasadave të shteteve të ndryshme në vendin tonë. Ndërkohë, një ndër synimet kryesore të organizatorëve të sezonit Klasik është dhe zgjerimi i hartës së artistëve pjesëmarrës. Stina koncertore e Klasik në vijim do të ofrojë për publikun e kryeqytetit si dhe të qendrave të mirënjohura të kulturës shqiptare, si Shkodra, Korça, Elbasani, Durrësi e Fieri një larmi jo vetëm të artistëve pjesëmarrës që do të vijnë nga Italia, Gjermania, Franca, Zvicra, Kroacia, Shqipëria e Holanda, por edhe të repertorëve që do të ekzekutohet për publikun shqiptar. Disa nga autorët më të mëdhenj klasike Mozart, Schubert, Grieg, Haydn, Shostakovich, Cassado, Hirschler, Kunc, Bashkim Shehu (kompozitor kroat me origjinë kosovare), do të vijnë të interpretuara nga muzikantë europianë, përmes dy shoqatave kulturore shqiptare, Syri Blu dhe Miqtë e Muzikës, që drejtojnë sezonin koncertor Klasik.
Vodafone Albania mbështet sezonin koncertor ndërkombëtar KlasikMe mbështetjen e vazhdueshme të kompanisë celulare Vodafone Albania, nën kujdesin e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Aleancës Franceze, Ambasadës Franceze dhe Akademisë së Arteve, Klasik sjellë për të gjithë artdashësit këtë koncert me kitarë solo nga kitaristi francez më i lakuar i momentit, Thibault Cauvin. Vodafone Albania vijon të mbështesë gjithnjë e më shumë artin dhe muzikën shqiptare,duke sjellë pranë publikut artdashës emrat më të mirënjohur dhe të talentuar të momentit.Nga Julia Vrapi