E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Bujqësisë: Fondi për kafshët e përmbytura, mbi 35 milionë lekë

Specialistët e Ministrisë së Bujqësisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes Konsumatorit, Qarku Shkodër kanë bërë vlerësimin e numrit të krerëve të gjedhit, derrave, pulave dhe kafshëve të tjera të kërcënuara nga rreziku i mungesës së ushqimit, infeksioneve të mundshme dhe aksidenteve të tjera që mund të ndodhin si pasojë e qëndrimit nën ujë. Sipas specialistëve janë llogaritur nevojat ushqimore për koncentrate dhe sanë

për një periudhë 15 ditore dhe janë hartuar grafikët e furnizimit javor dhe ditor, të cilat i janë dorëzuar Shtabit të Emergjencës në Prefekturën e Shkodrës. Gjatë kësaj kohe ka vazhduar shpërndarja e bazës ushqimore (koncentrat, bar, jonxhë, sanë) në komunat Guri i Zi, Dajç, Ana e Malit dhe Velipojë, Bërdicë, Bushat, Bashkia Shkodër dhe tufat e bagëtive të imta të shtegtuara nga Qarku Kukës. Për mbarëvajtjen e shëndetit të kafshëve në zonat e përmbytura janë organizuar shërbimet veterinare 24 orëshe për monitorimin, njoftimin dhe marrjen e masave në lidhje me infeksionet e mundshme. Nga informacionet e marra nga shërbimi veterinar, DRBUMK, Qarku Shkodër rezultojnë të dëmtuara 19 gjedhë, 169 të imta, 9 derra, 4695 shpendë, 2 kuaj dhe 226 koshere bletë. Për të ruajtur nga infeksionet kafshët në këtë zonë është hartuar programi i nevojave për medikamente veterinare dhe biopreparate profilatike veterinare. Fondi i nevojshëm për veterinarinë është 35.434 milionë lekë. Specialistët bënë të ditur se situata ndiqet çdo ditë duke marrë informacion të vazhdueshëm dhe njëkohësisht bashkëpunohet me qarqet e tjera për sigurimin e bazës ushqimore dhe medikamente veterinare. Drejtoria e Shëndetit të Kafshëve dhe Mbrojtjes së Bimëve ka qenë pjesë e grupeve të punës të urdhëruara nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli për dhënien e ndihmës dhe asistencës teknike në qarkun e Shkodrës. Specialistët e MBUMK kanë punuar së bashku me specialistet e Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes Konsumatorit, Qarku, Shkodër. Kryesisht ndihma dhe asistenca ka qenë në vlerësimin e situatës për gjendjen shëndetësore dhe nevojat për ushqim të kafshëve në zonat e përmbytura në tre komunat e këtij qarku. Grupet janë përbërë nga Drejtori i Shëndetit të Kafshëve dhe Mbrojtjes së Bimëve, Shefi i Sektorit të Shëndetit të Kafshëve dhe specialistë të kësaj drejtorie.

Last Updated on E Enjte, 28 Janar 2010 23:11

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›