E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja rrëzon kërkesën e familjarëve të viktimave të Gërdecit

Familjarët donin të shfuqizonin vendimin e Gjykatës së Lartë për të qenë pjesë e procesit

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pa nisur shqyrtimin kërkesën e familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Kësisoj pas 26 të vrarëve nga shpërthimi i Gërdecit, familjarët kanë humbur të drejtën për të ndjekur procesin ndaj personave të akuzuar nga prokuroria. Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos kalojë çështjen në seancë penale, menjëherë sapo 17 familjarë të viktimave iu drejtuan për t’u ankuar mbi vendimin e Gjykatës së Lartë, që i veçonte ata nga procesi duke i dërguar në një proces më vete, civil. Në vendimin e Kolegjit, Gjykata Kushtetuese shprehet se ndodhet përpara një vendimi të ndërmjetëm që nuk ka të bëjë me një gjykim përfundimtar dhe në këto kushte kur gjykata nuk ka nisur hetimin gjyqësor pretendimet e kërkuesve nuk gjejnë pasqyrim në aktet e kësaj çështjeje. Avokatja e familjareve të tragjedisë Blerta Kraja pohoi se pas këtij vendimi familjarët do t’i drejtohen gjykatës së Strasburgut, pasi gjykatat shqiptare kanë precedentë të mëparshme ku pala e dëmtuar ka të drejtë ta ndjekë procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve.
Padia
Vetëm pak muaj më parë familjarët e tragjedisë paditën ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, Mihal Delijorgjin, AlbaDemil dhe kompaninë MEICO duke kërkuar 20 milionë lekë dëmshpërblim për çdo jetë të humbur në Gërdec. Mirëpo padia e tyre nuk u bashkëngjit me këtë proces duke përfunduar në Gjykatën Civile të Tiranës. Në Gjykatën penale të Tiranës ndodhën në akuzë edhe 29 të pandehur të tjerë, me një seance që shpresohet të zhvillohet gjatë kësaj javë, ndërkohë që Gjykata e Lartë ka për të gjykuar për këtë çështje ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Padisë për dëmshpërblim bashkë me familjarët i është bashkangjitur edhe padia e shtetit që do të përfaqësohet nëpërmjet Avokatit të Shtetit. Përfaqësuesit e shtetit kanë përllogaritur dëmet financiare që shkaktoi kjo tragjedi dhe fondet që u morën nga buxheti i shtetit për t’iu kaluar të dëmtuarve.
Dosja
Nga 29 të pandehur të cilët prokuroria i ka ulur në bankën e të akuzuarve si përgjegjës për shpërthimin e fabrikës së demontimin “AlbaDemil”, vetëm 4 janë të arrestuar. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore MEICO, Ylli Pinari, administratori i kompanisë “AlbaDemil”, Mihal Delijorgji dhe ish-drejtorin teknik të fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish punonjësi i MEICO-s Sokol Gjeçi. Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu; ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; ish-zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Sokol Gjeçi, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi.

Në pranga dy persona për mallra kontrabandë, operacioni quhej “Black market 2”

Tiranë - Në vazhdim të operacionit policor të koduar “Black market 2”, i realizuar nga forcat e policisë së Tiranës, u kapën në flagrancë dy persona të dyshuar për konsumim të veprës penale të “Tregtimit dhe transportimit të mallrave që janë kontrabandë”.
Burimet policore bëjnë me dijeni se ata janë 34-vjeçari Astrit Sadikaj dhe Bilbil Braha, po 34-vjeç, që të dy lindur në Kukës dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye sepse në afërsi të Postës Qendrore janë kapur në flagrancë duke tregtuar mallra kontrabandë, në mjetin tip “Bens” me targë të huaja. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 228 copë telefona celular të markave të ndryshme dhe 65 karikues për telefona të ndryshëm. U kryen veprimet procedurale, materialet në prokurori në e Tiranës, për veprën penale të “Tregtimit të mallrave kontrabandë”, parashikuar nga neni 178 i Kodit Penal. Sa më sipër, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë bën me dijeni se do të vazhdojë me intensitet punën në drejtim, të parandalimit dhe goditjes në kohë të këtij fenomeni dhe nuk do të lejojë në asnjë moment, tregtimin në mënyrë të kundërligjshme pa licencë për ushtrimin e këtij aktiviteti.

Zjarri në Mashkullorë, vatra vetëm 100 m larg depozitave të Armo-s

Gjirokastër – Një vatër zjarri e madhe është krijuar dje në fshatin Mashkullorë të rrethit të Gjirokastrës, duke krijuar një panik të madh tek banorët e kësaj zone. Kjo më tepër edhe për faktin, pasi siç bëhet e ditur për gazetën “Albania” nga burime policore, vetëm 100 metra larg kësaj vatre zjarri gjenden depozitat e naftës së Armo-s, të cilat nëse preken nga zjarri mund të përbëjnë një katastrofë të vërtetë ekologjike. Por për fat të mirë, deri tani forcat policore konfirmojnë se zjarri po mbahet nën kontroll edhe pse kjo gjë ka qenë tepër e vështirë në kushtet kur aty po fryn një erë e madhe e cila favorizon qarkullimin e flakëve. Pa harruar as temperaturat e larta, të cilat janë të favorshme për vazhdimin e zjarrit. Burimet nga vendngjarja tregojnë se aty tashmë kanë mbërritur dy zjarrfikëse si edhe trupa të tjera të emergjencës, të cilat kanë mundur ta vënë zjarrin nën kontroll, pa lejuar përhapjen e tij deri te depozitat e naftës.

Dyndje emigrantësh në pikat kufitare, vetëm në Kakavijë 4500 persona

Kakavijë - Afrimi i sezonit të pushimeve ka nisur të shfaqet me një fluks të madh hyrjesh të emigrantëve të vendin tonë, në portet apo edhe pikat kufitare kryesore të vendit. Sipas të dhënave policore, vetëm në pikën kufitare Kakavijë, gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë 4500 persona dhe 1200 automjete. Autoritetet e kësaj pike bëjnë me dijeni se situata është më se e qetë dhe emigrantët po munden të hyjnë sipas rregullave, pa krijuar probleme në territorin shqiptar. Bëhet e ditur se aktualisht pala shqiptare po punon me 7 sportele në këtë pikë për të siguruar proces sa më të shpejtë, ndërsa pala greke punon me 3 sportele. Por duket se nuk rezulton e njëjta situatë në portin e Durrësit, ku mbërritja e emigrantëve ka krijuar një kaos të madh dhe bllokim të procesit të futjes së tyre në Shqipëri.

Aksidenti rrugor, makina përplas motoçikletën, policia ndalon drejtuesin

Fushë Krujë – Një aksident rrugor me pasojë plagosjen ka ndodhur paraditen e djeshme në aksin Fushë-Krujë-Tiranë. Sipas të dhënave policore për, aksidenti ka ndodhur në fshatin Larushk në Fushë Krujë. Ai është shkaktuar si pasojë e përplasjes së një makine me një motoçikletë dhe si pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i kësaj të fundit, me emrin Rexhet Rryka. Bëhet e ditur se ai është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, pasi rezulton në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia ndërkaq, ka ndaluar drejtuesin e automjetit, ndërsa po punon për zbardhjen e mëtejshme të shkaqeve të aksidentit.

21 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›