E Diel, 1 Nëntor 2026

“Taçi OIL”, 15 milionë euro për 60-80% të aksioneve të Bolonjës



TIRANË - Pas konfirmimeve se Rezart Taçi, president i firmës “Taçi Oil International”, është në listën e blerësve potencialë të aksioneve të klubit italian të futbollit “Bologna Calcio”, tashmë është zbuluar edhe shifra. Sipas gazetës italiane “Il Resto del Carlino”, pjesë e “Il Sole 24 ore”, “operacioni, me anë të të cilit biznesmeni shqiptar i naftës do të zotërojë 60-80% të klubit të Serisë A, është rreth 15 milionë euro. Familja Menarini, pronare e kuqebluve, po zhvillon prej kohësh negociata me njeriun që ka lidhje të forta në futbollin italian (për t’u theksuar miqësia me presidentin e Milanit, Silvio Berluskoni dhe administratorin Galiani): shqiptari shihet si një investitor që do të nxjerrë skuadrën nga kriza financiare". Rezart Taçi mbështetet edhe nga tifozeria e Bolonjës, që shpreson në rilindjen e klubit. Problemet ekonomike nuk janë të panjohura te Bolonja, që vetëm në javën e fundit të kampionatit të kaluar, arriti të siguronte mbijetesën në elitën e futbollit italian. Në fakt, klubi ka falimentuar në vitin 1993, vetëm pak javë pasi skuadra ra për herë të tretë në harkun e 11 vjetëve në Serinë C1 (Kategorinë e Tretë në Itali). Megjithatë, marrëveshja me Taçin ende nuk është arritur. Gazeta italiane “Il Resto del Carlino” shprehej skeptike rreth publikimit të mjaft detajeve nga bisedimet dypalëshe: “Historia e ndryshimit të pronësisë së klubeve na mëson se me sukses mbyllen vetëm ato negociata, për të cilat në fillim është shumë e vështirë të mësosh detaje. Referencat e Rezart Taçit janë të shkëlqyera, por askush, madje as një person, i cili zotëron një zinxhir karburantesh që mbulon të gjithë vendin e tij, madje edhe e rafinon naftën, nuk bën dot blerje me symbyllur. Nëse shitësi dhe blerësi potencial nuk kanë punuar në sekret të plotë, firma në kontratë është e mundur, por nuk mund të shihet si punë e përfunduar”, shkruhej sot në gazetën italiane. Tek Bolonja është afruar edhe Luciano Moxhi, i akuzuari kryesor në skandalin “Calciopoli”. Tifozët janë shprehur kundër tij, pronarët kuqeblu kane mohuar çdo kontakt, por ish-drejtuesi i Juventusit shihet si rivali i vetëm i biznesmenit shqiptar. “Vendimi i takon vetëm presidentes së Bolonjës, Françeska Menarini, e cili duhet të zgjedhë ndërmjet sponsorit të Gramozit, debutues në Superiore, Rezart Taçit dhe Luçiano Moxhit, ish-drejtuesit të Juventusit. E para nënkupton shitjen e pjesës më të madhe të aksioneve, ndërsa alternativa tjetër, qëndrimin si drejtuese e vetme, e ndihmuar nga fondet e financuesve të siguruar nga Moxhi, i cili do të ketë edhe rolin e këshilltarit të pronarëve”, përfundon shkrimin e saj “Il Resto del Carlino”.

21 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›