E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Financave: Bashkia të miratojë buxhetin 2010 për të shlyer investimet publike

Ministria e Financave siguron se qeveritë vendore trashëgojnë grantin e viteve të shkuara Ministria e Financave, ka përgënjeshtruar lajmin e bërë nga Bashkia e Tiranës, se kjo ministri ka keqpërdoruar fondet e bashkive vendore. Ministria e Financave ka lëshuar një deklaratë për shtyp, me anë të së cilës e ka quajtur propagandistik njoftimin e një dite më parë të bashkisë së Tiranës për përdorimin e buxheteve nga njësitë e qeverisjes vendore. Buxheti i vitit 2010 është vënë në dispozicion të gjithë përfituesve nga fondet e autorizuara prej tij që

në dt 1.01.2010 dhe pagesat për to bëhen pa asnjë lloj kufizimi nga Thesari i cili disponon mjetet monetare në masë të plotë të shumave të programuara në ligjin e buxhetit 2010, thuhej në deklaratën e Ministrisë së Financave. Ndër të tjera në deklaratë thuhej se pushteti vendor mund të trashëgojë të gjitha grantet e papërdorura gjatë vitit që sapo lamë pas, duke hedhur poshtë akuzat e ngritura nga Bashkia e Tiranës se fondet e kësaj ministrie po keq menaxhohen. Të gjitha fondet e papërdorura gjatë vitit 2009, përfshi dhe grantet konkurruese për njësitë e qeverisjes vendore, janë të trashëgueshme në masën 100 për qind për vitin 2010 dhe se ato mund të përdoren vetëm nga njësitë e qeverisjes vendore, vijonte më tej deklarata. Gjithashtu Ministria e Financave theksonte se Bashkia e Tiranës dhe njësitë e qeverisjes vendore që ende nuk kanë miratuar buxhetin e vitit 2010, deri në miratimin e tij, do të shërbehen në degët e thesarit në përputhje me ligjin, pra do të autorizohen të kryejnë çdo muaj shpenzime deri në 1/12 e shpenzimeve faktike të buxhetit vendor në vitin buxhetor paraardhës. Bashkia Tiranë dhe çdo njësi e qeverisjes vendore mund të paraqesin në çdo moment dokumentacionin përkatës pranë degëve të thesarit për kryerjen e shpenzime të papaguara gjatë vitit 2009, në përputhje me pikën 3 si më sipër. Dega e Thesarit në Tiranë dhe në të gjithë vendin nuk kanë penguar, përkundrazi kanë bashkëpunuar dhe ndihmuar përfaqësuesit e qeverisjeve vendore me asistencë për mënyrën e zbatimit korrekt të ligjit. Ftojmë bashkinë e Tiranës që të lerë mënjanë retorikën politike dhe të hartojë dhe miratojë në kohë buxhetin e saj për vitin 2010, deklaroi më tej Ministria e Financave. Molla e sherrit ndërmjet Ministrisë së Financave dhe bashkisë së Tiranës, ka qenë ligji për frenimin e rritjes së taksave nga ana e vendorëve, e cila u kundërshtua me forcë nga njësitë vendore. Qeveria shqiptare gjatë vitit që sapo mbyllëm ka katërfishuar grantet për qeveritë vendore, në mënyrë që këto të fundit të mos abuzonin me rritjen e taksave për bizneset. Pasi sipas kësaj ministrie nga qeveritë vendore u shfaqen tendenca për të rritur taksën e gjelbërimit dhe taksën e pastrimit edhe gjatë vitit 2008. Por kjo mesa duket ka sjellë pakënaqësitë ndërmjet institucioneve, ku vendorët ankohen se ju është boshatisur buxheti dhe këtë kanë kërkuar që ta rikuperojnë nga xhepat e bizneseve të vegjël. Taksa e gjelbërimit dhe e pastrimit është katërfishuar gjatë këtyre viteve të fundit, ku shpesh herë kanë sjellë dhe reagimin e vetë qytetarëve. Gjithashtu Ministria e Financave, ka bërë të ditur se një pjesë e parave të buxhetit të vitit 2010 do të shkojnë për të paguar interesat e borxhit që janë marrë nga qeveritë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në total shpenzimet për interesat e borxhit do të jenë në vitin e ardhshëm 43.5 miliardë lekë nga 36.7 miliardë që ishin për këtë vit me një rritje prej 18.5 për qind. Krahasuar me dy vjet më parë interesat e borxhit që paguan qeveria janë rritur me rreth 75 për qind. Ministria e Financave pranon në relacionin e projektbuxhetit se kjo rritje e interesave vjen për shkak të rritjes së interesave të bonove të thesarit, por edhe marrjes së kredive tregtare me interesa historik deri në rendin e 13 për qindëve, sidomos gjatë dy viteve të fundit.Taulant Halili

Last Updated on E Marte, 12 Janar 2010 22:30

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›