Bashkia e Tiranës: Ministria të likuidojë kompanitë private
Bashkia e Tiranës i ka bërë thirrje thesarit të shtetit si dhe ministrisë së Financave të kryejnë detyrimet e përcaktuara nga ligji dhe të paguajnë sipas praktikave të paraqitura nga ajo të gjitha kompanitë private që kanë ofruar shërbime për kryeqytetin gjatë vitit 2009. Kjo deklaratë erdhi menjëherë pas reagimeve të bëra nga ministria e Financave ku sipas saj dega e Thesarit në Tiranë dhe në të gjithë vendin nuk kanë penguar, përkundrazi kanë bashkëpunuar
dhe ndihmuar përfaqësuesit e qeverisjeve vendore me asistencë për mënyrën e zbatimit korrekt të ligjit. Bashkia Tiranë dhe çdo njësi e qeverisjes vendore mund të paraqesin në çdo moment dokumentacionin përkatës pranë degëve të thesarit për kryerjen e shpenzime të pa paguara gjatë vitit 2009. Ministria e Financave doli me një deklaratë të gënjeshtërt për shtyp, ku jo vetëm nuk i jep asnjë përgjigje Bashkisë së Tiranës për shqetësimin e ngritur dje, lidhur me mosshlyerjen e detyrimeve të 24 firmave private që kanë kryer shërbime pastrimi, rikonstruksion çerdhesh dhe kopshtesh, rikonstruksion rrugësh dhe hapësirash publike në Tiranë gjatë vitit 2009, por gënjen duke iu referuar ligjeve dhe neneve pa lidhje me këtë çështje, u shpreh zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Joana Bushi. Ndër të tjera ajo shtoi se Këtu kam të gjitha praktikat e dorëzuara në afatet e përcaktuara nga Ministri i Financave, me datë 17 dhe 18 dhjetor 2009, ku Bashkia e Tiranës kërkon shlyerjen e detyrimeve nga Thesari i Shtetit, kundrejt firmave që kanë ofruar shërbimet e lartpërmendura. Punonjësi i Thesarit të Shtetit i ka pranuar ato, për ti mbajtur në sirtar tre javë dhe për ti kthyer mbrapsht në 8 janar, pa asnjë justifikim zyrtar, thjesht të pafirmosura, të pavulosura, të pakonfirmuara, d.m.th të bllokuara, vijoi më tej Bushi. Sipas saj, Thesari i Shtetit i ka kthyer mbrapsht praktikat e Bashkisë së Tiranës më datë 8 janar dhe po ti referohemi deklaratës së Ministrisë të Financave, e cila thotë se buxheti është hapur që datën 1 janar, të gjithë lehtë mund të kuptojmë se sa gënjeshtra përmban kjo deklaratë e Ministrisë së Financave. I bëjmë thirrje Ministrisë së Financave dhe Thesarit të Shtetit, të kryejnë detyrimet e tyre të përcaktuara qartësisht nga ligji dhe të paguajnë sipas praktikave të paraqitura nga Bashkia e Tiranës, të gjitha kompanitë private që kanë ofruar shërbime për kryeqytetin gjatë vitit 2009, pasi nuk është problem i qindra punonjësve të këtyre kompanive, arka e boshatisur e shtetit Fatkeqësisht konstatojmë se i vetmi mjet që i ka mbetur kësaj qeverie për tu justifikuar para opinionit publik është gënjeshtra, por i kujtojmë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra thotë populli, përfundoi Bushi.
Last Updated on E Marte, 12 Janar 2010 22:34