E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrje për “largimin e Gaddafit”

Pas një lufte gjashtë mujore, kryengritësit libianë kanë raportuar se kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të Tripolit. Rebelët depërtuan në Sheshin e Gjelbër, të cilin thanë se do ta riemërojnë “Sheshi i Dëshmorëve”, pas përballjes me një kundërshtim të dobët nga forcat qeveritare. Ajo e cila nisi si lëvizje e protestave popullore gjashtë muaj më parë, tani duket të jetë në prag të fundit, përkatësisht rrëzimit të Muammar Gaddafit pas 42 vitesh në pushtet.

Turmat euforike në mbarë Libinë, festuan fitoren gjatë gjithë natës. Në deklaratën e tij nga rezidenca në Londër, kryeministri britanik, Dejvid Kameron, tha se shumica e Tripolit kontrollohet nga forcat e lira të Libisë. Ai i bëri thirrje Gaddafit të japë dorëheqje.

“Nuk kemi konfirmim për vendndodhjen e Gaddafit, por të paktën dy djemtë e tij janë kapur. Regjimi i tij është duke u copëtuar. Gaddafi duhet t`i ndalojë luftimet pa kushte dhe të tregojë qartë se ka hequr dorë nga çdo pretendim për të kontrolluar Libinë”, tha Kameron.

Më herët, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se beteja ka arritur një “pikë kthese” dhe se Libia po rrëshqet nga “kthetrat e tiranit”.

Në Itali, ministri i Jashtëm, Franko Fratini, tha se “koha e Gaddafit ka përfunduar” dhe se ai duhet t`i dorëzohet vetë Gjykatës Ndërkombëtare për Krime.

Polonia, që mban presidencën e aktuale të Bashkimit Evropian, tha se e mirëpret fundin e sundimit të Gaddafit.

Edhe NATO-ja, e cila ka mbështetur kryengritësit me fushatën e bombardimeve, tha se sundimi i Gaddafit “është shkatërruar”. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka bërë thirrje për tranzicion paqësor.

Duke folur para gazetarëve në Londër, i ngarkuari me punë në ambasadën e Libisë, Mahmud Nakua, pohoi se kryengritësit kontrollojnë 95 % të Tripolit dhe të mbarë vendit.

Vendndodhja e Gaddafit mbetet e panjohur. Përmes një audio-mesazhi në televizionin shtetëror, Gadafi u zotua të dielën se do të qëndrojë deri në fund, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve të tij të vijnë në Tripoli për ta “shpëtuar qytetin”.

Gjykata Ndërkombëtare për Krime, tha se ka marrë konfirmimin për arrestimin e djalit të Gadafit, Saif al-Islam. Bashkë me babanë e tij, ai akuzohet nga drejtësia Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit. Al Xhazira raporton se djalin tjetër të Gaddafit, Muhamedin, rebelët e mbajnë nën arrest shtëpiak.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›