Thirrjet antishqiptare në Himarë, protestë kundër Agimit të Artë në Fier
Fier- Thirrjet antishqiptare të përfaqësuesve të partisë neonaziste greke Agimit të Artë në Himarë dy ditë më parë kanë bërë që dhjetra persona të protestojnë ditën e sotme në qytetin e Fierit kundër tyre.
Siç duket edhe në këtë fotografi protestuesit kishin veshur dy qen me flamurin grek dhe i mbanin të lidhur me zinxhirë.
Gjithçka në shenjë proteste ndaj Agimit të Artë, i cili u zotua se do ta merrte Himarën.
Ndërkohë raportohet se policia e Fierit ka shoqëruar në komisariat 10 persona, sepse sipas saj nuk ishte marrë leje për tubimin.
Në Himarë dy ditë më parë u zhvillua përkujtimorja e vdekjes së të riut himariot Aristotel Guma, që humbi në jetën në një aksident automobilistik më 12 gusht të vitit 2010.
Por qarqet ekstremiste greke, përfaqësues të Agimit të Artë, partisë neonaziste greke, kanë reaguar dhunshëm ndaj gazetarëve shqiptarë, duke mos lejuar xhirimet, madje duke tentuar edhe thyrjen e kamerave të pranishme në këtë përkujtimore.
Forcat ekstremiste greke kanë kryer akte antishqiptare në kishë dhe në varreza, në përpjekje për ta kthyer Aristotel Gumën në një martir që ka rënë sipas tyre për të mbrojtur interesat e Greqisë në Himarë.
Eksponentët e partisë neonaziste greke kanë kërkuar të kryejnë një rit brenda kishës në Himarë-Fshat, por prifti është larguar nga kisha. Një grup të rinjsh të veshur me bluzat e zeza të Agimit të Artë, ndërsa familjarët e të ndjerit Guma kryenin ritet, shpalosën flamurin e Vorio-Epirit dhe Agimit të Arte dhe lexuan një deklaratë antishqiptare dhe antikushtetuese.
Madje përfaqësuesit e saj kanë kërcënuar edhe me luftë, ku Kristoforos Tsankas, u shpreh se nuk do të largohen nga Himara deri në çlirimin e saj.
Po them dy fjale ne emer ne komandantit tone, Nikos Mihaliakos, te kryesise dhe ne veçanti të të ngarkuarit per çeshtjet e helenizmit, Kristo Papa, i cili nuk mund te ndodhet ketu, pasi regjimi i jashteligjshem i Tiranes e ka shpallur ate ‘non grata’ per shkak te aktivitetit te tij patriotik. Por mendja e tij ndodhet ketu me ne. Poeti yne kombetar, Dhionisis Solomos ka shkruar: ‘Mos valle kam gje tjeter ne mendjen time vec lirise dhe gjuhes?’ Pikerisht kete kishte ne mendje edhe Aristotel Guma. Liri dhe gjuhe, ndaj dhe ra si hero. Vdekja e tij tragjike tregoi se me te vertete ai u tregua grek dhe vrasesit e tij tiranë. Eshte fati i grave te Himares te lindin heronj. Dhe eshte fati i kesaj toke qe te mbaje ne gjirin e saj trima. Si njerez na vjen keq per vdekjen e tij. Si greke ne mbajme ne zemrat tona kujtimin e tij, sepse vdekja e tij tregoi madheshtine e burrit. Kriminelet qe i hoqen jeten, nuk mund t’i perdhosin emrin, i cili do te mbetet i perjetshem. Ai humbi jeten per te fituar perjetesine. Zonja dhe zoterinj, Agimi i Artë nuk vjen ne Himare per te ikur. Bejme nderime mbi varrin e tij dhe premtojm se do te vazhdoje luften, deri ne momentin e çlirimit. Rrofte Kombi!”-tha Tsankas, raporton TCH.
Mbrëmjen e datës 12 gusht 2010 35-vjeçari Aristotel Guma gjeti vdekjen. Motoçikleta që drejtohej nga 35-vjeçari Aristotel Guma është goditur nga një Audi-A3 ngjyrë gri, që më vonë u mësua se drejtohej nga Ilir Muka nga Vlora. Nga përplasja, fillimisht motoçikleta ka goditur një shtyllë dhe më pas, është përplasur dhjetëra metra zvarrë në rrugë.
Vdekja e Gumës pasoi një konflikt mes viktimës dhe një grupi të rinjsh shqiptarë nga Vlora, duke ngjallur reagimin e ashpër të banorëve greqishtfolës së Himarës, të cilët bllokuan për 13 orë aksin nacional Vlorë-Sarandë, me pretendimin se ky është një krim i qëllimshëm.