E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 të vdekur si pasojë e uraganeve në Misisipi

Të paktën 10 persona gjetën vdekjen dhe shumë të tjerë u lënduan, si pasojë e disa uraganeve dhe stuhive, të cilat goditën shtetin e Missisipit në SHBA.

Në 17 qarqe, të goditura ashpër nga këto uragane të pranverës që kanë shkatërruar dhjetëra banesa dhe ndërtesa, është vendosur gjendja e jashtëzakonshme, njoftoi guvernatori i Misisipit, Haley Barbour.

Skuadrat e shpëtimit, të cilat po kërkojnë nën rrënojat e banesave që në disa raste janë shndërruar në pluhur, parashikojnë që bilanci i të vdekurve do të rritet.

Garda kombëtare u dërgua si përforcim, si dhe ekipe të Kryqit të Kuq amerikan. Katër të plagosur pritet të evakuohen me helikopter në qytetin Jackson dhe 17 të tjerë me ambulanca në rrugë shpesh të bllokuara nga pemët e shkulura dhe shtyllat elektrike të rrëzuara.

Sipas meteorologëve, uragani që goditi qytetin Yazoo kishte erëra, të cilat arritën një shpejtësi prej 241 kilometra në orë.

Qendra Kombëtare për parashikime meteorologjike, NWSSPC parashikoi zhvillime të disa uraganeve të fuqishëm, që do të zhvendosen drejt luginës së Tenesit dhe në verilindje të SHBA-ve, uragane këto të cilat parashihet se do të shoqërohen me stuhi të forta.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›