E Shtunë, 31 Tetor 2026

This is a Simpati of Doktori

15-04-2013 / Nga Edison Ypi

Jo vetëm e keqja. Edhe e mira vjen ndonjëherë nga një drejtim, në ndonjë mënyrë, dhe në një moment që s’ta merr mendja.
Ata janë komuniteti më i çuditshëm në Shqipërinë e sotme.
Në Tiranë më së shumti, por edhe në të gjithë qytetet e tjera dhe në fshatra, janë prezentë gjithandej. Kudo ku jetohet, kudo ku punohet, kudo ku hahet e pihet, kudo ku konsumohet. Në të gjitha lagjet, në të gjitha rrugët, në gjitha skutat. Me të njëjtin rigorozitet matematik; në orën e caktuar, në vendin e caktuar, ata duken e zhduken nëpër rrugë e rrugica e cepa me veglat e nevojshme. Gjithçka në heshtje të plotë, pa bërë asnjë zarar, pa shqetësuar aspak askënd.
Ata dhe puna e tyre, apo shërbimi i tyre, nuk ka absolutisht asgjë të përbashkët me bizneset konvencionale private apo shtetërore, me administratë, nëpunësa, orar të fillimit dhe mbarimit të punës, penalitete, gjoba, kërcënime, gjyqe, e të tjera e të tjera. Ata nuk kanë administratë, drejtor apo pronar, frikë nga njëri apo tjetri se po i pushon nga puna, servilizëm për rritje page, frikë nga ulje rroge etj. Për Sindikatë s’bëhet fjalë. Vjedhja, korrupsioni, shantazhi, frika, për ta janë krejtësisht të panjohura. Secili prej tyre, drejtor, pronar, nëpunës, shef, polic, ministër, deputet, është vet’.
Ata janë të zotët e vetes. Për ta nuk kujdeset askush. Ndërhyrja, apo përkujdesja e shtetit, për shembull, është jo vetëm inekzistente, por e paimagjinueshme, e panevojshme, e tepërt, diçka që nuk ndihmon por pengon, diçka që nuk qetëson por bezdis. Shoqëria Civile, me OJQ-rat, simpoziumet, uorkshopet. Media, s’ka asnjë lidhje dhe asnjë dijeni për ekzistencën e tyre. Sistemi i Drejtësisë, nuk u duhet atyre, dhe ata atij sistemi nuk i interesojnë. Me Forcat e rendit njihen, por nuk trazohen. Madje-madje as shëndetësia nuk u duhet. Kur sëmuren më të rrallë, pijnë një aspirinë dhe ja kërrcasin gjumit. Për dëshpërime, ankthe e depresione as që bëhet fjalë. Vdesin para se t’i kapi depresioni apo sëmundjet e zemrës. E vetmja sëmundje zemre që i prek është "Maraku".
Cilët janë këta ?
Këta janë ajka, krema, balli i kazanit, avangarda e Kapitalizmit shqiptar. Ata janë lajmëtarët e parë të vërtetë, dallandyshet e para të kapitalizmit të mirë, Kapitalizmit human, atij të thjeshtit, të vetvetishmit, atij që, si trupi i njeriut, mekanizmat rregullues, stabilizues, shërues për një funksionim sa më të mirë i ka brenda vetes.
Bota e tyre është një botë ku askush nuk qahet, askush nuk ankohet, askush nuk kërkon. Ata të gjithë punojnë, fitojnë, jetojnë, shumëzohen, pinë raki, këndojnë, rrisin kalamajtë. Ata mbijetojnë në një lloj marrëdhënie që funksionon sipas një algoritmi të tillë që nuk mundëson ekzistencën e individëve që vetëm japin ose vetëm marrin, por vetëm nga ata që i bëjnë të dyja.
Thuaj cilët janë se më plase.
Ta them o ta them, por kam frikë se nuk më beson, se ta kanë tharë trurin gazetat dhe televizionet.
Janë mbledhësit e mbeturinave.
Si funksionon?
Po marr shembullin e një pallati banimi.
Shumë më herët se tu dalë gjumi dembelhanave, aty nga ora 6 e mëngjesit, pastruesja e pallatit, që edhe ajo është pjesë e këtij komuniteti, ka nisur nga puna për grumbullimin e mbeturinave kapitalistike të banorëve të atij pallati. Janë aq shumë ato mbeturina, dhe aq të bukura me ato ambalazhe ngjyra-ngjyra, sa me ato mbeturina të më pak se 20 familjeve, në kohën e kurvit mund të ushqehej një lagje e tërë gjatë një muaji. Pastruesja  grumbullon mbeturinat e të gjitha kateve në një kapicë të madhe në një qoshe të oborrit. Ndërkohë që pastruesja ka mbaruar punë me kapicën dhe po merret me punë të tjera, j’a ka behur njëri nga komuniteti i grumbulluesve të heshtur e kokëulur me një karrocë karakteristike nga ato që në Tiranë janë disa qindra. Karroca metalike është rreth 1.5 X 1.5 metra dhe nja 60 centimetra e thellë. Në vartësi të gjendjes ekonomike dhe preferencës së grumbulluesit, karroca mund të jetë me ose pa motorr. Pa motorr kjo karrocë kushton nja 500 mijë lekë të vjetra. Me motorr, që zakonisht është motorr i adoptuar i ndonjë motoçiklete japoneze 100 kubikëshe, kushton aty te 1 milionë e gjysmë. Grumbulluesi u hedh një sy të shpejtë dhe i fut të gjitha mbeturinat në karrocë pa asnjë seleksionim. E tillë është marrëveshja me pastruesen. Ta marri të gjithë kapicën, ose të mos e preki. Prej aty vete drejt e te kazanat e Bashkisë ku nis puna e vërtetë e heroit tonë. I cili nuk ngjan aspak me homologët e tij në Romë, Londër, Milano, Paris, që janë përgjithësisht me ngjyrë, të pisët, të rreckosur, të shkuar në moshë, dhe merren me filozofira. I yni është krejt ndryshe. Rrallë me ngjyrë. Është punëtor. Nuk merret me filozofime. Vesh uniformë firmato prej doku të fortë nga GABI. Është rreth të dyzetave. Trupin e ka me muskuj si levrek. Ka ardhur nga Kuksi, Skrapari, Puka, Shkodra etj. Aty heroi ynë nxjerr nga gjiri një instrument që është një shufër çeliku nja 70 centimetra e gjatë. Në njërin skaj ka dorezë. Në skajin tjetër është e kthyer dhe me majë. Me këtë grremç, grumbulluesi çan qeset ose ambalazhet e forta për t’i parë çfarë kanë brenda. Sendet që i interesojnë, si ato që i sheh me sy dhe ato që i zbulon me grremç, i merr me duart me doreza, i fut në një thes të madh. Të tjerat që nuk i interesojnë, gazeta apo revista për shembull, i le në kazan.
Pasi ka kryer seleksionimin dhe është larguar nga kazanët ky grumbullues, pas tij, me përpikmëri kronometrike vijnë 1 ose 2 grumbullues të tjerë. Këta janë, si të thuash, të një rangu më të ulët, pa karrocë, vetëm me nga një thes në kurriz. Këta grumbullues të dorës së dytë, po aq të shëndetshëm, të veshur e të mbathur si tjetri që sapo iku, në ata kazanë, si perfeksionista të vërtetë, bëjnë një seleksionim definitiv, mbledhin çfarë nuk ka kapur syri i të parit. Por kujdes! Në këta kazanë nuk mund të vijnë të tjerë veç tyre. I gjithë komuniteti e di se këta kazanë ata i kanë të prenotuar. Për ndryshe plas sherri. Që sherre të tillë, në fakt, nuk plasin kurrë, sepse të gjithë e zbatojnë atë rregull të pashkruar.
Pasi grumbulluesi i parë, ai me karrocë me ose pa motorr, ka mbledhur mbeturinat e vlefshme dhe i ka ngarkuar në karrocë, niset në shtëpi. Në shtëpi, me ndihmën e kalamajve dhe gruas, bën seleksionimin përfundimtar; Hekur, Alumin, Bakër, Bronz, Plumb, Qelq, Plastikë, Kanoçe. Pasi e mbaron mirë e mirë këtë seleksionim të fundit, grumbulluesi niset në qendrën e riciklimit. Atje, pas një numërimi dhe peshimi që zgjat pak minuta, merr zakonisht nja 20 Euro. Në ndonjë ditë fatlume edhe më tepër. Që i bie, për nja tre orë punë, aq sa merr një emigrant vjelës portokajsh, ullinjsh, domatesh apo patatesh, në Itali ose Greqi.
Kokulur, në heshtje të plotë, pa absolutisht asnjë pretendim, asnjë ankesë, sherr, qarje apo qurravitje, ky komunitet i vetëmjaftueshëm që funksionon me përpikmëri kohore dhe hapësinore mahnitëse, kryen një volum pune njerëzore, qytetare, sigurisht edhe patriotike, për person, më të madhe se të gjitha komunitetet e tjera.
Inshallah ky shkrim s’i bie në dorë ndonjërit prej masonëve të heshtur të mbeturinave. Se po e pa, do nisi të ulërasi sa do tundi dheun e do çajë qiellin: Na përdhosi Tempullin. Duhet vrarë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›