Thithja e trurit
Një nga programet me emër anglez të iniciuara nga qeveria shqiptare, është ai që quhet "Brain Gain". Ky term është një antitezë rimuese e termit "brain drain" (përkthimi fjalë për fjalë: rrjedhje e trurit), që përdoret për fenomenin e largimit nga vendet në zhvillim të njerëzve të shkolluar, ose të moskthimit në atdhe të atyre që shkollohen në vendet e zhvilluara. Pra, programi i qeverisë shqiptare, i mbështetur edhe nga PNUD-i, synon thithjen e "trurit", i cili në 18 vjetët e fundit ka rrjedhur si një lumë i madh jashtë Shqipërisë.
Në planin afatmesëm të programit "Brain Gain", parashikohen bursa për të gjithë ata studentë që do të fitojnë të drejtën e studimit në një nga dhjetë universitetet më të kuotuara të botës. Kushti që këta studentë ta marrin bursën është kthimi në atdhe pas mbarimit të studimeve. Gjithashtu, një tjetër lajm i mirë në kuadër të programit "Brain Gain" vjen për ata që duan të punësohen në administratën shtetërore, pasi qeveria ka çelur fonde për funksionimin e një faqeje në internet që do të shërbejë si një "supermarket" i vendeve të punës për të gjithë ata që synojnë të kthehen në atdhe. Në të publikohen të gjitha pozicionet e reja që hapen në institucionet shtetërore.
Deri këtu, bukur fort! Por ç‘ndodh në realitet me një njeri që ka kryer studimet në një universitet perëndimor me emër dhe që synon të fillojë punë në një nga pozicionet e ofruara nga administrata shtetërore? Pengesa e parë e madhe, madje shumë e madhe, është certifikimi i diplomës në Ministrinë e Arsimit në Tiranë. Dhe ky proces mund të zgjasë edhe më shumë se dy vjet. Po, e lexuat saktë - më shumë se dy vjet! Nga e di unë këtë gjë? E kam provuar në kurrizin tim...
Pas 16 vjetësh studimi e pune shkencore në SHBA, në janarin e 2008-ës vendosa që një pjesë të 24 orëve të ditës t‘ia dedikoj punës për një institucion shqiptar në Tiranë, ndërkohë që do të vazhdoja punën në distancë për institutin amerikan në të cilin kam punuar 10 vjetët e fundit. Kur fillova punë në institutin amerikan, shefi im nuk më kërkoi as diplomën, as listën e notave, dhe as kopjen e disertacionit. Ai thjesht u fut në faqen e internetit të universitetit ku jam doktoruar, gjeti atje të gjithë informacionin që i nevojitej, i telefonoi udhëheqësit të disertacionit tim për t‘i marrë një opinion rreth meje dhe në përfundim më ofroi vendin e punës.
Ndërsa kur erdha në Tiranë, punët ishin ndryshe. "Të duhet të certifikosh doktoraturën në Ministrinë e Arsimit, përndryshe nuk ta njeh njeri këtu", më tha ime motër. Me përvojë në këtë proces (sepse e bija kishte kaluar më parë nëpër të), ajo më dha listën e dokumenteve që duheshin për plotësimin e dosjes së aplikimit për certifikim. Përgatitja e dosjes nga unë zgjati vetëm një javë. Pas dorëzimit të saj, hamendësova, punët duhet të ecnin shpejt. Hamendje e gabuar! Kanë kaluar 20 muaj që atëherë dhe dosja ka ngecur në vend.
Fillimisht shqyrtimi i dosjes u vonua për hir të një faksi. "I kemi dërguar një faks departamentit ku ke mbaruar studimet, por akoma nuk na janë përgjigjur", më tha një nëpunës i Ministrisë së Arsimit, kur u interesova për fatin e aplikimit tim.
Fill pas komunikimit me nëpunësin e Ministrisë së Arsimit, kontaktova sekretaren e departamentit ku jam doktoruar, e cila më tha se nuk kishte marrë ndonjë faks nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë. Sidoqoftë, ajo u tregua e gatshme të dërgonte një letër zyrtare me faks, nëpërmjet së cilës të vërtetonte atë gjë që tashmë e kishin vërtetuar letra e pranimit në programin e doktoraturës, diploma, lista e notave, si dhe disertacioni (të cilat flinin në dosjen që kisha dorëzuar në ministri). "Kemi provuar ta dërgojmë letrën me faks 20 herë, por numri i faksit të ministrisë na del gjithnjë i zënë, në çdo orë të ditës e të natës", më shkroi pas ca ditësh ajo. "Dërgojeni me postë, s‘kemi ç‘bëjmë", iu përgjigja, duke shpresuar se një ditë letra do të mbërrinte në ministri...
Dhe a do të mbaronte kalvari i certifikimit me mbërritjen e letrës? Padyshim që jo. Sepse pastaj do të pritej radha që dosja të analizohej nga një komision, i cili do të vendoste në se doktoratura e mbrojtur nga unë në SHBA është e vlefshme për në Shqipëri. Dhe sa mund të zgjasë radha për t‘u futur dosja në komision? Një vit ka kaluar që prej marrjes së asaj letrës prej departamentit ku jam doktoruar, "por ka raste që radha mund të zgjasë edhe dy vjet", më tha dikush që i di mirë sesi shkojnë punët në atë komision...
Kjo historia ime me certifikimin e doktoraturës është pak e veçantë për faktin se mua më ka rastisur të kem komoditetin e vazhdimit të punës në distancë për institutin amerikan ku kam punuar 10 vjetët e fundit. Pra, zvarritja e certifikimit nuk më lë pa bukë. Por shumë të tjerë mund të mos e kenë këtë komoditet. Të tërhequr nga programi "Brain Gain", ose thjesht nga malli për mëmëdhenë, ata mund të jenë kthyer, por të sfilitur nga procesi burokratik i certifikimit të diplomave dhe në pamundësi për të punuar në distancë, ata mund të kthehen në vendet nga kanë ardhur. Dhe atje nuk kanë nevojë të certifikojnë diplomat, ndërkohë që vendet e punës i gjejnë shumë më lehtë dhe paguhen shumë më mirë se në Shqipëri.
Me pak fjalë, edhe atë pak "tru" që thithim, shpejt e shpejt e rrjedhim...