E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mukaj: Kjo Tiranë, më e fortë se ajo e vjetshmja

Menjëherë pas javës së parë të kampionatit shqiptar të futbollit, kampionia në fuqi, Tirana, ka përfunduar në qendër kritikave për një paraqitje zhgënjyese në takimin ndaj Flamurtarit. Por ai që mendon t‘i dalë në mbrojtje skuadrës, është kapiteni Devis Mukaj. Sipas liderit bardheblu nuk ka asgjë për ta dramatizuar situatën, pasi humbja ndaj vlonjatëve ishte rastësi, për të cilën nuk duhet të paragjykohet ekipi, pasi është fillimi i sezonit dhe ka ende shumë kohë në dispozicion, ku Tirana do të demonstrojë se është sërish pretendentja kryesore për titullin kampion. "Humbja me Flamurtarin ishte e papritur, por futbolli i dhuron të tilla gjëra. Por në asnjë mënyrë nuk duhet paragjykuar ekipi për një ndeshje të humbur. Ajo ishte një humbje rastësore dhe theksoj me bindje të plotë vështirë të ndodhë një gjë e tillë në ardhmen. Një fakt që ka ndikuar jo pak në këtë humbje kanë qenë edhe mungesat e shumta për shkak të dëmtimeve". Në listën e të dëmtuarve figurojnë Memelli, Muzaka, Malindi dhe Mukaj. Më pas analizon situatën pas javës së parë, e cila sipas tij nuk është aq tragjike sa komentohet, pasi është fillimi i sezonit. "Lufta sapo ka filluar dhe është e gjatë, ne kemi humbur vetëm një betejë, pastaj të mos harrojmë që kemi pasur në atë takim katër mungesa dhe të gjithë lojtarë titullarë. Edhe këtë sezon, ashtu si vitin e kaluar, do të synojmë titullin kampion". Kapiteni thekson se Tirana e sivjetshme është më e fortë se ajo e sezonit të kaluar, edhe pse gjatë vërës janë larguar disa nga futbollistët titullarë të skuadrës. "Ka pasur largime, por presidenti Refik Halili ka mbajtur afro 80 për qind të skuadrës, që fitoi titullin vjet. Ai bleu edhe disa lojtarë vetëm e vetëm, që të shohë një Tiranë dinjitoze këtë sezon, më të fortë nga viti i kaluar", nënvizon Mukaj.

Megjithatë ai është i mendimit se hapat duhen hedhur një e nga një. Këtë të shtunë Tirana do të presë në kryeqytet Skënderbeun. Kjo ndeshje është vlerësuar shumë nga stafi dhe, pavarësisht mungesave (ku grupit i shtohet edhe Lila i skualifikuar), si alternativë e vetme për bardheblutë mbetet fitorja. Sipas Mukës, duke filluar nga sfida e radhës me Skënderbeun në shtëpi dhe në vazhdim të kampionatit, Tirana do të fillojë kthesën. "Tashmë duhet të përqendrohemi te ndeshjet e radhës, se po afron takimi me Skënderbeun. Ai sapo është ngjitur në Kategorinë Superiore, por normalisht duhet vlerësuar. Ndonjëherë duhet pasur më shumë kujdes ndaj ekipeve të ashtuquajtura të ‘vogla‘. Edhe në këtë ndeshje ekipi do të ketë shumë mungesa, por besoj se mund ta kalojmë Skënderbeun edhe në këtë situatë. Ka ardhur momenti i duhur që të marrim rezultatin e parë pozitiv këtë fundjavë", përfundon Mukaj prononcimin e tij. Në këtë ndeshje është e sigurt edhe mungesa e mbrojtësit Andi Lila, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e humbur 1-3 ndaj Flamurtarit. Po ashtu, lista e mungesave vazhdon me Memellin, Muzakën, Mukajn. Kështu që trajneri Ilia Lonçareviç do të jetë i detyruar të bëjë formacionin vetëm me lojtarët që ka në dispozicion.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›