Thyejnë kasafortën e shtëpisë, vjedhin 5 mijë euro
Vjedhjet janë kthyer tashmë në fenomenin e përditshëm për policinë e Qarkut të Fierit, si dhe për komunitetin e këtij të fundit. Statistikat e gjashtëmujorit të fundit tregojnë se çdo ditë ndodh nga një vjedhje, ndërsa ajo që po shihet me alarm nga policia lokale ka të bëjë me faktin e rikthimit të grabitjeve me maska dhe armë zjarri. Vjedhja e radhës gjatë së cilës janë përdorur edhe maskat, ka ndodhur në fshatin Patos i Vjetër, fshat ky i komunës Portëz, rreth 16 km larg qytetit të Fierit.
Burimet zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur për gazetën “Shqip” se në banesën e 40-vjeçarit Kujtim Lamaj persona ende të paidentifikuar, kanë arritur të marrin nga kasaforta e tij 5 mijë euro. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 03:00 e mëngjesit të së dielës. Po sipas burimeve të policisë mësohet se Kujtim Lamaj dhe familjarët e tjerë kishin ikur që mbrëmjen e shtunë te disa të afërt. Në banesë nuk ndodhej asnjë njeri, ndërsa shtëpia mësohet se është shumë pranë të afërmve të 40- vjeçarit Lamaj. Vjedhja është konstatuar rreth orës 10:00 kur familjarët Lamaj janë kthyer nga vizita njëditore. Sipas denoncimit të dhënë nga Lamaj mësohet se autorët kanë dëmtuar kasafortën ku mbante sende me vlerë dhe shumat e lekëve dhe valutës. Lamaj ka thënë për policinë se në kasafortë ka pasur shumën e 5 mijë eurove, si dhe një shumë të konsiderueshme në lekë. Pas njoftimit uniformat blu kanë shkuar në banesën e Kujtim Lamajt dhe kanë marrë jo vetëm dëshmitë e fqinjëve të tij, por kanë siguruar edhe prova në brendësi të shtëpisë ku mësohet se janë gjetur gjurmët e autorëve. Burimet e grupit të hetimit thonë për “Shqip” se janë shoqëruar gjashtë persona, banorë të fshatit, të cilët janë pyetur lidhur me rrethanat e lëvizjeve të një nate më parë, si dhe me përfshirjen e tyre të mundshme në këtë rast vjedhjeje. Hetimet për gjetjen e autorëve po vazhdojnë, ndërsa kujtojmë se dy javë më parë dy grabitje me armë dhe maska kanë ndodhur në Fier e Lushnjë.