E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thyhet tabuja, Kuzhe humbet miqësoren e pare

SHKRUAN: Jeton Selimi 10-02-2011 11:48

Duhej të ishte starti i mbarë i një viti të ri futbollistik. Duhej të ishte vijimësia e rezultateve pozitive në “Qemal Stafa”, por nuk ndodhi kështu. Dje, Shqipëria ishte e pafuqishme të bënte atë që jemi mësuar ta shohim rëndom në miqësoret e fundit, të marrë rezultatin pozitiv, kjo sepse Sllovenia, sidomos ajo e pjesës së parë, tregoi se duhet të kesh ritëm të lartë për të marrë pjesë në një eveniment ndërkombëtar…

Kuzhe e nis ndeshjen ashtu siç kishte deklaruar një ditë më parë. Një formacion tipik 4-4-42, që sheh Altin Lalën të inkuadruar që nga minuta e parë në krah të Andi Lilës. Të paktën për 45 minutat e para, mesfusha ishte edhe reparti më i dobët! Fatal, gabimi i Lalës në minutën e 24-ët, çka prodhoi edhe golin e avantazhit për sllovenët e Matjazh Kek. Por deri në atë moment, miqtë ishin shumë më superiorë sesa Shqipëria. Megjithatë, mësymjen e parë drejt portës e bëjnë kuqezinjtë. Minuta e tretë do të sjellë rastin e parë, teksa një goditje dënimi e ekzekutuar nga Duro devijohet në këndore. Është sërish elbasanasi që harkon, por kësaj radhe edhe më keq se herën e parë. Sllovenia nis të bëhet e rrezikshme. Në fillim rikuperon terrenin e humbur, për të tërhequr thuajse krejt skuadrën tonë në prapavijë. Minuta e 7-të do të sjellë dy raste të njëpasnjëshme për miqtë, por në fund do të jetë Cana, padyshim më i miri në fushë për kuqezinjtë, që do të spastrojë zonën. Epërsia territoriale e sllovenëve bëhet edhe më e theksuar, pasi Shqipëria nuk arrin dot të organizohet në manovrën ofensive. Minuta e 24-ët do të sjellë edhe konkretizimin e epërsisë së miqve. Lala do të humbasë një top në mesfushë dhe Sllovenia do të nisë kundërsulmin, që do të finalizohet me pasimin e saktë drejt Novakoviçit. Teli është shumë prapa për të mbyllur hapësirat dhe sulmuesi i Këlnit do të shënojë golin e avantazhit për miqtë. Kuzhe kërkon më shumë luftë nga të tijtë, por Shqipëria e pjesës së parë është tërësisht apatike.

Në fraksionin e dytë, trajneri kroat bën ndryshimet e nevojshme. Jashtë Lala e Duro dhe në vend të tyre Bulku e Muzaka. Shqipëria gjallërohet dhe nis të shohë më shumë nga porta e Handanoviçit. Megjithatë, Sllovenia mund të kishte dyfishuar që në sekondat e para, kur Kirm vidhet bukur nga e majta dhe pason në zonë, por Matavzh godet keq, duke mos e dërguar topin në rrjetë. Sidoqoftë, loja e kuqezinjve bëhet e bukur. Dallku dhe Vangjeli shtyjnë mirë nga krahët, por kosovari do të jetë shumë më i rrezikshëm me depërtimet e tij, çka do t’i detyrojë miqtë të bëjnë ndërhyrje të gabuara. Por goli nuk do të vonojë. Kapiteni Cana (ka marrë shiritin pas daljes së Lalës) do të ndërmarrë një inkursion personal dhe do të kërkojë kombinimin me Bulkun, por ky i fundit godet befasisht duke shënuar një supergol. Faj ka edhe portieri slloven, që është disa metra më i avancuar. Goli i barazimit shkund Slloveninë, që do të fillojë të sulmojë më fort. Në fillim do të jetë Ljiçiç që do të depërtojë bukur në zonë dhe do të godasë drejt portës, por Teli do të arrijë të shpëtojë mbi vijën fatale topin e ngadalësuar nga ndërhyrja e Beqajt. As 100 sekonda dhe skuadra e Kek mund të kishte dyfishuar. Sërish Ljiçiç. Topi i gjuajtur prej tij nga goditja e dënimit do të përplaset në shtyllën e djathtë të Beqajt, i mposhtur në këtë rast. Loja bëhet më e luftuar dhe tensioni rritet. Nuk do të mungojnë as ndërhyrjet aspak “miqësore” mes lojtarëve, por për gjyqtarin polak kartonët janë të pakët. Minutat kalojnë dhe, kur të gjithë menduan se takimi do të mbyllej në barazim, Sllovenia do të fitojë një 11-metërsh. Cana ndërhyn në zonë ndaj Dediç. Për gjyqtarin kryesor është penallti. Gjuan po Dediç dhe shënon golin e fitores për Slloveninë dhe të humbjes për Shqipërinë. Një humbje që erdhi si pasojë e një loje më të mirë nga ana e kundërshtarit, sidomos në 45 minutat e para dhe në gjysmën e dytë të fraksionit të dytë. Kur kanë mbetur dhe pak ditë para ndeshjes me Bjellorusinë, Kuzhe duhet të bëjë shumë që të ndryshojë mentalitetin e një ekipi që dje, në fushën e “Qemal Stafës”, u shfaq vërtet i lodhur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›