E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fotot e rralla të funeralit te kolonel Tomsonit në Shqipëri

SHKRUAN: Aida Tuci 10-02-2011 11:46

Kolonel Tomsoni mbeti i vrarë më 15 qershor 1914, gjatë betejës së Durrësit. Dokumentet tregojnë se kryengritja e rebelëve dhe fanatikëve fetarë u shtri shumë në 1914-n, ndërkohë që kolonel Tomsoni ishte emëruar "Drejtues i Ushtrisë". Tomsoni shpalli gjendje lufte dhe e ktheu Durrësin në fortesë. Në ushtrinë e tij u stërvitën xhandarë dhe aventurierë, vendas e të huaj. Kapiteni i tij, Fabius, formoi një njësi artilerie me vullnetarë. Malësorët paguan vullnetarë nga fiset e Veriut dhe numri i tyre arriti në 1000 burra, por ata nuk komandoheshin nga oficerët holandezë, por nga kreu i klanit të tyre. Koloneli Tomson u qëllua në kohën kur ishte duke u thirrur krerëve të klaneve, për të urdhëruar burrat e tyre të hynin në transhe. Dokumentet e kohës tregojnë se ai u godit në gjoks, ndonëse sulmi i rebelëve po kryhej pas shpinës së tij. Sipas burimeve të asaj kohe, hidhej dyshimi se koloneli Tomson mund të ishte qëlluar nga një snajperist italian, ndërsa sipas disa burimeve të tjera, ai u qëllua nga një shqiptar nga Kavaja, që bënte pjesë në çetën e Haxhi Qamilit. Koloneli pati një varr të përkohshëm në Durrës, ndërsa arkivoli më vonë u transportua në Holandë, ku iu bë funerali me të gjitha nderimet ushtarake. Ceremonia mortore në Durrës u zhvillua sipas riteve shqiptare, ku ishte i pranishëm edhe Princ Vidi. Pas 10 ditësh, ai ftoi për drekë në Shqipëri vëllain e Kolonel Tomsonit, që mbante gradën Kapiten. Kolonel Tomsonit iu akrodua nga Princ Vidi edhe dekorata e parë shqiptare e shkallës së tretë “Kapiten” e Urdhrit “Shqiponja e Zeze”, i cili u akordohej për merita të veçanta në shërbim të mbretit.

Koloneli Tomson dhe gjenerali De Veer, mbërritën në Shqipëri në vitin 1913, pasi qeveria e Ismail Qemalit dha dorëheqjen. De Veer dhe Tomson, u futën në shërbimin zyrtar shqiptar, si gjeneral dhe kolonel. Ata do të vinin në nëntor të vitit 1913 në Durrës, së bashku me 12 misionarë të tjerë holandezë, për të themeluar forcën policore shqiptare, që do të vendoste paqen në Shqipëri. Kolonel Tomson mbeti i vrarë gjatë një beteje në Durrës, më 15 qershor 1914, kur qytetin e përfshiu kryengritja e rebelëve dhe e sadistëve të Haxhi Qamilit, dhe kur kërkohej me thirrjet "Dum Babën", rikthimi i sundimit të Turqisë. Tomson dhe misionarët e tjerë do të punonin shumë për të vendosur rendin dhe ngritjen e xhandarmërisë dhe reparteve ushtarake në vend, në një kohë ku kudo sundonte anarkia. Ata rekrutuan oficerët e ish-trupave shqiptare, për të krijuar xhandarmërinë e shtetit shqiptar. Kolonel Tomson do të jepte një kontribut të madh për shtetin shqiptar, gjatë kohës kur ky drejtohej nga Princ Vidi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›