E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thyhet urdhri i ministrit, nuk regjistrohen studentët

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Urdhri i ministrit të sapoemëruar të Arsimit Myqerem Tafaj për regjistrimin e studentëve, që kanë mesataren poshtë 6-ës në Universitetin e Vlorës ka rënë në vesh të shurdhër. Dje ishte dita e fundit e regjistrimeve, por dera e këtij universiteti ishte e mbyllur. Maturantët e ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit kanë mbetur të zhgënjyer, kur që herët në mëngjes nuk kanë gjetur as sekretarinë dhe as ndonjë departament tjetër në këtë universitet për t’iu dhënë një përgjigje për regjistrimin e tyre. Me një kopje të urdhrit të ministrit Tafaj, maturantët i janë drejtuar universitetit me shpresën se tashmë problemi i tyre do të marrë një zgjidhje. Por më kot. Askush nuk i ka pritur e për pasojë ata janë detyruar të kthehen mbrapsht pasi kanë qëndruar në ambientet e jashtme të godinës thuajse gjithë paraditen e djeshme. Shumë prej tyre ishin mjaft të irrituar me këtë që po ngjet, ndërkohë që shprehen se kjo është një padrejtësi që atyre po iu bëhet. Të zhgënjyer shprehen edhe prindërit e maturantëve, fëmijët e të cilëve po u mohohet e drejta për t’u ulur në auditorët e një universiteti. Ajo që i ka habitur më shumë maturantët, por edhe prindërit e tyre është jo vetëm mohimi i së drejtës së tyre në mënyrë kaq arbitrare, duke iu mbyllur dyert e shkollës, por njëherazi edhe thyerja e urdhrit të ministrit. Janë 700 studentë që presin me shpresë se vendimi i senatit të këtij universiteti do të ndryshojë në favorin e tyre. Shpresa tek ta u rrit më së shumti pasi një përfaqësi e tyre iu drejtua Tiranës. Ata arritën të takonin ministrin Tafaj dhe t’i kërkonin njohjen e të drejtës për të studiuar një fakultet në vijim. Të 700 këta studentë figurojnë fitues, por për shkak të mesatares së shkollës së mesme nën 6, ata u përjashtuan nga e drejta për t’u regjistruar. Protesta e vazhdueshme e tyre nuk shkaktoi asnjë reagim nga ana e Universitetit të Vlorës, e cila vijon të heshtë dhe të mos japë asnjë sqarim për ta. Mësohet se në takimin e realizuar në dikasterin e arsimit, ministri iu ka dhënë të drejtë studentëve dhe më pas ka nxjerrë një urdhër, të cilin ia ka dërguar rektoratit në Vlorë. Në këtë shkresë urdhërohet regjistrimi edhe i studentëve, të cilët kanë notën mesatare nën 6. E vetmja përgjigje e rektorit për Ministrinë e Arsimit ndodhet në faqen zyrtare të këtij universiteti në një intervistë të dhënë prej tij. “MASH gjithmonë ka punuar kundër Universitetit të Vlorës”, thekson Shaska në këtë intervistë, duke lënë të kuptohet se nuk do të merret parasysh urdhri i ministrit. “Ne nuk kemi nevojë për aprovimin nga MASH për vendosjen e mesatares si kriter pranimi. Është e shprehur mjaft qartë në Ligjin e Arsimit se ne kemi të drejtë të vendosim kritere shtesë”, shprehet më tej rektori në fjalën e publikuar në faqen zyrtare të universitetit “Ismail Qemali”. “Është humbje e madhe energjish për ne si universitet të përpiqemi të mësojmë nxënës, që nuk dinë të lexojnë apo të shkruajnë mirë. Një nxënës me mesatare 5 që del sot nga shkollat e mesme nuk merr dot diplomë në Universitetin tonë, për këtë duhet të jenë të qartë ata prindër e studentë që synojnë të futen në auditorët tanë me zor. Senati akademik mori një vendim në maj 2008 për këtë çështje. Unë i respektoj me fanatizëm gjithë vendimet kolegjiale akademike dhe në asnjë mënyrë nuk guxoj të dal mbi Senatin e Universitetit, i cili është organi i vetëm që vendos për çështjet akademike. Sa për zgjidhjen që do t’u jepet maturanteve që kanë mesataren nën 6, kjo nuk është detyra ime që të mendoj për ta. Universiteti i Vlorës nuk është një organizatë bamirësie, por një institucion shkencor”, shprehet më tej rektori Tanush Shaska. 

Tafaj-rektorit: Regjistroni edhe ata që nuk kanë mesatare
Nëpërmjet peticioneve dhe ankesave individuale, në vëmendjen e ministrit të Arsimit dhe të Shkencës është përcjellë shqetësimi i një grup maturantësh të shpallur fitues në listat përkatëse të përgatitura nga agjencia e pranimeve në institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) dhe të përcjella zyrtarisht për zbatim me shkresën Nr. protokolli 5284, datë 11,09,2009 në universitetin Ismail Qemali të Vlorës. Ky grup maturantësh shpreh shqetësimin se nuk po lejohet të kryejë procedurat për regjistrim në universitetin “Ismail Qemali” me pretendimin se mesatarja e tyre e shkollës së mesme është poshtë notës 6. Në përgjigje të shqetësimit të tyre saktësojmë se pika 1 dhe 2 të udhëzimit nr. 25, datë 9.09.2009, për procedurat e pranimit dhe regjistrimit në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2009-2010 i ndryshuar, theksojmë se regjistrimi i kandidatëve fitues në programet e studimit përkatës bëhet sipas listave emërore të renditura nga APRIAL duke marrë parasysh kriteret e përgjithshme dhe të veçanta të miratuara paraprakisht nga MASH. Këto lista afishohen në vende të dukshme në mjediset e fakultetit përkatësisht. Ato janë të detyrueshme për zbatim nga çdo IAL publik dhe çdo ndërhyrje në to është në shkelje të akteve nënligjore të përcaktuara nga MASH. Për sa më sipër, ju kërkojmë të merrni të gjitha masat e nevojshme për të kryer regjistrimin e kandidatëve fitues, sipas listave të APRIAL, brenda afateve kohore të përcaktuara nga MASH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›