Gruaja e zhdukur në Kukës, familja gjen paratë në shtëpi

Pallati i familjes Rexhmati në Kukës
Policia, dyshime se Fllanza Rexhmati u largua nga frika se i kishte humbur.
Kukës, familja zbulon 300 mijë lekët brenda shtëpisë.
Gjenden paratë që cilësoheshin të humbura prej së njëjtës ditë kur u zhduk edhe 38-vjeçarja Fllanza Rexhmati në Kukës. Familjarët e saj deklaruan për policinë se 300 mijë lekët ishin futur në një tjetër cep të shtëpisë dhe jo aty ku ishin lënë para se Fllanza të largohej dhe të dyshohej se ajo i kishte marrë me vete. Lekët e gjetura nuk kanë ndryshuar aspak situatën e rëndë në të cilën ndodhet familja prej tri ditësh, por tashmë rinisin të tjera hamendësime rreth largimit të saj. Familjarë, por dhe komshinj të Rexhmatit, mendojnë se ndër shkaqet e largimit të saj do jetë edhe frika nga humbja e lekëve ose harrimit të vendit se ku i ka lënë. Fqinj të saj kanë deklaruar se në drekë, para se ajo të zhduket të enjten e shkuar, është parë duke kërkuar në kazanët e mbeturinave, për diçka të humbur, por pa thënë asnjë fjalë së çfarë kërkonte. E shqetësuar në ato momente, Fllanza nuk është parë që nga ajo ditë e deri më sot. Në fakt, të afërmit kanë deklaruar se gjendja e saj shpirtërore ishte mjaft e ligështuar edhe për faktin se gjashtë muaj më parë kishte kaluar një operacion dhe e vuante rikthimin e mundshëm të sëmundjes. Largimi i saj pas humbjes së lekëve mund të jetë shkaktuar nga tronditja. Ndërkohë në Policinë e Shtetit dhe në grupin hetimor tashmë është përvijuar një pistë e saktë, ajo e vetëlargimit më dëshirën e saj. Një drejtues i lartë i hetimeve tha se Fllanza Rexhmati mund të jetë fshehur në një vend nga i cili mund të dalë vetëm pasi të jetë vetë e bindur për ta bërë këtë veprim. Ai shtoi se Rexhmati është përgatitur me kohë për vetëlargimin e saj dhe atë ditë është veshur e mbathur mirë para se të dilte. E nëse kjo pistë tashmë është thuajse përfundimtare nga grupi i hetimit, sërish kërkimet për të kanë vijuar qoftë në rrethinat e qytetit, edhe te të afërmit e familjes. Pavarësisht nëse u largua vetë ose jo, prej katër ditësh askush nuk di të thotë gjë të saktë për fatin e një gruaje 38-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, zhdukur në mes të ditës në mes të qytetit të Kukësit. Për këtë ngjarje ende nuk ka një pistë të saktë zyrtare për shkaqet e vetëlargimit apo zhdukjes së Fllanza Rexhmatit. Ajo që dihet është se më parë gruaja ka pasur një sjellje shumë të mirë dhe familjarët e saj nuk kanë pasur probleme me askënd. Denoncimi për 38-vjeçaren u bë rreth orës 13:00 të 15 marsit, në momentin kur dy fëmijët e mëdhenj të saj u kthyen nga shkolla. Ata nuk e gjetën në shtëpi nënën dhe pas gjetjes së thikës me pika gjaku, të trembur kërkuan ndihmën e policisë. Që nga ajo ditë nuk ka asnjë shenjë se ku mund të ndodhet nëna e tre fëmijëve.
4 dite mbushen sot nga dita e enjte, që përkon me zhdukjen në rrethana misterioze të Fllanza Rexhmatit, 38-vjeçares, banuese në një pallat në qendër të qytetit të Kukësit.
Analiza: Gjaku i Fllanzës në thikë
Me interesim është pritur dhe analiza e ADN-së në laboratorin Qendror të Kriminalistikës në Tiranë, ku janë analizuar provat e gjetura në dhomë ditën e largimit. Një thikë e përgjakur dhe bluza e Fllanzës e bërë me dy pika gjak te kopsat, janë analizuar dhe rezulton se gjaku është i saj. Një nga specialistët e hetimit jep argumentin se gjaku mund të jetë nga gishtërinjtë e saj, pasi dhe vendi i gjakosjes në jelek është te kopsa. Gruaja mendohet se ka dashur ta zbërthejë për ta lënë në dhomë, aty ku dhe u gjet. Gjithashtu, eksperti shton se nuk ka asnjë dyshim se kjo skenë krimi është improvizuar qëllimisht nga e larguara për të humbur vëmendjen rreth shkaqeve të largimit.