Ti thuash Po një tjetri
Kështu, gjithnjë më bën të mendohem kjo pyetje: Cilat janë shkaqet që “e detyrojnë” një njeri, kushdo qoftë, t’i thotë “Po” një tjetri? Socialpsikologu Filip Zimbardo është marrë së tepërmi me këtë problem, nisur nga disa studime të çialdinit (një tjetër socialpsikolog i njohur) dhe të tregojë arsyet e vërteta të kësaj dukurie, që në thelb shpreh karakterin e njeriut, shpjegon vendimmarrjen e domosdoshme dhe motivacionin, interesat, aftësitë, të menduarit dhe emocionet e thella të njeriut. Një “Po” nuk është aq e thjeshtë, madje tejet e komplikuar dhe në disa raste detyruese, në të tjera “e sinqertë”, “e këndshme”, “karakteristike”, “zhgënjyese” etj., duke marrë pamje të gjithfarshme. Një angazhim fillestar i padëmshëm, për shembull, kthimi i një karte apo dhurate për të dëgjuar një mundësi investimi, shpesh shtyn përpara për një angazhim më të madh. Ose kthimi i letrave me vlerë për të paguar institucionalizimin e shtëpive. Institucioni mund ta shpallë këtë në gazetë, në televizion, në reklamat e tij etj., kur pa e bërë të gjatë merr një “Po” të habitshme nga klientët. Të nesërmen vjen një shitës sigurimesh dhe bën një analizë të ndërlikuar të gjendjes financiare të familjes së lajmëruesit. Pyetja e tij ishte e studiuar për të nxitur pëlqim: A mendon se njerëzit duhet të kishin një informacion të tillë për situatën e tyre financiare? Përgjigjja ishte vetëm “Po” dhe para se të merret vesh se ç’po ndodh, pëlqehet menjëherë analiza. Po atë mbrëmje shkon edhe një individ që merrej me një fond për pastrimin e mjedisit, i cili fillimisht kërkoi nënshkrimin e një peticioni dhe pastaj mirëpriste vetëm përgjigjen “Po” për çfarëdo kontributi. Kjo duket si një bindje e komplikuar. E para është fjala dhe nëpërmjet saj argumenti. Për të fituar pohimin pozitiv të reklamave, kompanitë e tyre organizojnë truke të ndryshme. Kështu, me ofertën përkatëse shkojnë dy vajza të reja, të veshura bukur, me makinë, aparatet e filmimit, fotografimit, shkresat, qëllimet e reklamës etj., duke arritur t’i bëjnë për vete të zotët e sipërmarrjeve të ndryshme për të dhënë pará për reklamën e tyre. Shitësit mund të shfrytëzojnë fuqinë e angazhimeve të vogla kur përpiqen t’i bindin njerëzit që të ndjekin një pajtim. Kështu, klientët e shumë shitësve, derë më derë, krijojnë mundësinë që njerëzit të mendohen disa ditë për blerjet dhe të heqin dorë prej tyre nëse duan. Shumë kompani përdorin edhe enciklopedi të programuara për trajnimin e shitjes, që quhet ndryshe “një ndihmë shumë e rëndësishme psikologjike, e cila ndihmon për ndalimin e blerësve po qe se i shmangen kontratës”. Ata lejojnë klientin dhe jo shitësin, të mbushë formularin e blerjes. Kur e shkruajnë vetë, njerëzit i përmbahen zotimit që kanë marrë. Ky proces i angazhimit shkallë-shkallë, i qëndrimit dhe veprimit spiral, ka ndikim kur veprimet përputhen me idetë, që vendimmarrësit të bashkonin idetë me veprimet e tyre. Fenomeni i bindjes këmbëngulëse (fjala motivuese duhet të rrahë në të njëjtin vend si pika e strehës) ia vlen të mësohet. Dikush që kërkon të na joshë – financiarisht, politikisht apo seksualisht – zakonisht do të përpiqet të krijojë një çast përputhjeje. Përpara se të pajtoheni me një propozim të vogël, mendoni për ato që e pasojnë. Dhe kjo nuk kërkon një “Po” të thjeshtë. Nuk është aq e vështirë të gjesh një individ që nuk është përulur asnjëherë përpara një tundimi, sesa të gjesh një individ që është përulur vetëm një herë. “Vetëpërcaktimet tona, pohimet tona të thjeshta, bindjet tona të menjëhershme, nuk ndërtohen në kokë, por farkëtohen nga veprimet tona”, Robert Mekafi Braun,(2000). Por, megjithatë, veprimet e egra e helmojnë ndërgjegjen e atij që i bën ato. Ndërkohë, lëndimi i një të pafajshmi – duke dhënë komente të rënda apo nëpërmjet ndërhyrjeve të forta fizike nga jashtë – zakonisht e bën agresorin që të dalë mbi viktimën, duke justifikuar kështu sjelljen e tij. Ne jo vetëm që kemi prirje për të lënduar ata që nuk pëlqejmë, por edhe për të mos pëlqyer ata që lëndojmë. Njerëzit do ta justifikonin një veprim të tillë nëse binden për ta bërë pa detyrim. Kur pranojmë vullnetarisht për të bërë një të keqe, ne marrim më tepër përgjegjësi për të. A nuk ndodh kështu me veprimet ekstreme politike e sociale, nëpërmjet dhunës, ose akteve që janë mbjellë nëpërmjet dhunës? Në këto raste ne marrim gjithnjë një “Po” të hatashme, e cila endet në buzëqeshjet e trembura të atyre ndaj të cilëve veprohet konkretisht. Nëse veprimet e këqija i japin formë vetes, fatmirësisht ashtu bëjnë edhe të mirat. Karakteri, është thënë, pasqyrohet në atë që bëjmë kur nuk na sheh njeri. Në shkollë me ose pa eksperiment, mund të përdoret një kërcënim i fortë me gjysmën e fëmijëve dhe një i butë me gjysmën tjetër. Që të dy janë të mjaftueshëm për ta bindur fëmijën. Nga ana tjetër, veprimet morale, sidomos kur janë të zgjedhura dhe jo të detyruara, ndikojnë mbi mendimin moral. Kështu mund të fitohet një “Po” origjinale. Më 1793, Benjamin Franklin testoi idenë se si mund të fitohet një “Po”. Ai nuk u përpoq të merrte pohimin nëpërmjet dhënies së respektit servil, por, duke qenë se kishte dëgjuar që tjetri kishte në librarinë e shtëpisë së tij një libër të rrallë dhe kureshtar, i shkroi një letër ku i shpjegonte se i interesonte libri dhe po të ishte e mundur, le t’ia bënte një nder duke ia dhënë borxh për disa ditë. Ai e dërgoi menjëherë librin dhe Franklini ia ktheu pas një jave, duke e falënderuar. Më vonë u bënë miq të mëdhenj.
#