Projekt për të dalë nga agonia
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka vendosur t’i rikthejë standardet Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Prej disa kohësh ky muze ka rënë në gjendje agonie. Fillimisht i paorganizuar siç duhej, e më tej në vitin 2008 si shkak e reformës për kërkimin shkencor, iu hoq statusi i një institucioni, duke kaluar nën varësinë e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Durrësit. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, duke e futur në listën e prioriteteve, ka çelur një fond për rikonstruksionin total të këtij muzeu.
Fondi limit është parashikuar në shumën 250775000 lekë për një proces rehabilitimi që do të kryhet në disa faza. Në një konkurs të hapur është përzgjedhur firma “PNI-2001” për të kryer fazën e parë të studimit dhe për të hartuar një projekt mbi ndërhyrjet teknike në godinë.
çdo veprim për këtë projekt i është deleguar Institutit të Monumenteve të Kulturës, ku janë ngritur edhe grupet e punës.
“Ky muze nuk u përshtatet ritmeve të kohës. Durrësi është një qytet që ofron pasuri të madhe arkeologjike dhe ky projekt synon një prezantim sa më dinjitoz të saj, duke marrë parasysh se është në pikëtakim të fluksit të turistëve”, është shprehur drejtori i IMK-së, Apollon Baçe.
Vetëm pak kohë më parë, në mbledhjen që ministri i Kulturës mbajti me përfaqësues të pushtetit lokal, por edhe me operatorët turistikë, u ngrit problemi i paralizimit të muzeut arkeologjik të Durrësit, një nga më të mëdhenjtë në vend. Në fakt, duke nisur që nga oborri i jashtëm, që më së shumti të jep përshtypjen e një pike grumbullimi të inerteve, e deri në hapësirat e brendshme, vuajnë mungesën e organizimit dhe shfrytëzimit efikas. Specialisti i IMK-së, arkitekti Latif Lazimi, shprehet se në këtë fazë të parë që duhet të përfundojnë diku nga shtatori, firma fituese e tenderit do të kryejë studimin e kushteve të godinës e më tej do të paraqesë një projekt që parashikon standardet teknike optimale që duhet të ketë një muze.
Në kërkesat e parashtruara për përmbajtjen e këtij projekti, grupi i punës, i përbërë nga arkitektët Ervin Panidha, Ronela çuku dhe inxhinierja Kozeta Angjeliu, përfshihen projekti arkitektonik, projekti i gjelbërimit, studimi gjeologjik, projekti konstruktiv, projekti elektrik, hidraulik, grafiku i punimeve dhe specifikime të tjera teknike.
Sipas Lazimit, do të merren masat për të garantuar sigurinë e godinës, sepse gjatë këtyre viteve, si pasojë e veprimit të ujit, ka dëmtime në strukturën e godinës. Fondi me të cilin do të kryhet kjo fazë e parë e studimit është 7 milionë e 360 mijë lekë. Sipas Lazimit, para se projekti i propozuar nga firma fituese e këtij tenderi të parë të zbatohet, do të kalojë në një komision pëlqimi, i përbërë nga 5 specialistë të Institutit të Monumenteve. Nga të gjitha këto të dhëna kuptohet se për disa muaj me radhë në Muzeun Arkeologjik të Durrësit do të kryhen vetëm punime teknike.
Për specialistin Latif Lazimi, ndjekja e këtyre procedurave është më se e justifikueshme për të përftuar një godinë që garanton të gjitha parametrat e duhur teknikë për ruajtjen dhe ekspozimin e trashëgimisë. Riorganizimi i përmbajtjes do t’i takojë një kohe të mëvonshme. Sigurisht që kjo do të kërkojë një tjetër projekt, që këtë radhë ka të bëjë me kriteret e muzeologjisë.
Në këtë pikëpamje, përveç muzeut të Butrintit, i riorganizuar së fundmi, kemi një problematikë të ndjeshme. Muzeu Arkeologjik i Durrësit, me një koleksion të pasur prej rreth 20 mijë objektesh, duke përfshirë qeramikë, enë qelqi, skulpturë arkitektonike, dekorative, skulpturë e rrumbullakët, relieve, gurë varresh, stela, objekte të argjendarisë, monedha etj.
Ndërkohë nëntoka e këtij qyteti ofron vazhdimisht zbulime të cilat do të duhet të gjenin vend në këtë muze.
I pari muze arkeologjik i qytetit të Durrësit është krijuar më 13 mars të vitit 1951, me objekte të grumbulluara nga arkeologu Vangjel Toçi. Ecuria e projekteve të rikonstruksionit të plotë të këtij muzeu mbetet për t’u parë, ndërkohë që turistët- ata që do të denjojnë të kalojnë aty pari -edhe për këtë verë do të përftojnë një histori të vagullt të këtij qyteti.
#