Çaushaj zgjedh Flamurtarin, Dinamo s'jep OK-in!
Emri i tij është përmendur rregullisht në merkaton e Flamurtarit. Drejtuesit e klubit kuqezi duken mjaft të interesuar për shërbimet e tij. Aq sa, janë gati t'i ofrojnë një kontratë shumë më të mirë financiare se ajo që e mban të lidhur me Dinamon. Fjala është për Ilirian Çaushajn, mesfushorin e kampionëve në fuqi, por që nuk arriti dot ta varte në qafë medaljen, pasi qëlloi që në këtë rast solemn për blutë, talenti që vjen nga moshat e Fiorentinës ishte i huazuar te Teuta. Sidoqoftë, loja e tij e mirë u ka rënë në sy drejtuesve të disa klubeve, që kanë shfaqur interes të madh për të, mes të cilave, Flamurtari po këmbëngul fort. Nëse drejtuesit e Dinamos thonë se futbollisti në fjalë nuk mund të lëvizë, pasi është në planet e tyre dhe ka kontratë, haberet nga Vlora tregojnë të kundërtën. Oferta e Flamurtarit njeh diferenca jo të vogla në terma financiarë me atë të Dinamos, kështu që vetë Çaushaj ka filluar t'i bëjë planet si pjesë e kuqezinjve të Vlorës. Madje, për këtë, ai ka vënë në dijeni edhe presidencën e kampionëve, duke i kërkuar asaj prishjen e kontratës. Pra, nuk ka dyshime, mesfushori në fjalë kërkon të shkojë te Flamurtari, pasi thotë se e ka të sigurt një vend titullari dhe do të marrë para më shumë. Ky faktori i fundit duket se do të bëjë edhe diferencën, sepse mbetet primar në futbollin e sotëm. I pyetur mbi të gjithë këto zëra mediatikë deri tani, vetë Ilirian Caushaj, për "Sportin shqiptar" u shpreh: "Po, Flamurtari interesohet për mua, madje më ka bërë ofertë konkrete. Ç'është e vërteta ndihem mirë te Dinamo, fanella e saj të imponon respekt dhe vlerësim maksimal, por në futbollin e sotëm bëhen edhe llogari të tjera. Më së pari, unë jam i ri, jam në hapat e parë të karrierës, kështu që kam nevojë të luaj rregullisht. Një gjë të tillë, nuk besoj se mund ta realizoj te Dinamo, formacioni titullar i së cilës ka shumë konkurrencë. Këtë pasojë e vuajta edhe sezonin e shkuar, teksa drejtuesit e Dinamos më huazuan te Teuta. Kjo gjë nuk dua të më ndodhë edhe sezonin e ri, kështu që dua t'i dal së keqes përpara. Unë dëshiroj të shkoj te Flamurtari, sepse atje do të kem më tepër hapësira në dispozicion, ndërkohë që kontrata financiare më ofron shuma më të mëdha se sa marr te Dinamo. Për këtë gjë kam vënë në dijeni edhe drejtuesit e klubit tim, të cilëve u kam kërkuar që ta zgjidhim kontratën me mirëkuptim. Shpresoj që të më mirëkuptojnë në këtë dëshirë timen, e cila ka të bëjë direkt me karrierën time. Dua ta përsëris, unë ndihem shumë mirë te Dinamo, një nga ekipet më të mira në vendin tonë, por, për faktorët që ju përmenda edhe më sipër, jam i detyruar të shikoj nga Flamurtari." Sikurse duket, vetë lojtari në fjalë kërkon "divorcin" me blutë, ashtu sikurse thuhet edhe për kapitenin Pisha. Nëse për Çaushajn, tundim përbëjnë paratë dhe hapësirat më të shumta të aktivizimit te Flamurtari, për Pishën nuk dihet shkaqet e vërteta që kërkon të vishet bardheblu. Ndoshta edhe në këtë rast predominon oferta financiare, e cila, është vendimtare në futbollin e sotëm. Sidoqoftë, për të dy lojtarët, në realizimin e dëshirës së tyre. ka një pengesë të madhe, firmat që kanë hedhur në kontratë me Dinamon. Kjo e fundit "ua lidh këmbët" atyre, nëse krerët e klubit kampion nuk bien dakord me ta.