E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët britanikë këshillohen: 'Shqipëria është e rrezikshme..'

Një ditë pas njoftimit se Shqipëria është lënë jashtë zonës Schengen për sa i përket lëvizjes pa viza, një lajm që vjen nga Skocia tregon qartë për imazhin e vendit tonë në Evropën Perëndimore.
Tifozët e ekipit të Motherwell, qytetit skocez që do të luajë me Flamurtarin në turin e dytë të UEFA, Europa League janë këshilluar që të mos ndjekin ekipin e tyre në Shqipëri, për shkak se kjo është e rrezikshme.
Ajo që bie në sy është se vendimin e kanë marrë drejtuesit e klubit, të cilët thonë se janë këshilluar dhe me Ministrinë e Jashtme të Britanisë për sa i përket rrezikshmërisë së Vlorës, qytetit të rëndësishëm turistik të Shqipërisë.
"Ne nuk do të planifikojmë një udhëtim për tifozët dhe për ata që kanë ndërmend ta bëjnë këtë individualisht, u themi që duhet ta marrin seriozisht në konsideratë faktin që nuk duhet shkuar atje", - thuhet në deklaratën e këtij klubi.
Një zëdhënës i klubit ka komunikuar më BBC dhe ka deklaruar se ata nuk kanë problem për vendin ku do të luhet ndeshja e nuk do të kërkojnë të caktohet një stadium tjetër. Ai gjithashtu vlerësoi sjelljen e tifozëve të ekipit të tij gjatë ndeshjes së mëparshme për UEFA Europa League kundër ekipit të Llanellit, por tha se ata janë të shqetësuar në lidhje me fansat që do udhëtojnë në mënyrë të pavarur në Shqipëri.
"E dimë që disa prej tifozëve tanë do të udhëtojnë dhe do mbështesin skuadrën. Ne do dëshironim që ata t'i drejtohen Ministrisë së Jashtme për më shumë informacion. Ne nuk do të kemi një udhëtim charter kësaj here për arsye sigurie", - tha zëdhënësi i klubit.
Ekipi U21 i Skocisë luajti për kualifikueset e kampionatit evropian në Shqipëri, në kryeqytetin Tiranë, në mars të këtij viti dhe nuk u shënuan incidente.
Ministria e Jashtme angleze në sitin e saj thekson se siguria publike është përgjithësisht e mirë, veçanërisht në Tiranë dhe shqiptarët janë mikpritës ndaj vizitorëve.
Megjithatë, ajo thotë gjithashtu se krimi dhe dhuna janë problem serioz në disa zona dhe armët janë të kudondodhura.
Ajo shton se qyteti bregdetar i Vlorës është një nga zonat ku ka patur së fundmi raporte për vjedhje bagazhesh nga dhomat e hotelit dhe mjetet e transportit publik.
Ndeshja mes Motherwell dhe Flamurtarit do të zhvillohet më 16 korrik.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›