Tifozët duan bashkim

Nisma e Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për formimin e një lige të përbashkët – në të cilën do të garonin katër ekipe shqiptare dhe katra kosovare – është mirëpritur nga ‘Tifozat Kuq e Zi’.
Sipas tyre, me formimin e një lige të tillë do të rritej dukshëm cilësia në basketbolli mbarëshqiptar dhe kështu klubet shqiptare do ta prezantonin kombin e tyre nëpër garat evropiane.
“Ne, ‘Tifozat Kuq e Zi’ e përkrahim nismën e FSHB-së dhe FBK-së për krijimin e ligës shqiptare të basketbollit, derivat i ligave të Kosovës e Shqipërisë. Nismat e tilla na gëzojnë pa masë dhe na japin shpresë për ditë më të mira për sportin gjithëshqiptar, njëkohësisht kjo ide na bën gjithsecilin obligues dhe shumë të vëmendshëm për ta përfunduar sa më mirë një projekt të tillë”, thuhet në një komunikatë të ‘Tifozave Kuq e Zi’.
“‘Tifozat Kuq e Zi’ japin përkrahje të pa rezervë për vënien në jetë të kësaj ideje. Kjo ide vjen në momentet më të vështira për basketbollin shqiptar, në kohën kur ekipet shqiptare janë tërhequr nga garat për kualifikime në Kupat e Evropës si rezultat i cilësisë së dobët dhe joseriozitetit”, thuhet më tej në komunikatë.
Madje, mbështetësit e ekipeve kombëtare shqiptare u kanë bërë thirrje edhe udhëheqësve të federatave tjera sportive të Kosovës e atyre të Shqipërisë të veprojnë ngjashëm sikurse FSHB-ja e FBK-ja.
“‘Tifozat Kuq e Zi shpresojnë dhe u bëjnë thirrje edhe federatave të sporteve tjera të Kosovës e Shqipërisë që të nisin sa më parë punët për garime të përbashkëta, sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’ia dalim. Përndryshe, nëse nuk do të luani me kartën e pushtetit, historia do të na gjykojë”, thuhet në fund të kumtesës.
FSHB-ja dhe FBK-ja tashmë kanë nisur përpjekjet për formimin e kësaj lige unike, duke shprehur bindjen se një gjë e tillë nuk do të bie ndesh me FIBA-n. Këtë iniciativë krerët e FSHB-së dhe ata të FBK-së e kanë marrë me qëllim të rritjes së cilësisë së basketbollit të Shqipërisë, por edhe atij të Kosovës, e po ashtu që klubeve kosovare t’u jepet shansi që nëpërmjet FSHB-së të depërtojnë nëpër gara evropiane, ngase Kosova vazhdon të mos njihet nga FIBA.
Ndërsa edhe në futboll disa herë është hedhur ideja për bashkimin e ligave, mirëpo FIFA e UEFA i kanë shuar shpresat për një bashkim të mundshëm, pasi është në kundërshtim me rregullat e tyre.