E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët e ‘shpëtuan’ Torresin

Fernando Torres nuk ndihet sikur ka fituar Ligën e Kampionëve ose FA Cup-ën me Chelsean sezonin e kaluar. Së paku jo në mënyrën siç do të dëshironte ai. Pas një viti të vështirë, Torres përfundoi si fitues në FA Cup dhe Ligën e Kampionëve dhe shtoi titullin historik në Euro 2012 me Spanjën ku rrëmbeu Këpucën e Artë.

Megjithatë, suksesi me të dyja skuadrat la një shije të hidhur pasi ai nuk ishte titullar në Chelsea por as te Spanja. Në Stamford Bridge, Torres kaloi gjashtë muaj pa shënuar dhe humbi vendin në formacionin bazë që nuk e fitoi as pas largimit të menaxherit Andre Villas-Boas dhe emërimit të Roberto di Matteos.

Ylli spanjoll nuk luajti në finalen e FA Cup-ës kundër ish skuadrës së tij Liverpool ndërsa u aktivizua si zëvendësues në përfundim të finales në Ligën e Kampionëve kundër Bayern Munichut ku Chelsea fitoi pas penalltive. Ai nuk ishte caktuar si ekzekutues.

“Sezoni i kaluar ka qenë shumë i vështirë për mua. Chelsea fitoi FA Cup-ën por unë nuk luajta në gjysmëfinale e as në finale. Nuk shijova asgjë”, deklaroi Torres për The Sun. “Kam qenë i përfshirë pak më tepër në Ligën e Kampionëve por edhe triumfi në këtë garë nuk ishte në mënyrën siç desha unë. Dua të fitoj një tjetër trofe të Ligës së Kampionëve por në mënyrë tjetër. Tifozët më ndihmuan shumë, kjo më shpëtoi”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›