E Shtunë, 31 Tetor 2026

Instalacioni i burgut të Lubonjës

Ditari i Fatos Lubonjës, i shkruar në vitin e 17-të të dënimit në burg, prezantohet në formë instalacioni në një festival arti në Mynih

Është viti i fundit. Paskëtaj do të ishte i lirë. Por kishin qenë kaq shumë vite. Plot 17, gjatë të cilave mati me centimetra qelinë e burgut, pa dritën e diellit të përthyer prej hekurash. Ishin 17 vjet rini e shkuar dëm.

Në një nga ngjarjet kulturore të rëndësishme të vitit në Gjermani, “Kuns im Karre” në Mynih, u fol edhe për Shqipërinë. Përmes një instalacioni, u prezantua jeta e një shqiptari që ka vuajtur në burgjet komuniste e bashkë me të dhe e gjithë të tjerëve që patën të njëjtin fat. Është artisti Genti Halili, që çon në Mynih një vepër ku flitet për një temë, e cila nuk është e panjohur për gjermanët. Por Halili, guxon e shkon edhe më tej. Ai ballafaqon dy jetë, njëra brenda e tjetra jashtë mureve të qelisë. Jetë të cilat mund të këmbeheshin me njëra-tjetrën. Për të realizuar punën e tij, Halili shfrytëzon ditarin e burgut të publicistit Fatos Lubonja, “Në vitin e shtatëmbëdhjetë”, i shkruar në periudhën kohore ’90-’91 dhe i botuar në vitin 1994. Punimi quhet “Fragmente nga viti i 17-të”. Pjesët e shkëputura nga libri, pjesë të instalacionit, janë përkthyer gjermanisht për të qenë të kuptueshme për publikun. Halili mbivendos tekstin e Lubonjës, mbi disa fotografi, disa prej të cilave tregojnë jetën familjare të një funksionari partiak.

“Në njëfarë mënyre nuk është vetëm një konfrontim i fatkeqësisë së të burgosurit politik me fatin e një funksionari partiak, por është një simbol, një pasqyrë e arbitraritetit stalinist, që mund të kishte kapur njërin, por mund të kishte kapur edhe tjetrin. Dy gjëra janë të rëndësishme atje, aktualiteti i zhdukjes së njerëzve nëpër burgje në emër të një sistemi, por edhe që fati i njeriut është komplet i pafuqishëm karshi vullnetit burokratik administrativ”, - thotë artisti për Agjencinë e lajmeve “Deutsche Welle”.

Kritikja e artit Nora Wagner gjen interesante në këtë instalacion pikërisht vendosjen përballë të këtyre jetëve, të një të burgosuri dhe një funksionari. Të dy jetojnë në vitin ’90, veçse njëri është në vitin e 17-të të burgimit, ndërsa tjetri i lirë.

“Kur ndodhesh në mes të këtij instalacioni dhe dëgjon tekstin, atëherë nuk e ndjen veten mirë. Krijohet një situatë e ngarkuar”, - thotë kritikja. Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Tekstin e shkruan një njeri i cili ka kaluar rininë në burg.

Fatos Lubonja ishte vetëm 23 vjeç kur e arrestuan për agjitacion e propagandë. Ishte viti 1974, kur u arrestua për herë të parë. Më 1979 dhe do të ridënohej dhe e vuajtidënimin deri në vitin 1991. Ishte 40 vjeç kur doli. Kalvarin e nisi në Tiranë, që nga hetuesia, për të kaluar më pas në Spaç, Ballsh, Qafë Bar, përsëri Spaç, Burrel, Kosovë e Madhe. Gjatë kohës që vuante dënimin shkruante. Aty kanë zanafillën disa prej veprave të tij. Vitin e fundit shkroi libër-ditarin “Në vitin e shtatëmbëdhjetë”, që do të bëhej një dëshmi për vuajtjet e të dënuarve politikë, në burgjet komuniste. Lubonja, tashmë gazetar dhe publicist i njohur ka botuar gjithashtu edhe veprat “Ploja e mbrame” (1994), “Ridënimi” (1996), “Liri e kërcënuar” dhe “Trashëgimia kulturore në rrezik” (1999-bashkautor me Artan Shkrelin).

Ditari i burgut është botuar në të njëjtin vit si në Tiranë, edhe në Itali, nën titullin “Diario di un intellectuale in un gulag Albanese”. Ndërsa një përmbledhje me ese e publicistit, “Shqipëria - liri e kërcënuar” është botuar në Poloni, nën përkthimin e Dorota Horodyskas. Lubonja ka fituar disa çmime e tituj kombëtarë e ndërkombëtarë, mes të cilëve “Colomba d’oro per la pace, premio giornalistico” Archivio Desarmo, COOP Itali, “Human Rights Monitor”, “Alberto Moravia” për letërsinë, Romë, “Herde Price for literature”, Hamburg, “SEEMO Aëard”.

Tema e mbijetesës në komunizëm nuk vinte vetëm nga Shqipëria. Sistemi komunist ishte po ashtu temë e instalacionit “Quitzoëstrasse”. Bazë është një dosje me gazeta lokale të Berlinit të viteve tetëdhjetë. Autori që ka jetuar po ashtu në Berlin thotë për “Deutsche Welle” se puna e tij është frymëzuar nga fakti që ai banonte në një zonë të Berlinit, ku e kishte shumë afër murin e famshëm, por edhe nga gjetja e tij. “Me gjetjen që bëra afër bodrumit, që ishte dosja me artikujt e mesit të viteve tetëdhjetë nga përditshmëria e gazetarisë së Berlinit, ku në mes të lajmeve tepër banale, që kanë të bëjnë me korrupsione të lehta të partive lokale, me marrjen e financimeve me ngritjen e çmimit të naftës, dalin edhe lajme që kanë të bëjnë me të vrarët e murit të Berlinit, por pa bujë, si lajme të vetëkuptueshme, si parashikimi i kohës për nesër”.

Instalacioni i kthen shikuesit mbrapsht në vitet ‘80 në Berlin, një kohë kur banorët e pjesës perëndimore dhe lindore të qytetit mendonin se muri do të qëndronte i ngritur edhe për 100 vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›