E Diel, 1 Nëntor 2026

Timori Lindor shumë afër njohjes së Kosovës

Mediat në Timorin Lindor i kanë kushtuar një vëmendje shumë të madhe vizitës së ministrit të Punëve të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, në këtë shtet. Ballinat e gazetave të përditshme kanë raportuar për vizitën dy ditëshe dhe takimet me përfaqësues të Timorit Lindor, që ka zhvilluar ministri Hoxhaj gjatë qëndrimit në Dili.

Gazeta më e madhe "Diario", në ballinën e saj shkruan se gjatë kësaj vizite, Hoxhaj është siguruar nga autoritetet e Timorit Lindor se shumë shpejt ky shtet do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Duke cituar ministrin e Jashtëm të këtij shteti, Luis Guterres, gazeta shkruan se kjo është vizita e parë e përfaqësuesve të Kosovës në këtë shtet, që nga pavarësimi nga Indonezia, 13 vjet më parë.

Gjatë takimeve që ka zhvilluar në Dili, sipas kësaj gazete, ministri Hoxhaj ka kërkuar njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga zyrtarët e lartë të Timorit Lindor.

"E kam ftuar ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, për të na informuar lidhur me zhvillimet dhe proceset që janë duke ndodhur në vendin tij. Kemi biseduar edhe për thellimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike", ka thënë ministri Guterres.

Për të marrë vendimin e njohjes formale të Kosovës, Guterres ka thënë se do të konsultohet edhe me kryeministrin, presidentin dhe Parlamentin e Timorit Lindor.

"Nuk kemi asnjë arsye legale, që mund të na pengojë ta njohim pavarësinë e Kosovës. Sipas Kushtetutës së Republikës së Timorit Lindor, shteti ynë përkrah shtetet që kanë luftuar për pavarësimin e tyre. Shumica e shteteve tashmë e kanë njohur Kosovën, duke përfshirë shtete aziatike, shtete të Bashkimit Evropian, SHBA-të. Prandaj, Timori Lindor do t’i bashkohet këtyre shteteve, që zyrtarisht e kanë njohur pavarësinë e Kosovës", ka shtuar Guterres.

Sipas tij, vizita e ministrit Hoxhaj në Timorin Lindor do të forcojë bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në fushën e arsimit dhe diplomacisë. Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës në Timorin Lindor është pritur nga protokolli i shtetit, derisa ka zhvilluar takime bilaterale me përfaqësuesit e këtij shteti.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›