E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet e ndërtimit, replika mes PD-së e Bashkisë

Bumçi: S'njohim leje në ditë pushimi. Shalsi: Bashkia punon edhe në ditë feste

TIRANË- Debate të ndërsjella janë shoqëruar dje mes Partisë Demokratike dhe Bashkisë së Tiranës, pas mbledhjes së dy ditëve më parë të Këshillit të Rregullimit të Territorit. Partia Demokratike ka akuzuar kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se ka abuzuar me lejet e ndërtimit, duke i dhënë ato në ditë pushimi, ndërsa nënkryetari i bashkisë, Eduart Shalsi, është përgjigjur se detyra e bashkisë është t'u shërbejë qytetarëve edhe në ditë feste.

"Grupi parlamentar i PD-së dënon këtë akt amoral e të paligjshëm, si një megakorrupsion të z. Rama, si dhe informon ndërtuesit, të cilët kanë marrë këto leje, se praktika e ditës së festës nuk do të pranohet nga kjo shumicë qeverisëse, ndaj do t'i kërkojnë z. Rama që t'u kthejë mbrapsht kaparin dhe ryshfetin që u kanë dhënë ditën e djeshme.

Edi Rama zgjodhi ditën e festës zyrtare, në kundërshtim me të gjitha ligjet e vendit, për të mbledhur KRT-në e tij dhe për të dhënë 30 leje ndërtimi, me të cilat ai përfiton, në varësi të vendit të ndërtimit, nga 100 mijë euro deri në dy kate ndërtim",- tha dje zëdhënësi i grupit parlamentar i PD-së, Aldo Bumçi.


Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi. "Zëdhënësi i koalicionit të Gërdecit, ministri i oborrit të familjes kryeministrore, nuk mund ta kuptojë se Bashkia e Tiranës punon edhe në ditë feste, ndërkohë që padroni i tij, Sali Berisha, vetëm shan dhe shpif.

Detyra jonë është të punojmë dhe t'u shërbejmë qytetarëve, ndërsa puna e vetme që dinë të bëjnë zëdhënësit e koalicionit të Gërdecit, është të lexojnë sharjet dhe shpifjet, që u dikton padroni i tyre, Sali Berisha, të cilit po i rrëshqet çdo ditë toka nën këmbë dhe i cili rrëshqet përditë e më poshtë, në llumin e shpifjeve dhe sharjeve, që dëshmon dëshpërim dhe mungesë të plotë arsyeje",- tha dje Shalsi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›