Vrasja e policëve, 50 mijë euro kush jep informacion për autorin
TIRANË- Dy numra telefoni në dispozicion dhe një shumë parash kush jep informacion për vendndodhjen e autorit që ekzekutoi mbrëmë dy policë në Kukës, teksa ishin në pritje për të marrë shërbimin.
Gjatë një konference për shtyp, drejtoria e Policisë së Shtetit ka deklaruar se vë në dispozicion në formën e shpërblimit, një shumë prej 50 mijë euro, për ata që japin informacion për vendndodhjen e autorit. "Policia garanton ruajtjen e anonimitetit. Në dispozicion vihen edhe dy numra telefoni 0694106434 dhe 0694106303 për të pritur informacione"- tha zëdhënësi Klodian Branko. Sipas policisë, të dy punonjësit e policisë janë ndodhur në këtë lokal për të pritur marrjen e shërbimit nga kolegët e tyre dhe për të vazhduar patrullimin në aksin rrugor Shënmëri - Qaf Shllak.
Në vendin e ngjarjes menjëherë ka mbërritur grupi hetimor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës, nën drejtimin e Prokurorit të rrethit gjyqësor Kukës, ndërkohë që nga Tirana janë nisur ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Prokurorë të Krimeve të Rënda.
"Nga tërësia e veprimeve të para rezulton se autori i kësaj ngjarje është shtetasi
Afrim Avdi Hasani, i ditëlindjes 1975, lindur dhe banues në Shënmeri, i cili ka qëlluar me armë zjarri automatike, që e mbante pa leje"- tha ai, duke sqaruar se në datën 17.03.2009, autori i kësaj ngjarje, person me precedente penale i dënuar më parë, është kallëzuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës nga dy inspektorët e lartpërmendur për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe shkatërrim të pronës së tjetrit, dhe ky është shkaku dhe motivi i këtij krimi të rëndë.
Për kapjen dhe arrestimin e autorit, janë angazhuar të gjitha forcat e policisë së qarqeve Kukës, Shkodër, si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të repartit RENEA.
09.24
Ekzekutimi i dy policëve në Kukës, aksion për kapjen e autorit
KUKËS- Forca të shumta policie janë angazhuar për kapjen e autorit të dyshuar për ekzekutimin e dy policëve mesnatën e mbrëmshme në Kukës. Sipas burimeve zyrtare, në vendin e ngjarjes ka mbërritur një grup i gjerë hetimor për hetimin e rrethanave të kësaj vrasjeje të rëndë, ndërsa pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për shkak të detyrës, por pa përjashtuar edhe pista të tjera. Pas ngjarjes në drejtim të Shëmrisë janë drejtuar forca të mëdha të policisë së Kukësit, ndërsa në ndihmë të tyre kanë udhëtuar nga Tirana edhe forca të RENEA-s si dhe krerët më të lartë të policisë së shtetit për të ndihmuar në kapjen e autorit të vrasjes.
Postblloqe të shumta të policisë janë ngritur jo vetëm përgjatë aksit rrugor Kukës - Shëmri - Qafë Mali, por edhe në aksin Fierzë - Qafë - Mali e në zona të tjera të rrethit, ku dyshohet se mund të lëvizë 26-vjeçari, Afrim Hasani. Gjatë natës operacionet e kërkimit kanë qenë mjaft të vështira jo vetëm për shkak të errësirës, por edhe të dëborës që është mbizotëruese në këtë rajon, gjë që ka bërë që deri në orët e mëngjesit të sotëm të mos arrihet ndalimi i vrasësit.
08.05
Masakër në lokal, vriten në pritë dy policë
KUKËS- Ekzekutohen në pritë dy policë teksa po përgatiteshin që të merrnin shërbimin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të ditës së djeshme në fshatin Shën Mëri të Kukësit në dalje të një lokali.
Vrasësi ka qëlluar pa paralajmërim duke lënë të vdekur në vend dy policët dhe më pas është larguar në drejtim të malit. Burime nga vendi i ngjarjes pohuan mesnatën e djeshme se viktimat janë dy policët Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila ndërsa autori i krimit është Afrim Hasani, 30 vjeç, i cili ka qenë i dënuar edhe më parë nga drejtësia shqiptare.
Deri mesnatën e djeshme, policia nuk ka mundur që të kryejë ende arrestimin e autorit për shkak të largësisë së vendit të ngjarjes nga qyteti i Kukësit por edhe motit të keq.
Ngjarja
Dëshmitarë okularë nga vendi i ngjarjes pohuan mbrëmjen e djeshme për "Shekullin" se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22.00. Dy policët Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila ndodheshin në një prej lokaleve buzë rrugës në fshatin Shën Mëri të Kukësit. Ata ishin në pritje të marrjes së shërbimit ndërsa pronari i lokalit ishte duke bërë pastrimet e fundit përpara se ta mbyllte.
Përveç tyre në lokal nuk ndodhej asnjë person tjetër. "Afrim Hasani ka hyrë në lokal në momentin që dy policët po hynin brenda. Ai i tha pronarit që të hapej sepse nuk kishte punë me të dhe nisi që të qëllonte me automatik në drejtim të dy policëve",- thanë burimet nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e plumbave të dy policët kanë mbetur të vdekur në vend ndërsa pronari i lokalit nuk ka marrë asnjë dëmtim. Pas kësaj, autori është larguar në drejtim të malit për t'i shpëtuar policisë.
Motivi
Burimet e policisë pohuan dje se nga të dhënat e para është mësuar edhe motivi i këtij ekzekutimi. Pak ditë më parë, dy policët Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila kishin kryer një kontroll në banesën e Afrim Hasanit në fshatin Petkaj. Ky i fundit nuk e ka mirëpritur këtë veprim të policisë të katër ditëve më parë dhe ka planifikuar hakmarrjen.
Duke i njohur mirë zakonet e dy policëve, u ka zënë pritë atyre në vendin ku ata qëndronin për herë të fundit përpara se të merrnin shërbimin. Krerët e policisë së Kukësit pohuan mesnatën e djeshme se kanë lokalizuar vendin se ku është fshehur vrasësi por ende nuk kanë arritur që të bëjnë arrestimin e tij.
Ndërkohë vetë kreu i policisë, Ahmet Prençi, është nisur në drejtim të Kukësit. Ai pohoi se e gjithë policia e prefekturës së Kukësit është mobilizuar për të kryer arrestimin e vrasësit të dy policëve.