E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peçini fiton ‘Prishtinën’

Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës (UP), të hënën u njoftua për emrin e fituesit të konkursit për shtatoren e Hasan Prishtinës. Fituese doli të jetë zgjidhja ideore e profesorit të Universitetit të Tiranës, Artan Peçini, shtatorja e të cilit do të vendoset para Rektoratit të UP’së. Nga Express më 31 maj 2011 në ora 07:52

Artan Peçini është fitues i konkursit për shtatoren e Hasan Prishtinës, e cila do të vendoset para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Kështu u vendos nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, ku edhe u mbajt një konferencë për shtyp me qëllim të publikimit të emrit të fituesit të konkursit të shpallur muaj më parë. Ndërkohë në konkursin për idejimin e skulpturës tri-metërshe të Hasan Prishtinës konkurruan shtatë artistë.

Komisioni i përbërë nga rektori i UP’së, Mujë Rugova, skulptori dhe dekani i fakultetit të Arteve, Adem Rusinovci, piktorja dhe profesoresha e këtij fakulteti, Zake Prelvukaj, profesori dhe arkitekti Xhelal Llonçari dhe nga profesori i historisë, Selim Daci, përzgjodhën të hënën modelin e shtatores që do të qëndrojë në pikën më të dukshme, pranë Rektoratit.

“Konform kërkesave dhe rregullave të konkursit komisioni ka bërë përzgjedhjen e bocetës së Artan Peçinit”, njoftoi rektori Rugova, përderisa për procesin e përzgjedhjes artistike të veprës foli skulptori Rusinovci.

“Sipas kërkesave të parapara me konkurs, janë marr parasysh vetëm tri nga shtatë punimet. Kjo, për faktin se ato nuk i janë përmbajtur rrjedhës së konkursit”, sqaroi Rusinovci.

Përveç figurës në bocelë, në konkurs ishte kërkuar edhe portreti i figurës së Hasan Prishtinës, me qëllim të nxjerrjes në pah të konceptit dhe karakterit të personalitetit të figurës në fjalë.

Realizimi i shtatores do të kushtojë 75,000 euro dhe par zbulimit të saj (28 nëntor të këtij viti) do të mbahet edhe një simpozium i organizuar nga UP’ja kushtuar figurës emblematike shqiptare, sqaroi rektori Rugova.

Sponsor i projektit të shtatores së Hasan Prishtinës janë PTK, me 50,000 euro, Ministria e Kulturës me 30,000 euro, KEK me 20,000 euro dhe Ibër-Lepenci me 5,000 euro.

Radhitja e fituesve:

1. Arkimed - Artan Peçini, profesor universitar nga Tirana;
2. Artiko - Luan Mulliqi, skulptor që shpërblehet me 2000 euro;
3. Pmn. Shpk. - Zenun Tolaj nga Tirana, që do të shpërblehet me 1000 euro;

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›