E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana – Dinamo 1-2. Përgjaket derbi

(ALBANIA SPORT) – Katër kartonë të kuq, tre gola, penallti, sherre e grushte midis lojtarëve, konfrontim midis tifozëve në fushë, ndërhyrje fortë e policisë për të vënë rregull, e më në fund fitore 2-1 e Dinamos, në një pjesë të dytë që zgjati gati 60 minuta, e me blutë (45 pikë) që kryesojnë me 15 më shumë se Besa e vendit të dytë (30, një ndeshje më pak) dhe 16 pikë më shumë se Tirana e vendit të tretë (29).
Kjo ishte panorama e ndeshjes kyçe të Kampionatit të 71-të Kombëtar shqiptar të futbollit, Tirana-Dinamo, e ndjekur “live” në tribunën “VIP të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, thuajse i gjithë stafi i Federatës Shqiptare të Futbollit, përfshirë dhe trajnerin e Kombëtares, Josip Kuzhe.
Alban Tafaj, trajneri i dytë sezonal i Tiranës, i cili pësoi humbjen e dytë personale në përballjen me Dinamon, foli i revoltuar pas ndeshjes: “Ky ishte një përdhunim i futbollit. Ky është një turp shumë i madh, pasi Dinamo po favorizohet shumë hapur. Ata nuk meritojnë të shpallen kampionë”.
Të njëjtat tone mbajti edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili, i cili bëri të mundur zhvillimin në dritën e projektorëve, pasi bosi bardheblu i dhuroi stadiumit transformatorin, pas atij që u dogj në Gramozi-Real Madrid.
“Sot mori fund futbolli. Federatë është e korruptuar. Do t’i çoj në prokurori që të nisin hetimet për këtë ndeshje”, - tha Halili, donatori që financon prej gjashtë vitesh klubin financiar më të pasur në Shqipëri. 
Derbi Tirana-Dinamo, një ndeshje e luajtur në ndriçimin e projektorëve (kësaj herë nuk iku energjia si në ndeshjen Gramozi-Real Madrid), e nisur në mënyrë festive (tifozeri shumë entuziaste), por e përfunduar në mënyrën më të shëmtuar, nga lojtarët dhe stafet e dyja skuadrave, që së bashku kanë fituar jo pak, por 39 nga 70 kampionatet e përfunduara, për më tepër që luante kampionia në fuqi, Tirana, me skuadrën që e ka prekur me një dorë titullin, Dinamo.
Ndeshja e dha sinjalin e parë të tensionit në minutën e 7-të kur mbrojtësi i Tiranës dhe i Kombëtares U-21, lezhjani 20-vjeçar Ditmar Bici, u ndëshkua me karton të kuq e duke lënë bardhlutë me 10 lojtarë për pjesën tjetër të ndeshjes. Dukej se u përsërit e njëjta skenë si e takimit të fazës së parë, kur dhe në atë takim të humbur nga Tirana, po 2-1 (java 7), pikërisht në debutimin në bankinë të trajnerit Alban Tafaj, u ndëshkua me karton të kuq, sulmuesi bardheblu Migen Memelli, i rikthuer pas një dëmtimi disamujor.
Tirana ia del të rivendosë ekuilibrat në fushën e lojës edhe pse me një lojtar më pak, dhe në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, anësori Gjergji Muzaka fitoi një penallti, duke e shndërruar po vetë në gol, e duke mbyllur çuar bashkëlojtarët e tij në dhomat e zhveshjes në avantazh.
Fraksioni i dytë është një thriller i vërtetë, për nga interpretimi i lojës dhe incidenteve të ndodhura. Julian Ahmataj i Tirnanës në minutën e 60-të i kishte të gjitha mundësitë të shënonte golin e dytë për skuadrën e tij, përpara se portieri i 24-herë kampionëve të Shqipërisë, 38-vjeçari Blendi Nallbani, të frenonte në mënyrë të parregullt jashtë zone një lojtar të Dinamo.

Gjyqtari Bardhyl Pashaj ndëshkoi më karton të kuq lojtarin më të moshuar të Tiranës, duke i lënë bardheblutë edhe me një lojtar më pak: 9 lojtarë të kampionëve në fuqi, kundrejt 11 të Dinamos. Një ndeshje tërësisht e barabartë përsa i përket numrave të lojtarëve, por historia nis e bëhet më tragjike. 
Trajneri Alban Tafaj bëri një ndërrim të detyruar, teksa në vend të autorit të golit, Gjergji Muzakës, fut në fushë portierin e dytë Pece Korunovskin. Elis Bakaj ekzekutoi mjeshtërisht goditjen e lirë dhe argjentinasi Lukas Malarkane me një gjuajtje të zgjuar mposhti portierin maqedonas të Tiranës, në minutën e 67-të.
Dinamo rifitoi qetësinë dhe tri minuta përpara përfundimit të takimit Elis Bakaj shënoi golin e dytë të bluve që vulosi edhe fitoren, që provokoi direkt edhe sherrin më të madh që ka njohur ndonjëherë “Qemal Stafa”, ndoshta në orët e fundit të këtij stadiumi me emrin e heroit komunist të vrarë, 67 vjet më parë, më 5 maj 1942.
Gjithçka më pas nuk është futbolli, por një turp për dy skaudrat e elitës shqiptare të futbollit dhe në mes të kryeqytetit shqiptar, jo në ndonjë fushë të kategorisë së dytë.
Kapiteni i Tiranës, Devi Muka, goditi me shkelm e më pas me grusht sulmuesi e Dinamos, Elis Bakajn, menjëherë sapo lojtari më i mirë shqiptar i vitit 2009 shënoi golin e fitores për kryesyesit e kampionatit dhe të 11-in sezonal. Bakaj doli nga fusha i gjakosur dhe i fashuar.
Tifozët e të dyja skuadrave hynë në fushë, ndërkohë që në tapetin e “Qemal Stafës”, policia ndërhyri për të rivendosur rregullin. Ndeshja rinisi pas disa minutash ndërprerje dhe Tirana pati një mundësi të artë në minutën e 6-të shtesë, por portieri Kotori reagoi në mënyrë të shkëlqyer duke shangur pësimin e golit të dytë.
Gjithsesi, pas dhjetë minutash shtesë në fraksionin e dytë (në Vlorë shtesa e pjesës së parë në Flamurtari-Besa zgjati plot 15 minuta), Dinamo doli fituese me meritë e takimit, duke zgjatur diferencën me ndjekëset e saj më të afërt, Besën e Tiranën, respektivisht me 15 dhe 16 pikë, por kavajasit kanë një ndeshje më pak, pasi të mërkurën do të luajnë kundër Skënderbeut në Korçë, ndeshjen e prapambetur të javës së 16-të.
“Ishte një derbi me emocion, nga ana teknike fitore e rëndësishme. Dinamo është ekipi më i mirë i kampionatit, ka më shumë pikë dhe ka zhvilluar ndeshje më të mira”, - tha pas ndeshjes, trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, i cili me sa duket është në fitimin e titullit të katërt si trajner, teksa tre të parët i ka fituar si trajner i Tiranës, kundërshtarit ndaj të cilit triumfoi për herë të dytë këtë sezon.

Kategoria Superiore
Java 18
24.01.2010
Flamurtari-Besa      1-0
Shënues: Ardit Shehaj 13’
Laçi-Teuta            0-0
Gramozi-Apolonia      1-0
Shënues: Klodian Semina 41’
Skënderbeu-Kastrioti  0-1
Shënues: Oriand Abazaj 38’
23.01.2010
Shkumbini-Vllaznia   2-1
Shënues: Fejzo Shënaj 34’ , Altin Grbovic 66’ / Ndriçim Shtubina 56’
 
25.01.2010
Tirana-Dinamo 1-2
Shënues Gjergji Muzaka 45’+1 (p)/ Lucas Malarcane (67’), Elis Bakaj (87’).
RENDITJA
1 Dinamo    18  45
2 Besa    17  30
3 Tirana    18  29
4 Teuta    18  26
5 Apolonia   18  25
6 Shkumbini   18  24
7 Laçi    18  22
8 Kastrioti   18  22
9 Vllaznia   18  19
10  Flamurtari   18  18
11 Gramozi   18  18
12 Skënderbeu   17  15Burimi: Albania-sport.comE Hene, 25 Janar 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›