Turpëruese, miq

Xhiroja e 18-të në Superligën e Shqipërisë, i ka qitur një hije të keqe futbollit shqiptar. Pas ndeshjes së tensionuar, në Vlorë, ndërmjet Flamurtarit dhe Besës së Kavajës, derbi ndërmjet Tiranës dhe Dinamos ka përfunduar në mënyrë të turpshme.
Në fushë dhe jashtë saj është parë gjithçka, që nga tensioni, katër kartonë të kuq, tre gola, penallti, sherre e grushte midis lojtarëve, konfrontim midis tifozëve në fushë, ndërhyrja e fortë e policisë për të vënë rregull, e deri te një “i plagosur” që përfundon me urgjencë në spital.
Askush nuk u druajt, që në tribunën VIP të “Qemal Stafës” ishin edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i gjithë stafi i Federatës Shqiptare të Futbollit, përfshirë dhe trajnerin e Kombëtares, Josip Kuzhe.
Por të gjithë ata që ishin në fushë, i dhanë rëndësi vetëm rezultatit, që për ta, duhej të arrihej me çdo kusht, me çdo mënyrë, deri edhe në ekstrem.
Në fund është Dinamo, ajo që triumfoi sërish: 2-1 dhe vendosi një dorë te titulli i 18-të i saj.
Derbi Tirana-Dinamo, nisi me shumë entuziazëm mes tifozerive, por përfundoi në një mënyrë të shëmtuar.
Sinjali i parë i tensionit u dha në minutën e 7-të, kur mbrojtësi i Tiranës, Bici, u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Tiranën me 10 lojtarë për pjesën tjetër të ndeshjes.
Edhe pse me një lojtar më pak, në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Muzaka fitoi një penallti, duke e shndërruar po vetë në gol.
Pjesa e dytë ishte një katrahurë e vërtetë, nga ajo që u pa në fushë dhe jashtë saj, gjë që e bëri të zgjasë më shumë se 60 minuta.
Ahmataj humbi një rast të mirë për Tiranën (60’).
Pak minuta më vonë, Nallbani ndal në mënyrë të parregullt jashtë zone një kundërshtar dhe meriton kartonin e kuq, duke i lënë Tiranën me 9 lojtarë, kundrejt 11 të Dinamos.
Muzaka i lë vendin portierit Korunovski. Malakarne kthen në gol asistin e Bakajt nga goditja e lirë (67’). Tri minuta para përfundimit, Bakaj shënon golin e dytë, që provokoi një sherr të madh.
Gjithçka që ndodh më pas nuk ka lidhje me futbollin dhe dhuna ulet këmbëkryq në “Qemal Stafa”.
Kapiteni i Tiranës, Devi Muka, konfrontohet fizikisht me Bakajn dhe ky i fundit braktis fushën i gjakosur dhe i fashuar për t’iu drejtuar spitalit.
Tifozët e të dyja skuadrave hynë në fushë, ndërkohë që vetëm ndërhyrja e policisë për të rivendosur rregullin rikthen një farë normaliteti.
Ndeshja rinisi për pak minutat e mbetura. Fërshëllima e fundit i lë vendin sërish sherrit, i cili ishte transferuar tashmë në dhomat e zhveshjes mes lojtarëve të të dyja skuadrave.
Një turp i vërtetë, por që i vuri kapak një derbi të jashtëzakonshëm.