Berisha: Respektojmw shtetin ligjor,Urban: Veproni si SHBA
Kryeministri i Hungarisë: “Ju duhet të shikoni votat, të numëroni votat, fletët e votimit. Është gjë e mirë që edhe televizioni tashmë i trajton këto. Pas kësaj, ju duhet të mbështeteni rehat-rehat në karriget e kolltukët tuaja, e të lejoni gjykatat të marrin vendimin përkatës. Kjo ndodhi në Amerikë”.
TIRANË Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se rezultati i ngushtë për Tiranën është një test për institucionet. “Zgjedhjet që u zhvilluan në Shqipëri, në tërësi përfunduan në një kohë të shkurtër dhe ishin me rezultate më të qarta. Në Tiranë ishte një rezultat i ngushtë, vlerësimi i të cilit është në proces e sipër nga institucionet e vendit. Rezultati i ngushtë është test për këto institucione, të cilin unë jam i bindur se do e kalojnë me sukses të plotë”, - tha Berisha në konferencën e djeshme për shtyp, të zhvilluar me homologun e tij hungarez Viktor Orban. Ky i fundit ishte dje në Tiranë për një vizitë zyrtare i ftuar nga Kryeministri Berisha. Kreu i ekzekutivit ka siguruar edhe njëherë se do të zbatojë çdo vendim të Kolegjit Zgjedhor. “Në themelin e çdo sistemi, ligji bazë është numërimi i çdo vote. Sot është një gjykim dhe nuk ka asnjë mëdyshje se shteti ligjor do të respektohet në çdo rast. Pra në qoftë se ne mbrojmë bindjet tona, bindja jonë më e thellë është se një shoqëri nuk mund të jetë e lirë pa funksionimin e shtetit ligjor. Kështu që ne qëndrojmë në respektim të plotë të vendimit të institucioneve, edhe kur na pëlqejnë, edhe kur nuk na pëlqejnë”, - tha ai. Nga ana e tij, edhe Kryeministri i Hungarisë, Viktor Urban, duke mos dashur që të bëhet pjesë e politikës së brendshme, ka sqaruar se në parim ai është për numërimin e votës, duke marrë si referencë SHBA-në. “Tani unë nuk dua që t’i fyej shqiptarët, duke ndërhyrë në punët e tyre të brendshme, por e vetmja gjë që mund të themi në parim është në të tilla raste, ju lutem mund të bëni atë që kanë bërë amerikanët. Ka ndodhur një herë, apo jo? E keni parë në televizor, unë e kam parë në televizor. Ju duhet të shikoni votat, të numëroni votat, fletët e votimit. Është gjë e mirë që edhe televizioni tashmë i trajton këto. Pas kësaj, ju duhet të mbështeteni rehat-rehat në karriget e kolltukët tuaja e të lejoni gjykatat të marrin vendimin përkatës. Kjo ndodhi në Amerikë. Më falni, por unë nuk kam ndonjë këshillë, sugjerim më të mirë, sesa kjo praktikë amerikane”, - tha ai. Duke kujtuar vizitën e tij të parë në Tiranë, 10 vite më parë, dhe duke hequr një paralele me situatën aktuale, Kryeministri hungarez sugjeroi që debatet e brendshme t’i zgjidhin vetë shqiptarët. “Unë kam qenë këtu edhe 10 vjet më parë dhe në atë kohë ishte një familje tjetër politike që qeveriste këtë vend dhe në atë kohë, Kryeministri i tanishëm ka qenë në opozitë. Por unë edhe atëherë e takova Kryeministrin e sotëm. Megjithëse në atë kohë, duhet të them se ishte vërtet shumë e vështirë ta takoje, se kishte një lloj bllokade ndaj tij. Pra, në rast se ka një person që nuk do të çuditet nga debati i tanishëm politik në Shqipëri, ky person jam unë, sepse mendoj se debatet e brendshme politike janë çështje të vetë shqiptarëve dhe unë dëshiroj që populli shqiptar t’i zgjidhë këto debate të brendshme politike”, - tha ai. Duke mbështetur këtë logjikë, kryeministri Orban theksoi se një komb duhet të drejtohet nga dëshirat e mendjeve dhe zemrat e tyre. “Ndaj, ju lutem, mos dëgjoni askënd tjetër për këtë gjë. Bëjeni në mënyrën që është në interesin më të mirë të Shqipërisë e shqiptarëve dhe mendoni për vendimin më të mirë, që është ai vendim që ju bën ju të jetoni më mirë, të bëni një jetë sa më të mirë, për një kohë sa më të gjatë. Sepse në rast se do të merrni një vendim që do të jetë nën ndikimin dhe influencën e të huajve, ka mundësi që atë ditë dhe në ato momente, ju ta ndjeni veten të lumtur, por një javë më vonë, ju do ta ndjeni veten keq. Kjo është ajo çka unë propozoj për ju. Pra vendosni në mënyrën më të mirë për shqiptarët dhe Shqipërinë”, - tha ai.