E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, 5500 studentë të rinj në part-time e master

Në të tria ciklet e studimit të Universitetit të Tiranës pritet që këtë vit të pranohen më shumë se 12 000 studentë.Gazeta, pak ditë më parë publikoi propozimet për kuotat e pranimit që UT i ka dërguar tashmë në Ministrinë e Arsimit. Të ndarë sipas fakulteteve janë 5620 studentë që do të ulen për herë të parë në auditorë. Por krerët e UT-së bëjnë me dije se pritet që në sistemin part-time të pranohen rreth 2500 kandidatë. Po kështu, për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve do të jenë në dispozicion të aplikantëve më shumë se 3000 kuota. Propozimet e fakulteteve tashmë janë bërë e dërguar në MASH. Pritet që në javët në vijim qeveria të miratojë numrin e saktë të kuotave. Nga sa ka deklaruar pak kohë më parë Ministria e Arsimit, kuotat e pranimit në universitetet publike do të jenë 10% më të larta për vitin e ardhshëm akademik. Sipas tyre, rritja e numrit të maturantëve që ndjekin shkollat e larta është një nga prioritetet e këtij dikasteri. Por, shtesat do të bëhen në ato degë, të cilat janë më pranë tregut të punës dhe ku mendohet se vendi ka nevojë për kuadro të ardhshëm. Këto politika shkojnë në të njëjtën vijë me premtimet e Kryeministrit për të rritur pranimet në  universitete. Rritja me 10 për qind më shumë e pranimeve do të prekë të tria ciklet e studimit. Megjithatë, prioritet për të drejtat e studimit këtë vit do të kenë Shkencat Teknike, Shkencat e Natyrës, Ekonomia dhe Administrimi, Shkencat e Jetës dhe Gjuhët e Huaja. Për këto lloj profesionesh edhe tregu i punës raporton të ketë më shumë nevojë. Rritja e kuotave do të ndihet më pak në degët që raportojnë një fluks të lartë kërkesash. Për këto degë, gjatë viteve të fundit numri i kuotave të pranimit ka ardhur në rritje të vazhdueshme, ndërkohë që zgjerimi i kapaciteteve ka qenë në nivele të ulëta. Për shkak të kësaj situate, edhe rritja e kuotave do të jetë e kushtëzuar. Universitetet kanë propozuar gjithashtu që për vitin e ardhshëm akademik të shtohet numri i pedagogëve. Maturantët, gjatë këtij muaji do t’u nënshtrohen testimeve paraprake sipas modeleve të testeve të Maturës Shtetërore. Sipas specialistëve të AVA-s, me anë të tyre mësuesit do të shohin cilat janë problemet që kanë nxënësit. Aty ku vërehen mangësi, gjatë muajit maj do të punohet më shumë me nxënësit. Këtë vit, për herë të parë maturantët japin 4 provime të detyruara. Nëse nuk arrijnë të marrin notë kaluese në të paktën njërin prej tyre, atëherë nuk mund të pajisën me diplomën e maturës. Për rrjedhojë, ata nuk mund të konkurrojnë për në shkollat e larta.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›