Tirana, 92 vjet Kryeqytet. Berisha: Tirana i jep nder dhe krenari çdo shqiptari. Basha: Sot nisim projektin e Tiranës europiane, kryeqendër e denjë për shqiptarët

92 vjet më parë, qeveria e sapo krijuar e Sulejman Delvinës zgjedh si kryeqytet të Shqipërisë, Tiranën. Anëtarët e Këshillit të Lartë, së bashku me pjesëtarët e qeverisë dhe Këshillit Kombëtar hynë në Tiranë, duke filluar kështu jetën e Tiranës si kryeqytet, më 11 Shkurt 1920. Në përkujtim të kësaj date historike dhe në jubileun e 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë, Bashkia e Tiranës me mbështetjen e Muzeut Historik Kombëtar organizuan konferencën historike me temë: “Tirana, në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë”.
Në këtë konferencë u evidentua kontributi i Tiranës dhe figurave të saj, në këtë ngjarje Kombëtare. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha tha se krahas kujtimit të kësaj date historike për Tiranën dhe nderimit të veprës atdhetare të familjeve të shquara dhe patriotike të Tiranës, është momenti për të filluar projektimin e Tiranës Europiane:
“Jemi mbledhur sot këtu, për të kremtuar 92-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet. Ky është një moment për t’u ndalur, kujtuar se çfarë ka ndodhur 92 vjet më parë dhe për t’u përulur me nderim, respekt dhe mirënjohje para veprës atdhetare të familjeve të shquara dhe patriote të Tiranës, Toptanëve, Gjinalëve, Kalliu, Beshiri, Petrela, Bakiu, Turdiu, Jarani, Preza, Llagami, Fortuzi, Dalliu, Myderizi, Mara, Ndroqi, Hallulli, Këlliçi, Karapici, Stërmasi, Begeja e shumë të tjerë, por është po kështu momenti për të filluar projektimin e Tiranës europine, si një kryeqendër të denjë të shqiptarëve”- tha kryebashkiaku, Lulzim Basha. Basha shprehu angazhimin, për ta bërë Tiranën, qytetin më mikpritës të shqiptarëve, shpresën e qytetarëve të saj, qytetin e shanseve dhe mundësive më të mëdha për të gjithë. “Që nga 1913, Tirana u shndërrua në qytetin më mikpritës të shqiptarëve. Për dekada me radhë, Tirana ishte qytet i shpresës për çdo shqiptar, por sot detyra jonë është që ta bëjmë Tiranën shpresën e qytetarëve të saj, qofshin autoktonë apo të ardhur, banorë të përhershëm apo të përkohshëm, ta bëjmë atë qytetin e shanseve dhe mundësive më të mëdha për të gjithë. Tirana europiane është prioriteti ynë dhe nuk mund të ketë destinacion tjetër për kryeqytetin tonë. Pas 100 viteve pavarësi dhe në këtë 92-vjetor të shpalljes së tij si kryeqytet, Tirana është më afër Brukselit, më afër Uashingtonit, më afër Romës dhe shumë qendrave të tjera të rëndësishme të botës. Sot, ne jemi gjithashtu më afër Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Tuzit, Ulqinit, Preshevës dhe shumë qyteteve të tjera ku jetojnë shqiptarët. Tirana ka një mision dhe unë jam i lumtur, që ne të gjithë jemi pjesë e tij. Misioni është “Tirana evropiane”, për banorët e saj dhe gjithë shqiptarët”- vlerësoi ai.
I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr.Sali Berisha. Zoti Berisha e ka konsideruar datën e shpalljes së Tiranës kryeqytet, si një nga datat më të mëdha të historisë së përpjekjeve të shqiptarëve, për ndërtimin e shtetit, për liri dhe dinjitet:
“Ata burra që morën vendimin për të shpallur Tiranën kryeqytet, në një akt madhor mençurie, u nisën sigurisht nga shumë faktorë, por njeri ishte pa mëdyshje më kryesori dhe kjo ishte zemra e tiranasve, bujaria e tyre, mikpritja e tyre, virtyti i tyre, atdhedashuria e tyre”- tha kryeministri.
Sipas Kryeministrit të Shqipërisë, Tirana para së gjithash dhe mbi të gjitha, ishte kryeqyteti politik i shqiptarëve dhe i udhëheqjes së lëvizjeve të mëdha politike të kombit:
“Tirana është epiqendra politike e shqiptarëve, është zemra dhe truri i kombit, por mbi të gjitha Tirana është ëndrra e shqiptarëve, ëndrra më e bukur e tyre, ndaj dhe zoti kryetar, duhet tu përgëzoj për frymën qytetare që keni rikthyer me të gjithë ekipin tuaj, në një kohë të shkurtër, në këtë qytet të mrekullueshëm, i cili para së gjithash dhe mbi të gjitha kërkon tu frymëzojë ju, të na frymëzojë ne, të frymëzojë gjithë politikanët, drejtuesit, me virtytet e shpirtit dhe zemrës së saj”.
Në këtë 92 vjetor të shpalljes kryeqytet, sipas Kryeministrit Tirana është lokomotivë e zhvillimit ekonomik. Sot Tirana, nënvizoi kreu i ekzekutivit i jep nder dhe krenari çdo shqiptari dhe shqiptareje:
“Sot ne festojmë 92 vjetorin e lindjes së kryeqytetit. Datën si qytet e ka shumë më të largët, por e festojmë në një kryeqytet të një vendi anëtar të NATO-s; e festojmë në një kryeqytet, i cili krijoi çdo ditë, çdo javë, çdo muaj vlera të mëdha evropiane; e festojmë në një kryeqytet që është sot, lokomotivë kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit; e festojmë në një kryeqytet që i jep nder dhe krenari çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje kudo që ndodhet, në Shqipëri dhe në botë.”
Në konferencë është kumtuar historia e qytetit, që nga fillesat në paleolitin e vonë e deri në shpalljen e saj kryeqytet i Shqipërisë, me zhvillimin e dinamikën e saj ekonomike, urbanistike, sociale e kulturore. Referues në këtë konferencë ishin studiuesit dhe historianë si: Neritan Ceka, Nevila Nika, Valentina Duka, Ilira Çaushi. Një rrëfim se si u bë Tirana kryeqytet dhe përshendetje e veçantë erdhi në këtë konferencë nga Prof.Dr. Kristo Frashëri, një rrëfim që nis me historinë dhe përjetimin e tij personal:
“Unë nuk kam lindur në Tiranë, kam ardhur në Tiranë kur isha 7 vjeç, para 85 viteve, më 1927. Në atë kohë, Tirana kishte vetëm puse, ujësjellësa nuk kishte. Thoshin në atë kohë, pleq të thjeshtë tiranas që thoshin “Tironë”, që “po pive 40 kova ujë je bërë tiranas”. Unë kam pirë jo 40, por kam pirë nja 4000 kova ujë, kështu që unë e ndiej veten tiranas. E bëj këtë për të thënë se e ndiej veten krenar që jam tiranas dhe ia kushtoj këtë dashuri, punës që bëra për historinë e Tiranës”
Në konferencë ishin të pranishëm Prefekti i Tiranës z. Keltis Kruja, Kryetari i Këshillit të Qarkut z. Tahsim Mema, Kryetari i shoqatës “Tirana” z. Arben Tafaj, historianë dhe studiues, përfaqësues të familjeve të njohura tiranase etj. Konferenca u shoqërua nga shfaqja e filmit të marrë nga arkiva, me Tiranën e viteve 1914 – 1935, foto historike nga ekspozita: “Tirana nga fototeka Marubi”.
Në vijim fjala e plotë e Kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha, Kryeministrit Sali Berisha dhe historianit Kristo Frashëri:
I nderuar z.Kryeministër, shumë të nderuar pjesëmarrës!
“100 vjet më parë, askush në Tiranë nuk e dinte se çfarë fati e priste këtë qytet dhe në çfarë kohërash e sfidash do të kalonte. Kanë ndodhur shumë ndryshime dramatike, por 100 vjet më pas, një gjë ka mbetur e njëjtë, e konservuar me kujdes në ndërgjegjjen dhe qytetarinë e këtij qyteti, pasioni dhe dashuria për lirinë.
Jemi mbledhur sot këtu, për të kremtuar 92-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet. Ky është një moment për t’u ndalur, kujtuar se çfarë ka ndodhur 92 vjet më parë dhe për t’u përulur me nderim, respekt dhe mirënjohje para veprës atdhetare të familjeve të shquara dhe patriote të Tiranës, Toptanëve, Gjinalëve, Kalliu, Beshiri, Petrela, Bakiu, Turdiu, Jarani, Preza, Llagami, Fortuzi, Dalliu, Myderizi, Mara, Ndroqi, Hallulli, Këlliçi, Karapici, Stërmasi, Begeja e shumë të tjerë, por është po kështu momenti për të filluar projektimin e Tiranës europine, si një kryeqendër të denjë të shqiptarëve.
Që nga 1913, Tirana u shndërrua në qytetin më mikpritës të shqiptarëve. Për dekada me radhë, Tirana ishte qytet i shpresës për çdo shqiptar, por sot detyra jonë është që ta bëjmë Tiranën shpresën e qytetarëve të saj, qofshin autoktonë apo të ardhur, banorë të përhershëm apo të përkohshëm, ta bëjmë atë qytetin e shanseve dhe mundësive më të mëdha për të gjithë. Tirana ishte dhe vazhdon të jetë një qytet i etur për liri. Pikërisht në kryeqytetin tonë ndodhën ngjarjet e mëdha që sollën rënien e diktaturës komuniste, në sheshin “Skënderbej”, aty ku fillimisht kryqëzoheshin vetëm rrugët që lidhnin viset shqiptare, 22 vjet më parë morri jetë ëndrra jonë europiane. Tani që kemi hyrë në vitin e 100-të të pavarësisë së shtetit shqiptar, Tirana ka rritur përmasat e saj gjeografike, demografike, kulturore dhe politike. Kryeqyteti ynë mbetet qendra e gravitetit të shqiptarëve, qendër e artit, kulturës, sportit, shkencës, politikës dhe ekonomisë. Tirana është qytet i bashkëjetesës fetare. Kjo është sigurisht një kënaqësi dhe privilegj, por njëkohësisht edhe përgjegjësi, përgjegjësi për të qenë një qytet europian, lokomotivë në rrugën e integrimit europian të shqiptarëve. 100 vjet pavarësi meritojnë një Tiranë europiane.
Bashkia e Tiranës është e angazhuar që ta bëjë qytetin tonë, me ritme shumë të shpejta, qendrën europiane të shtetit shqiptar. Tirana nuk do të jetë thjesht për konvencion, kryeqyteti i Shqipërisë, do të jetë realisht qendra rrezatuese e vlerave tona të përbashkëta, e vlerave më të mira të shqiptarëve, qoftë dhe e vlerave të njëjta që ndajmë me qytetarët europianë, një qytet i lirë dhe i shanseve të mëdha, qytet ku bashkëjetohet hap pas hapi me modernen, por ku respektohet dhe ruhet trashëgimia, qytet bujar dhe mikpritës, i denjë për elitat intelektuale dhe kulturore, qytet europian i 100 mijë studentëve. Tirana europiane është prioriteti ynë dhe nuk mund të ketë destinacion tjetër për kryeqytetin tonë. Pas 100 viteve pavarësi dhe në këtë 92-vjetor të shpalljes së tij si kryeqytet, Tirana është më afër Brukselit, më afër Uashingtonit, më afër Romës dhe shumë qendrave të tjera të rëndësishme të botës. Sot, ne jemi gjithashtu më afër Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Tuzit, Ulqinit, Preshevës dhe shumë qyteteve të tjera ku jetojnë shqiptarët. Tirana ka një mision dhe unë jam i lumtur, që ne të gjithë jemi pjesë e tij. Misioni është “Tirana evropiane”, për banorët e saj dhe gjithë shqiptarët.
Qyteti i Tiranës dhe Bashkia përjetojnë 2012-ën, si një vit të jashtëzakonshëm për kombin tonë. Në 100-vjetorin e Pavarësisë do të bëjmë gjithçka për të kujtuar me respekt kontributin e baballarëve të kombit dhe për të festuar siç i takon një kryeqyteti, ekzistencën një shekullore të shtetit tonë. E nisim sot me këtë simpozium, ku do të kemi referime shkencore dhe specialist të fushës, profesorë, akademikë, por para se të fillojmë të gjithë këtë, më jepni mundësinë, t’i jap fjalën Kryetarit të Qeverisë, Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha”
KRYEMINISTRI PROF.DR. SALI BERISHA
“I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë së Tiranës, të nderuar zotërinj të panelit, të nderuar udhëheqës shpirtërorë të qytetarëve të Tiranës të të gjitha besimeve!
Është një privilegj i veçantë për mua dhe nder shumë i madh, t’ju përshëndes sot, të përshëndes në këtë ditë të lindjes së kryeqytetit tonë, çdo tiranas, çdo qytetar të kryeqytetit dhe çdo shqiptar, në një nga datat më të mëdha të historisë së përpjekjeve tona për ndërtimin e shtetit, të përpjekjeve tona për liri dhe dinjitet. Përzgjedhja e Tiranës për kryeqytet të kombit ishte një nga aktet më madhore, në përpjekjet e shqiptarëve, për të ndërtuar të ardhmen e tyre, si një komb i lirë.
92 vjet më parë Sulejman Delvina, Ahmet Zogu dhe anëtarë të tjerë të kabinetit të zgjedhur në Kongresin e Lushnjës, Kreu kolektiv i shtetit, Imzot Luigj Bumçi, Abdi Toptani, Aqif Pashë Elbasani, Mihal Turtulli morën një nga vendimet më të mençura, në tërë historinë tonë, vendimin për të bërë Tiranën kryeqytetin e Shqipërisë, kryeqytetin e shqiptarëve. Cilido që lexon Sami Frashërin do të gjejë se ky profet tokësor i shqiptarëve, në përshkrimin e kryeqytetit të kombit të tij kishte parashikuar një kryeqytet, i cili në të gjitha trojet e vendit, nuk mund të ishte tjetër përveçse Tirana, për pamjen, për rrugët, për të gjitha karakteristikat. Ata burra që morën vendimin për të shpallur Tiranën kryeqytet, në një akt madhor mençurie, u nisën sigurisht nga shumë faktorë, por njeri ishte pa mëdyshje më kryesori dhe kjo ishte zemra e tiranasve, bujaria e tyre, mikpritja e tyre, virtyti i tyre, atdhedashuria e tyre.
Si sot, 92 vjet më parë, në këtë qytet të bekuar u vendos qeveria e Lushnjës. Jo pak kilometra nga qyteti, do t’i priste ata Kryetari i Bashkisë Ismail Ndroqi dhe do të bënte gjithçka, që ata të fillonin punën në kushte sa më normale. Do t’i priste Ismail Ndroqi, sepse ai së bashku me burra të tjerë të shquar të Tiranës, e vërteta është se kur panë që vendi po rrokullisej në një mënyrë katastrofale, u bënë pararendës dhe organizatorë kryesorë të Kongresit të Lushnjës. Ata që themeluan Tiranën si kryeqytet, jo vetëm bënë një nga vendimet më të mençura në historinë kombit, por ata Tiranën, e cila kishte gjithsej 8 vite shkëputur nga Porta dhe Perandoria e Lindjes do ta themelonin, si një qytet kryekëput perëndimor, do i jepnin asaj në një kohë të shkurtër rrugë dhe bulevarde ndër më të bukurat, do t’i hartonin Tiranës, projektet e njërit prej qyteteve më moderne në rajon dhe ne Evropë. Kjo është e vërteta e tyre, kjo është trashëgimia e tyre. Tirana, para së gjithash dhe mbi të gjitha ishte kryeqyteti politik i shqiptarëve, i çementimit dhe i udhëheqjes së lëvizjeve të mëdha politike të kombit. Këtë qëndrim mbajti ajo, me pushtimin nazifashist. Rrugët dhe rrugicat e saj organizuan qëndresën më të shkëlqyer.
Tirana ra në kthetrat e një grupi, e një bande barbare, e cila u përqendrua në bllok dhe s’u integrua dot kurrë në qytetin e Tiranës, ndërtoi bunkerin e vet, por nuk penetroi dot kurrë, në rrugët, rrugicat , në mendjen dhe zemrën e qytetarëve të Tiranës. Vërtetë nga bunkeri projektoi të gjitha planet dhe veprimet katastrofale, barbare për shqiptarët, por në rastin më të parë, Tirana u dha përgjigjen e merituar, pasi do të ishte qyteti që do të përmbyste diktatorin, do të udhëhiqte Shqipërinë, do të themelonte partinë e parë opozitare, do të përmbyste diktatorin në rrugët dhe rrugicat e saj, do të shndërrohej sërish në një udhëheqje të progresit, në një promotor të madh të udhëheqjes dhe zhvillimit.
Tirana është epiqendra politike e shqiptarëve, është zemra dhe truri i kombit, por mbi të gjitha Tirana është ëndrra e shqiptarëve, ëndrra më e bukur e tyre, ndaj dhe zoti kryetar, duhet tu përgëzoj për frymën qytetare që keni rikthyer me të gjithë ekipin tuaj, në një kohë të shkurtër, në këtë qytet të mrekullueshëm, i cili para së gjithash dhe mbi të gjitha kërkon tu frymëzojë ju, të na frymëzojë ne, të frymëzojë gjithë politikanët, drejtuesit, me virtytet e shpirtit dhe zemrës së saj.
Tirana pret dhe unë jam i bindur se ju, me përkushtimin më të madh, me ekipin tuaj, zhvillimin e saj të dytë të madh, zhvillim të cilin fatkeqësirat politike ia mohuan asaj; Tirana pret vazhdimin e veprave të mëdha të Ismail Ndroqit dhe të atyre burrave që e kthyen, që i dhanë qytetit drejtimin e tij perëndimor dhe e projektuan si epiqendër perëndimore të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Në këto vite përpjekjet kanë qenë të mëdha. Sot ne festojmë 92 vjetorin e lindjes së kryeqytetit. Datën si qytet e ka shumë më të largët, por e festojmë në një kryeqytet të një vendi anëtar të NATO-s; e festojmë në një kryeqytet, i cili krijoi çdo ditë, çdo javë, çdo muaj vlera të mëdha evropiane; e festojmë në një kryeqytet që është sot, lokomotivë kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit; e festojmë në një kryeqytet që i jep nder dhe krenari çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje kudo që ndodhet, në Shqipëri dhe në botë.
Edhe njëherë, le të urojmë ne këtë ditë të bardhë, këtë ditë të madhe për tiranasit, Tiranën dhe mbarë kombin shqiptar!
HISTORIANI PROF.DR. KRISTO FRASHËRI
“Unë nuk kam lindur në Tiranë, kam ardhur në Tiranë kur isha 7 vjeç, para 85 viteve, më 1927. Në atë kohë, Tirana kishte vetëm puse, ujësjellësa nuk kishte. Thoshin në atë kohë, pleq të thjeshtë tiranas që thoshin “Tironë”, që “po pive 40 kova ujë je bërë tiranas”. Unë kam pirë jo 40, por kam pirë nja 4000 kova ujë, kështu që unë e ndiej veten tiranas. E bëj këtë për të thënë se e ndiej veten krenar që jam tiranas dhe ia kushtoj këtë dashuri, punës që bëra për historinë e Tiranës.
Tirana ka qenë një qytet i qetë, qytet i dashur, me njerëzit që e vizitonin, qytet i thjeshtë, qytet me një sistem urbanistik të krijuar nga shekujt dhe pikërisht tek ky sistem urbanistik i Tiranës, unë mora fillin se si është origjina e qytetit.
Tirana nuk është nga ato qytete, që krijohen nga pozitat strategjike, apo nga ato qytete që krijohen nga pozita e trafikut, ekonomike. Tirana nuk është si gjithë ato qytete që i kanë krijuar njerëz të shquar, Tirana është qytet që e krijoi treva ku është. Është një trevë shumë interesante. Tirana bregdetare është kryqëzim rrugësh nga Dalmacia, nga Shkodra, Ulqini, Lezha, për të shkuar në lindje, duhej kaluar njëherë nga Tirana, Qafë-Krrabë dhe në Elbasan, rrugën “Egnatia” e shkonin drejt e në Manastir, Selanik, Stamboll e më tutje. Kjo ishte rruga veriore, ishin dy rrugë të tjera pastaj horizontale, njëra nisej nga Durrësi, bregdeti, qyteti bregdetar, vinte në Tiranë dhe kalonte në rrugën e Shën Gjergjit e lidhte Malësinë me detin. Qe një rrugë tjetër që nisej nga Kavaja që ishte një qytet tregtar, po aq i lulëzuar sa edhe Durrësi e vinte nga Kavaja e shkonte nëpër Ndroq, te Urë e Beshirit, në Tiranë e hynte rrugën e Dibrës e në Qafën e Tujanit, Qafë të Murizës, në Mat, në Dibër, në Maqedoni. Po t’i shikosh në hartë këto tre rrugë kryesore, të shikosh ato takohen në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”, prandaj Tirana lindi si qytet, kur u gjallërua krahina, treva dhe treva u gjallërua, kur u krijuar stabiliteti.
Dy herë është krijuar stabiliteti në këtë zonë, një herë në antikitetin e vonë, atëherë shikojë Tiranën si gjë që del me një kala, që është zbuluar atje ku është pranë Akademisë dhe Rruga “Murat Toptani”, pastaj erdhën dyndjet barbare, u zhduk Tirana, pastaj erdhën përsëri turqit, u vendos stabiliteti dhe në shekullin e 17-të, Tirana u ringjall përsëri, se e ringjalli treva. Prandaj, kjo vijë, këto rrugë janë edhe sot pak të deformuara, rruga e Shkodrës quhej qëmoti, sot është rruga “Mine Peza”, rruga e Durrësit e ka ruajtur emrin, rruga e “Kavajës” e ka ruajtur emrin, rruga e “Dibrës” po ashtu, rruga e “Elbasanit” po ashtu, rruga e “Shën Gjegjit” ajo është rruga që vazhdon edhe sot e kësaj dite, me gjithë dredhat që ka vazhdon të lidhë Malësinë..
Më 1912 Tirana ishte qytet, por ishte vetëm Nënprefekturë, varej nga prefektura e Durrësit, e cila kishte 3 mijë banorë, kurse Tirana kishte 12 mijë banorë dhe prapë varej nga një Prefekturë që ishte shumë më e vogël. Kur u bë kryeqytet Tirana, më 1920, Tirana ishte qytet, në kuptimin “ballkanik” të fjalës, ishte qytet sepse nuk merrej me bujqësi, me bujqësi merren fshatrat apo qytezat që janë ende fshatra, merrej me zejtari dhe me tregti, edhe me kopshtari se kopshtaria ishte pjesë e pandarë e jetës qytetare.
Tirana, në Kongresin e Lushnjës nuk ishte nga ato që u vendos menjëherë të bëhej kryeqytet i Shqipërisë.Problemi ka qenë i tillë që kryeqyteti i Shqipërisë në atë kohë ishte Durrësi dhe ligjërisht ishte Durrësi dhe me statut ishte Durrësi, por Durrësin e kishin pushtuar italianët dhe ushtritë italiane lajmëruan qeverinë që u formua në Lushnjë, “po të afrohen në Lushnjë i pret mitralozi..” dhe këta nuk deshën gjakderdhje dhe vendosën ku të venë përkohësisht, si kryeqytet sa të liroheshe Durrësi. U hapën biseda, jo do venë në Shkodër, jo në Krujë, jo në Elbasan, jo në Vlorë, pika të forta kishte Vlora, se Vlora ishte kryeqyteti i parë i Shqipërisë, por Vlora thoshin ishte shumë larg Shqipërisë veriore, shumë larg Kosovës, shumë larg Maqedonisë, thanë Shkodra por Shkodra ishte shumë afër Malit të Zi, ishte një qytet me shumë banesa, qyteti më i madh i Shqipërisë, por u vendos Tirana. Tirana u vendos, se kur u pyet atje: “Po Tirana ka banesa?” - e pyetën Abdi Toptanin, a ka banesa për zyra, do vejë Kryeministria, do vejë Parlamenti, do vejë qeveria, ministria, legatat, zyra, gjykata, a ka ndërtesa? Dhe tiranasit u përgjigjën: “Ka dhe po të jetë nevoja ia krijojmë” dhe u vendosën në Tiranë përkohësisht. Tirana i mirëpriti, fotografia e hyrjes së organeve qeveritare shqiptare në Tiranë, ekziston fotografia kur hynë krerët e shtetit dhe u vendosënnë Tiranë, u sistemua Tirana dhe kur u lirua Durrësi nga ushtritë, nuk deshën të shkonin më. Këtu qenka mirë, në mes të Shqipërisë, me lidhje gjithandej, me këto rrugë që lidhin rrugët e Tiranës, rrugët e lidhin Tiranën me gjithë viset e Shqipërisë, kështu që Tiranë u bë kryeqytet, megjithëse me statut është vendosur kryeqytet në 1925, sidoqoftë Tirana e meritoi të ishte kryeqytet i Shqipërisë, për historinë e saj të mëvonshme. Ajo, po e mbyll edhe njëherë, kur erdhëm ne në 1927 në Tiranë, Tirana ishte akoma një qytet, siç i thoshin “me baltë”, nuk kishte rrugë të shtruara, nuk kishte ujësjellës, nuk kishte korrent elektrik, por pastaj u zhvillua, eci përpara, u pajis me mjete moderne dhe lulëzoi me hapa, siç po lulëzon sot me hapa të papara, ndaj në këtë rast unë përshëndes të gjithë banorët e Tiranës që kanë qenë kaq të ngrohtë dhe dashamirës, ndaj vëllezërve të tyre shqiptarë”.