Reshjet e dëborës, Imami: Në dispozicion të gjitha mjetet e FA-së. E rëndësishme është garantimi i jetës së njerëzve

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami mbledh Shtabin e Emergjencave në Librazhd
Në qytetin e Librazhdit u mbajt sot mbledhja e Shtabit të Emergjencave Civile për qarkun e Elbasanit. Mbledhja u zhvillua nën drejtimin e prefektit të Qarkut të Elbasanit, z. Shefqet Deliallisi dhe në praninë e ministrit të Mbrojtjes, z. Arben Imami, i cili mori pjesë në cilësinë e anëtarit të Shtabit Qendror të Emergjencave Kombëtare Civile. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe kryetari i Bashkisë Librazhd, z. Shefki Çota, deputeti i zonës, Rrahim Çota, drejtues të njësive vendore, përfaqësues të sektorit të shëndetësisë, arsimit, policisë, mirëmbajtjes së rrugëve dhe të CEZ-it.
Në fjalën e tij ministri i Mbrojtjes Imami garantoi mbështetjen e plotë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FA Shqiptare. “Janë marrë dhe po merren të gjitha masat për të përballuar situatën e krijuar si pasojë e kushteve të këqija atmosferike” – garantoi ministri i Mbrojtjes, Imami. “Qeveria ka ngritur Shtabin e Emergjencave Civile me qëllim për t’i ardhur në ndihmë popullatës në të gjitha zonat e bllokuara. Në takimin e sotëm u njoha nga afër me problematikat që kryetarët e komunave dhe njësive vendore bënë prezente. Forcat e Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes janë angazhuar tërësisht për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të bllokuar nga dëbora, duke ofruar të gjitha mjetet që ato kanë në dispozicion dhe, ç’është më kryesorja, helikopterët e Regjimentit të Helikopterëve, të cilët aktualisht shihen si të vetmit mjete kryesore shpëtimi që ndihmojnë në raste të tilla”- tha ai. Më tej z. Imami nënvizoi kujdesin që duhet të tregojmë për garantimin e jetës së njerëzve, sidomos të atyre që aktualisht ndodhen të izoluar nga dëbora. “I rëndësishëm, - tha ai, - është garantimi i jetëve njerëzore, furnizimi i tyre me ushqim dhe ndihma të tjera mjekësore, si dhe sigurimi i energjisë elektrike, të cilat janë të domosdoshme në situata të tilla. Ne si Ministri e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Brendshme do të bëjmë të gjitha përpjekjet e nevojshme me qellim që të gjithë problemet dhe vështirësitë e hasura deri më sot të kapërcehen. Presim ditë edhe më të vështira, por e rëndësishme është që ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme që kjo situatë të kalohet me sukses”.
Në vijim z. Imami kërkoi sensibilizimin dhe solidaritetin e të gjitha strukturave shtetërore përkatëse, si dhe angazhimin e komunitetit të këtyre zonave për përballimin e situatave të vështira të krijuara. Në këtë kontekst, Ministri Imami shtroi detyra të veçanta për shërbimin mjekësor, si në qendër, ashtu edhe në të gjitha njësitë vendore ku ekzistojnë qendrat shëndetësore, por edhe në fshatra që ndodhen me larg tyre. Ai garantoi bashkëpunimin mjaft të mirë me Ministrinë e Shëndetësisë për të vënë në dispozicion helikopterët e Regjimentit të Farkës dhe helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë me qëllim bërjen të mundur të transportit të mjekëve dhe medikamenteve për çdo rast emergjent shëndetësor. Ndërkaq, z. Imami nënvizoi se mjekët e spitalit të Librazhdit duhet të angazhohen më shumë jo vetëm në qendër, por edhe në tërë zonën, ata duhet të lëvizin me një grafik të veçantë, sidomos në ato fshatra ku nuk ka mjekë dhe qendra shëndetësore.
Në këtë takim, kryetarët e njësive vendore paraqitën shkurt situatën, gjendjen aktuale në çdo komunë dhe përpjekjet që po bëjnë për përballimin e vështirësive të krijuara nga moti i keq që ka përfshirë vendin tonë prej disa ditësh. Aktualisht situata më e vështirë për qarkun e Elbasanit paraqitet në komunat e Orenjës, Stërblevës, Qukësit, Lunikut, Rrajcës etj. Në këto komuna trashësia e borës ka arritur mbi 1.5 metra.
...