Tirana Bank, fitimi i 9-mujorit 7.9 milionë euro
Pavarësisht klimës së vështirë ekonomike dhe situatës jo të qëndrueshme të tregjeve ndërkombëtare, Tirana Bank ka shënuar një performancë pozitive gjatë 9-mujorit të vitit 2011. Fitimi neto pas taksave është 7.9 milionë euro, raportoi dje banka. Fitimi i interesit neto shënon 18.4 milionë euro. Fitimi neto nga komisionet arriti në shifrat e 2.4 milionë euro, me një rritje 8% nga viti në vit. Shpenzimet operative kanë arritur shumën 10.5 milionë € ose - 4% nga viti në vit. Raporti shpenzime-të ardhura është ulur me 47.2%, krahasuar me 49.4% në 2010-ën, duke reflektuar më së miri administrimin e shpenzimeve operacionale. Totali i aseteve shënon 671 milionë euro ose 8% më shumë nga viti në vi. Totali i kredisë shënon 431 milionë euro ose plus 2.3% nga viti që shkoi. Depozitat shënojnë 520 milionë ose 6 % më shumë nga viti i kaluar. Raporti kredi-depozita është 83%, duke treguar kështu aftësinë autofinancuese të Bankës. Kreditë me probleme shënojnë 47.8 milion euro ose 11.1%, dhe totali i provigjioneve shënon 22 milionë euro ose plus 27 % nga viti në vit. Totali i kapitalit shënon 101.6 milionë euro. Totali i kapitalit rregullator ishte 70.5% dhe raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 12.8%.