E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Klik Ekspo Group, ndihmë hyrjes së biznesit të huaj në Shqipëri

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti në një takim të veçantë në selinë e Presidencës një grup sipërmarrësish të huaj, përfaqësues të kompanive të ndryshme nga Greqia, Serbia, Hungaria, Gjermania, Italia etj., në edicionin e 18-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga shoqëria “Klik Ekspo Group” 2011, i cili do të mbahet në datat 25-30 nëntor, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në këtë takim ishin të pranishëm ambasadori i Greqisë në Tiranë, Nikolas Pazios dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jakaj. Pasi u uroi mirëseardhjen në vendin tonë, presidenti Topi nënvizoi “rëndësinë e organizimit të veprimtarive të tilla, pasi ato kontribuojnë në evidentimin e bizneseve të sipërmarrësve shqiptarë dhe në shpalosjen e strategjive të tyre të marketingut, si dhe në ekspozimin e produkteve, teknologjive dhe planeve të investimit të sipërmarrësve të huaj në tregun shqiptar, pasi njerëzit e biznesit nuk duhet të njohin kufij”. Gjithashtu, kreu i shtetit vlerësoi “përpjekjet e suksesshme dhe iniciativat e mëdha të sipërmarrësve shqiptarë në njëzet vitet e demokracisë”, dhe organizmin e përvitshëm të panaireve, sepse në këtë mënyrë jepet një ndihmesë më konkrete dhe më e drejtpërdrejtë për të rritur bashkëpunimin mes bizneseve vendase e të huaja, për të promovuar investimet në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, e cila ofron mundësi të shumta në infrastrukturë, energjetikë, turizëm etj., duke pasur qëndrueshmëri politike, ekonomike dhe lehtësira fiskale. Në këtë pikë, presidenti Topi duke shprehur në këtë drejtim të gjithë mbështetjen dhe përkrahjen e nevojshme institucionale, theksoi “rëndësinë e projekteve dhe investimeve në shkallë rajonale, sepse ato do të sillnin më shumë progres ekonomik në të gjithë rajonin e Ballkanit, i cili është projektuar qartazi drejt integrimit në Bashkimin Evropian”. Sipërmarrësit e huaj nga ana e tyre dhe organizatorët e panairit, duke falenderuar kryetarin e shtetit për pritjen e ngrohtë, vlerësuan arritjet e Shqipërisë në mjaft drejtime, punën ambicioze të sipërmarrësve shqiptarë kryesisht në prodhimin e produkteve cilësore, duke shprehur njëkohësisht bindjen se panairi i sivjetshëm do të rrisë mundësinë e shtimit të investimeve të bizneseve e produkteve të tyre në vendin tonë, si dhe bashkëpunimin më të madh përmes përfaqësuesve të biznesit vendas dhe atij të huaj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›