Fierza 14 metër mbi fundin, punon vetëm në orët e pikut
Vetëm gjatë kësaj jave niveli i Fierzës ka rënë me tre metra ose 14 metër mbi pikun e vdekjes. Por në ditët në vijim rënia përshpejtohet edhe më shumë, pasi për shkak të ngushtësisë së konit niveli bie më shpejt
Niveli i Fierzës drejt fundit. Dje në mbrëmje kuota ka shënuar 260.02 metër ose rreth 14 metër mbi pikun e vdekjes. Burimet nga Korporata Elektroenergjetike pohojnë se është duke u bërë maksimumi në administrimin e basenit, por në kushtet aktuale dhe në mungesën totale të reshjeve, situata paraqitet mjaft e rënduar. Në këto kushte hidrocentrali i Fierzës, që është edhe furnizuesi kryesor i energjisë në vend, punon vetëm disa orë të ditës, sidomos në orët e pikut, rreth mbrëmjes, atëherë kur edhe konsumi është më i madh. Aktualisht energjia e prodhuar nga HEC-et plotëson rreth 35 për qind të nevojave në vend dhe pjesa tjetër sigurohet nga importi, i cili aktualisht është rreth 18 milionë kilovatorë në ditë. Vetëm gjatë kësaj javë niveli i Fierzës kanë rënë me tre metra ose 14 metër mbi pikun e vdekjes. Por në ditët në vijim rënia përshpejtohet edhe më shumë, pasi për shkak të ngushtësisë së konit niveli bie me shpejt. Mirëpo burimet nga KESH pohojnë se këtë vit kriza energjetike në vend nuk lidhet vetëm me nivelin e Fierzës, për faktin se tashmë në hyrjen në punë të linjës 400 kilovolt të transmetimit të energjisë me Malin e Zi, Shqipëria ka kapacitetet e mjaftueshme për importuar energji. Kështu nëse Korporata Elektroenergjetike dhe CEZ kanë fondet të mjaftueshme për të blerë energjinë jashtë, konsumatorët nuk do të përjetojnë orët e gjata të kufizimeve si në fillim të kësaj dekade. Nga ana tjetër kompanitë e energjetikës në vend, janë përfshirë në debate borxhesh. KESH pretendon se nëse CEZ shpërndarje shlyen borxhin 55 milionë euro ndaj importi i energjisë do të ishte i sigurt edhe për disa muaj. Nga ana tjetër CEZ pretendon se borxhi ndaj KESH vjen si rezultat i faturave të pashlyera të institucioneve shtetërore për energjinë e harxhuar. Rrokada e borxheve përplaset në dyert e qeverisë, e cila në kushtet e një krize në ekonomi nuk mund të zgjidhë situatën. Aktualisht vendi po furnizohet rregullisht me energjie elektrike, me ndërprerje në disa zona, për shkak të defekteve dhe remonteve në rrjet. Por nga ana tjetër kriza energjisë po kalon në heshtje, dhe autoritetet qeveritare që merren me administrimin e kësaj krize ende nuk kanë zbardhur planin e masave për këtë çështje. Nga ana tjetër qeveria muajt e fundit ka miratuar një sërë projektvendimesh që mbështesin KESH-in. Një nga këto ligje është shndërrimi i faturës së KESH ndaj CEZ në titull ekzekutiv. Kjo do të thotë se për çfarë do lloj arsye CEZ duhet të shlyejë faturat e KESH dhe më pas t’i apelojë. KESH aktualisht po harxhon rreth 7 milionë euro në muaj për importin e energjisë, por ndërkohë kompania pritet të zhytet shumë shpjet në përkeqësim të bilancit, për faktin se energjia që blihet në tregun ndërkombëtar i shitet CEZ shpërndarjes më lirë. Sipas të dhënave të KESH, aktualisht 1 Megavat blihet në import mesatarisht 65-70 euro, ndërsa energjia që KESH i shet CEZ është me 1.48 lekë për kilovatorë. Përveçse mungesës së prodhimit, diferenca ndërmjet çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes e vështirëson edhe më shumë situatën.