E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, Basha nga nesër në krye të bashkisë

TIRANE- Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha pritet të nisë nesër zyrtarisht punën kur do të zhvillohet dhe mbledhja e parë e Këshillit të ri Bashkiak i dalë nga zgjedhjet e 8 majit.

 Mbledhja është thirrur rreth orës 10:00 nga sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Vladimir Gjonaj dhe kryetari i ri i bashkisë Lulzim Basha do të bëjë betimin.

Fillimisht do ngrihet komisioni i mandateve i cili do bëjë verifikimin e miratimin e mandateve të anëtarëve të këshillit të cilët më pas do të bëjnë betimin. Më pas 55 anëtarët e këshillit bashkiak do të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarin e këshillit, si dhe do të zgjidhen anëtarët që do të përfaqësojnë këshillin komunal ose bashkiak në këshillin e qarkut.

Pasi përfundon kjo procedurë vjen momenti i shpalljes së vlefshmërisë së mandatit të ri të kryetarit të ri të bashkisë së Tiranës dhe betimi i tij.

Në bazë të votave të marra në zgjedhjet vendore të 8 majit, koalicionit të djathtë "Aleanca për Qytetarin" i takojnë 28 vende në këshillin, ndërsa koalicionit të majtë  "Aleanca për të Ardhmen" i takojnë 27 vende.

Pas 11 vitesh qeverisje nga socialistët, bashkia e Tiranës do të drejtohet në 4 vitet e ardhshme nga Partia Demokratike.

Basha mundi me 93 vota kryesocialistin Edi Rama, i cili kërkonte mandatin e katërt në bashkinë më të madhe të vendit.

Rezultati i Tiranës ka thelluar dhe mungesën e dialogut mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri, një dialog që pothuajse mungon nga zgjedhjet e përgjitshme të vitit 2009. Pas zgjedhjeve të 8 majit opozita iu kthye sërish edhe bojkotit të parlamentit.

Ndërkombëtarët nga ana e tyre kanë intesifikuar përpjekjet për të bindur opozitën dhe pozitën në Shqipëri që të ulen në dialog, pasi në të kundërt perspektiva evropiane e vendit rrezikon të mbetet ende larg aspiratave dhe interesave të popullit shqiptar.  Apeli që palët të bashkëpunojnë u përsërit nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Etore Sequi edhe në një takim që zhvilloi në fundjavë me Presidentin Bamir Topi.
(s.g/BalkanWeb) Lidhje te tjera Kryesia e PD shpall 25 anëtarët e rinj, Basha më i votuari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›