E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, valltarët e vegjël në festivalet e Sarajevës dhe Budvas

DURRËS- Ansambli artistik i Qendrës kulturore të fëmijëve të Durrësit ka marrë pjesë këto ditë në edicionin e dytë të Festivalit të Valleve që organizohet në qytetin Ilidza (Bosnje Hercegovinë).
Bashkë me dy grupe artistësh të vegjël vendas në Festivalin e organizuar nga Qendra e kulturës popullore për fëmijë "Gajret" morën pjesë edhe ansamble vallesh nga Rusia, Venezuela, Mali i Zi dhe Shqipëria, tha për ATSH-në Arjan Plaku, specialist pranë QKF.
Në shfaqjet e përbashkëta 10 çiftet e valltarëve nga Durrësi sollën traditën e kërcimit nga treva të ndryshme të vendit tonë. Përveç shfaqjeve të organizuara në qytetin organizator, shumë pranë Sarajevës, fëmijët shqiptarë u bënë protagonistë në spektaklin televiziv që u zhvillua në fshatin e Lojrave Olimpike të vitit 1984,tha Arjan Plaku.
Valltarët tanë kërcyen gjashtë valle jo vetëm me motive shqiptare, por edhe nga vende të tjera të rajonit, duke fituar duartrokitje jo vetëm për vlerat e kërcimit, por edhe për larminë e kostumeve tradicionale.
Një javë më parë grupi i fëmijëve të QKF mori pjesë në edicionin e tetë të Festivalit Ballkanik të Valleve folklorike në Budva, me pjesëmarrjen e Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës dhe Bullgarisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›