Tirana-Skënderbeu, apo sfida që përcakton anti-Flamurtarin?
Luhet sot në kryeqytet sfida e prapambetur mes bardhebluve dhe korçarëve, një ndeshje që vlen shumë për të dyja skuadrat. Flamurtari është gjithë sy e veshë!
Superndeshja Tirana-Flamurtari, takim që duhej zhvilluar në javën e 16-të, por që u shty për shkak të demonstratës, do të zhvillohet sot në orën 17:00 dhe është padyshim një nga ato ndeshjet që premton spektakël. Kjo pasi Tirana po rritet nga ndeshja në ndeshje dhe Skënderbeu nuk duhet të humbasë terren nga Flamurtari kryesues. Por situata në tabelë është vërtet interesante, pasi një fitore e bardhebluve jo vetëm që do t’i ndihmonte këta të fundit që t’u afrohen me dy pikë Vllaznisë dhe Skënderbeut që ndajnë vendin e dytë, por do të ishte rezultati më i mirë edhe për Flamurtarin, që do të kishte për 15 javët në vijim një garanci jo të vogël, por plot 6 pikë diferencë. Ndërkohë, gjithë opinioni sportiv i ka kthyer sytë edhe nga gjyqtarët, pasi në shumë raste Skënderbeu është akuzuar për favorizim nga kasta arbitrale. Jo më larg sesa në ndeshjen e së shtunës, korçarët kanë përfituar nga një penallti e paqenë që në minutën e parë dhe goli që rrodhi prej saj i hapi rrugën fitores. Por në një ndeshje si kjo gabimet e gjyqtarëve nuk lejohen, pasi të dyja skuadrat duan të marrin maksimumin. “Është e vërtetë që mungesa e Shkëmbit është një mungesë e madhe dhe me shumë peshë për ne. Por unë jam i bindur që për 90 minuta edhe ata lojtarë që do ta zëvendësojnë do të bëjnë më të mirën, në mënyrë që të arrijmë të marrim më të mirën nga kjo ndeshje”, thotë Ditmar Bicaj, mbrojtësi i Skënderbeut. Ndërsa nga ana tjetër është Gilman Lika që ka parashikuar fitoren e skuadrës së tij: “Jam i bindur që me pak më shumë impenjim edhe Skënderbeun e mundim në “Qemal Stafa”, ka komentuar shkodrani i ardhur pak ditë më parë te bardheblutë. Sidoqoftë, ndeshja është e gjitha për t’u parë, pasi spektakli është i garantuar.
E prapambetur
Tirana – Skënderbeu 17:00
Renditja N F B H Gol P
1) Flamurtari 18 13 1 4 31-15 40
2) Skënderbeu 17 11 1 5 28-17 34
3) Vllaznia 18 10 4 4 21-15 34
4) Tirana 17 8 5 4 27-17 29
5) Dinamo 18 8 4 6 28-23 28
6) Laçi 18 8 3 7 22-20 27
7) Teuta 18 6 4 8 19-20 22
8) Shkumbini 18 6 3 9 23-28 21
9) Kastrioti 18 5 5 8 19-27 20
10) Besa 18 4 6 8 15-23 18
11) Bylis 18 4 3 11 20-33 15
12) Elbasani 18 3 3 12 18-33 9